Dosja

LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Kërko në këtë akt

Neni 901Nocioni

Me kontratën ndërmjetësuese për udhëtimin, ndërmjetësuesi detyrohet që në emër dhe për llogari të udhëtarit, të lidhë qoftë kontratën për organizimin e udhëtimit qoftë edhe kontratën për kryerjen e një ose të disa shërbimeve të veçanta, që bëjnë të mundur realizimin e ndonjë udhëtimi ose qëndrimin, kurse udhëtari detyrohet të paguajë për këtë shpërblim.

Neni 902Detyrimi i dhënies së vërtetimit

1. Kur me kontratën ndërmjetësuese për udhëtimin merret përsipër detyrimi i lidhjes së kontratës për organizimin e udhëtimit, ndërmjetësuesi ka për detyrë që me rastin e kontraktimit të lëshojë vërtetimin për udhëtimin, që përpos të dhënave të cilat kanë të bëjnë me vet udhëtimin, shenjën dhe adresën e organizatorit të udhëtimit, duhet të përmbajë shenjën dhe adresën e ndërmjetësuesit, si dhe të dhënat që tregojnë se ai paraqitet në këtë status.

2. Në qoftë se në vërtetimin për udhëtimin nuk e shënon statusin e ndërmjetësuesit, ndërmjetësuesi në organizimin e udhëtimit konsiderohet si organizator i udhëtimit.

3. Në rastin kur kontrata ndërmjetësuese për udhëtimin ka të bëjë me lidhjen e kontratës për ndonjë shërbim të veçantë, ndërmjetësuesi ka për detyrë të lëshojë vërtetimin që ka të bëjë me këtë shërbim duke theksuar shumën që paguhet për këtë shërbim.

Neni 903Veprimi sipas udhëzimeve të udhëtarit

1. Ndërmjetësuesi ka për detyrë të veprojë sipas udhëzimeve që ia ka dhënë në kohë udhëtari, në qoftë se ato janë në pajtim me kontratën, me ushtrimin e veprimtarisë së rëndomtë të ndërmjetësuesit dhe me interesat e udhëtarëve tjerë.

2. Në qoftë se udhëtari nuk jep udhëzime të nevojshme, ndërmjetësuesi ka për detyrë të punojë sipas mënyrës që në rrethanat konkrete është më e përshtatshme për udhëtarin.

Neni 904Zgjedhja e personave të tretë

Ndërmjetësuesi është i detyruar që me ndërgjegje ta zgjedhë personin e tretë, i cili duhet t’i kryejë shërbimet e parapara me kontratë dhe i përgjigjet udhëtarit për zgjedhjen e tyre.

Neni 905Zbatimi përkatës i dispozitave të kontratës për organizimin e udhëtimit

Dispozitat e këtij ligji që kanë të bëjnë me kontratën për organizimin e udhëtimit, zbatohen përshtatshmërisht për kontratën ndërmjetësuese për udhëtimin, në qoftë se me dispozitat e kësaj pjese nuk është caktuar ndryshe. PJESA XXIII KONTRATA PËR ANGAZHIMIN E KAPACITETEVE TË HOTELIERISË (KONTRATA PËR ALOTMANIN) KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 906Nocioni

1. Me kontratën për alotmanin detyrohet hotelieri që gjatë kohës së caktuar t’i vë në dispozicion agjencisë turistike një numër shtretërish të caktuar në objektin e caktuar, t’u japë shërbime hoteliere personave që i dërgon agjencia dhe t’i paguajë provizion të caktuar, kurse kjo detyrohet që të përpiqet t’i plotësojë, përkatësisht të njoftojë brenda afateve të caktuara se kjo nuk është e mundur, si dhe të paguajë çmimin e shërbimeve të bëra në qoftë se ka shfrytëzuar angazhimin e kapaciteteve të hotelit.

2. Në qoftë se me kontratë nuk është caktuar ndryshe, konsiderohet se kapacitetet e strehimit të hotelierisë janë vënë në dispozicion për një (1) vit.

Neni 907Forma e kontratës

Kontrata për alotmanin duhet të lidhet në formën me shkrim. KREU 2 DETYRIMET E AGJENCISË TURISTIKE

Neni 908Detyrimet e njoftimit

1. Agjencia turistike ka për detyrë ta njoftojë hotelierin për procesin e mbushjes së kapaciteteve të strehimit.

2. Në qoftë se nuk ka mundësi t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e rezervuara të strehimit, agjencia turistike ka për detyrë që brenda afateve të kontraktuara ose të rëndomta ta njoftojë hotelierin për këtë dhe t’i dërgojë listën e mysafirëve dhe në njoftim të caktojë afatin, deri te i cili hotelieri mund të disponojë lirisht me kapacitetet e rezervuara.

3. Kapacitetet e hotelierisë që në listën e mysafirëve nuk janë theksuar si të plotësuara, konsiderohen të lira, që nga dita e marrjes së kësaj liste nga ana e hotelit për periudhën me të cilën ka të bëjë lista.

4. Pasi të ketë kaluar ky afat, agjencia turistike fiton përsëri të drejtën e plotësimit të kapaciteteve të rezervuara të strehimit.

Neni 909Detyrimi i respektimit të çmimeve të kontraktuara

Agjencia turistike nuk mund t’u llogarisë personave që i dërgon në objektin e hotelierisë çmime më të larta për shërbimet e hotelierisë nga ato që janë parashikuar me kontratën mbi alotmanin ose me listën e çmimeve të hotelerisë.

Neni 910Detyrimi i pagimit të shërbimeve të hotelierisë

1. Në qoftë se me kontratë nuk është caktuar ndryshe, çmimin e shërbimeve të dhëna të hotelierisë ia paguan hotelierit agjencia turistike pas kryerjes së shërbimeve.

2. Hotelieri ka të drejtë të kërkojë pagimin e paradhënieve përkatëse.

Neni 911Detyrimi i dhënies së dokumentit të veçantë me shkrim

1. Agjencia turistike ka për detyrë që personave të cilët i dërgon në bazë të kontratës për alotmanin t’u japë dokumentin e veçantë me shkrim.

2. Dokumenti i veçantë me shkrim është në emër ose në grupin e caktuar, është i pabartshëm dhe përmban urdhërin drejtuar hotelierit që t’i japë shërbimet të cilat janë theksuar në të.

3. Dokumenti i veçantë me shkrim shërben si provë se personi është klient i agjencisë turistike që ka lidhur kontratën me hotelierin për alotmanin.

4. Në bazë të dokumentit të veçantë me shkrim bëhet përllogaritja e kërkesave reciproke midis agjencisë turistike dh hotelierit. KREU 3 DETYRIMET E HOTELIERIT

Neni 912Detyrimi i vënies në përdorim të kapaciteteve strehimi të kontraktuara

1. Hotelieri merr përsipër detyrimin definitiv dhe të parevokueshëm që brenda afatit të caktuar të vejë në përdorim numrin e kontraktuar të shtretërve dhe t’u japë personave që i dërgon agjencia turistike shërbime të theksuara në dokumentin e veçantë me shkrim.

2. Hotelieri nuk mund të kontraktojë me agjencinë tjetër turistike angazhimin e kapaciteteve që janë rezervuar në bazë të kontratës mbi alotmanin.

Neni 913Detyrimi për trajtim të barabartë

Hotelieri duhet t’u ofron shërbime të njëjta personave që dërgohen nga agjencia e turizmit, sikurse personave me të cilët ka lidhur kontratë direkte mbi shërbimet e hotelierisë.

Neni 914Detyrimi i hotelierit që të mos i ndryshojë çmimet e shërbimeve

1. Hotelieri nuk mund t’i ndryshojë çmimet e kontraktuara, në qoftë se për të nuk e njofton agjencinë turistike të paktën gjashtë muaj përpara, përveç në rastin e ndryshimit të kursit të këmbimit të valutave që ndikojnë në çmimin e kontraktuar.

2. Çmimet e reja mund të zbatohen pasi të ketë kaluar një muaj nga dërgimi i tyre agjencisë turistike.

3. Çmimet e reja nuk do të zbatohen ndaj shërbimeve për të cilat është dërguar lista e klientëve.

4. Sidoqoftë, ndryshimet e çmimit nuk kanë efekt ndaj rezervimit që e ka konfirmuar hotelieri.

Neni 915Detyrimi i pagimit të provizionit

1. Hotelieri ka për detyrë që agjencisë turistike t’i paguajë provizionin për qarkullimin e realizuar në bazë të kontratës për alotmanin.

2. Provizioni caktohet në përqindje prej çmimit të shërbimeve hoteliere të kryera.

3. Në qoftë se përqindja e provizionit nuk është caktuar me kontratë, agjencisë turistike i takon provizioni i caktuar me kushtet e përgjithshme të ushtrimit të veprimtarisë së agjencisë turistike, ose në qoftë se këto nuk ekzistojnë sipas praktikës afariste. KREU 4 E DREJTA E AGJENCISË TURISTIKE PËR TË HEQUR DORË NGA KONTRATA

Neni 916E drejta për të hequr dorë nga kapacitetet e angazhuara të strehimit

1. Agjencia turistike mund të heqë dorë përkohësisht nga shfrytëzimi i kapaciteteve të angazhuara të strehimit dhe me këtë të mos e zgjidhë kontratën për alotmanin dhe as të krijojë për vete detyrimin e shpërblimit të dëmit hotelierit, në qoftë se në afatin e kontraktuar dërgon njoftimin për heqjen dorë nga shfrytëzimi.

2. Në qoftë se afati i njoftimit mbi heqjen dorë nuk është caktuar me kontratë, përcaktohen në bazë të dokeve afariste në hotelieri.

3. Kur njoftimi mbi heqjen dorë nuk është dërguar në afatin e parashikuar, hotelieri ka të drejtë në shpërblimin e dëmit.

4. Agjensia turistike mund të heqë dorë nga kontrata tërësisht pa detyrimin e shpërblimit të dëmit në qoftë se njoftimin mbi heqjen dorë e dërgon brenda afatit të kontraktuar.

Neni 917Detyrimi i agjencisë turistike për t’i plotësuar kapacitetet e angazhuara

1. Me kontratën për alotmanin mund të parashihet detyrimi i veçantë i agjensisë turistike për t’i plotësuar kapacitetet e angazhuara të hotelierisë.

2. Në qoftë se në këtë rast nuk i plotëson kapacitetet e angazhuara të hotelierësë, agjencia turistike ka për detyrë t’i paguajë hotelierit shpërblimin për çdo shtrat të pashfrytëzuar dhe për çdo ditë.

3. Agjencia turistike atëherë nuk ka të drejtë që me anë të njoftimit të bërë në kohën e duhur ta denoncojë kontratën pjesërisht ose tërësisht. PJESA XXIV KONTRATA PËR SIGURIMIN KREU 1 DISPOZITAT E PËRBASHKËTA PËR SIGURIMIN E PASURISË DHE SIGURIMIN E PERSONAVE NËNKREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 918Nocioni

Me kontratën për sigurimin detyrohet kontraktuesi i sigurimit që mbi parimet e reciprocitetit dhe solidaritetit të paguajë një shumë të caktuar shoqërisë së sigurimit (siguruesi), kurse shoqëria detyrohet që, nëse ndodh ngjarja që paraqet rastin e siguruar, t’i paguajë siguruesit apo ndonjë personi të tretë shpërblimin, përkatësisht shumën e kontraktuar ose të kryejë diçka tjetër.

Neni 919Rasti i siguruar

1. Ngjarja,duke marrë parasysh se për cilën kontraktohet sigurimi (rasti i siguruar) duhet të jetë i ardhshëm, e pasigurt dhe e pavarur nga vullneti ekskluziv i kontraktuesve.

2. Kontrata e sigurimit është e pavlefshme, në qoftë se në momentin e lidhjes së saj ka ndodhur rasti i siguruar, apo në qoftë se ky ka qenë në krijim e sipër, apo ka qenë e sigurt se do të vijë, ose po qe se që atëherë ka pushuar mundësia që ai të ndodhë.

3. Në qoftë se është kontraktuar, se me sigurimin do të përfshihet periudha e caktuar që vjen para lidhjes së kontratës, kontrata do të jetë nule vetëm në qoftë se në momentin e lidhjes së saj pala e interesuar e ka ditur se rasti i siguruar ka ndodhur, përkatësisht se që atëherë është shuar mundësia që ai të ndodhë.

Neni 920Përjashtimi i disa sigurimeve

1. Dispozitat e kësaj pjese nuk do të zbatohen në sigurimet e lundrimit, si dhe në sigurimet të tjera për të cilat zbatohen rregullat e sigurimit për lundrimin.

2. Dispozitat e përmendura nuk do të zbatohen as në sigurimin e kërkesave, as në marrëdhëniet e risigurimit.

Neni 921Shmangia nga dispozitat e kësaj pjese

1. Me kontratë mund të shmanget vetëm nga ato dispozita të kësaj pjese, në të cilat kjo shmangie është lejuar shprehimisht, si dhe ato që u ofrojnë kontraktuesve mundësinë që të veprojnë siç dëshirojnë.

2. Shmangia nga dispozitat e tjera, po qe se nuk është e ndaluar me këtë ose me ndonjë ligj tjetër, lejohet vetëm në qoftë se është në interesin e padyshimtë të të siguruarve. NËNKREU 2 LIDHJA E KONTRATËS

Neni 922Kur është e lidhur kontrata

1. Kontrata për sigurimin është e lidhur kur kontraktuesit nënshkruajnë polisën e sigurimit ose listën e mbulesës.

2. Oferta me shkrim që i është bërë të siguruarit për lidhjen e kontratës për sigurimin detyron ofertuesin, në qoftë se ky nuk ka caktuar ndonjë afat më të shkurtër, për një kohë prej tetë ditësh nga data kur oferta t’i ketë arritur siguruesit, e në qoftë se nevojitet kontrolli mjekësor, atëherë për një kohë prej tridhjetë ditësh.

3. Në qoftë se siguruesi në këtë afat refuzon ofertën e cila nuk largohet nga kushtet në të cilat ai ushtron sigurimin e propozuar, do të konsiderohet se e ka pranuar ofertën dhe se kontrata është lidhur.

4. Në këtë rast kontrata quhet e lidhur kur oferta t’i ketë arritur siguruesit.

Neni 923Polica dhe lista e mbulesës

1. Në policë duhet të shkruhen palët kontraktuese, sendi i siguruar, respektivisht personi i siguruar, rreziku i përfshirë nga sigurimi, kohëzgjatja e sigurimit dhe periudha e depozitës, shuma e sigurimit ose se sigurimi është i pakufizuar, premia ose kontributi, data e dhënies së policës dhe nënshkrimet e palëve kontraktuese.

2. Lista e mbulesës në të cilën është përshkruar pjesa esenciale e kontratës mundet të zëvendësojë përkohësisht policën e sigurimit.

3. Në qoftë se kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të sigurimit nuk janë të shtypura në vet policën, siguruesi është i detyruar ta paralajmërojë kontraktuesin e sigurimit se kushtet e tilla janë pjesë përbërëse të kontratës dhe t’i dorëzojë tekstin e tyre.

4. Zbatimi i detyrimeve nga paragrafi paraprak duhet të konstatohet në policë.

5. Në rastin e mospajtimit të ndonjë dispozite të kushteve të përgjithshme ose të veçanta dhe të ndonjë dispozite të policës do të aplikohet dispozita e policës, e në rastin e mospajtimit të ndonjë dispozite të shtypur në policë e të ndonjë dispozite të saj të dorëshkrimit, do të vihet në zbatim kjo e fundit.

6. Sipas marrëveshjes së kontraktuesve, polica mund të mbajë emrin e caktuar, të jetë sipas urdhërit ose sipas prurësit.

Neni 924Sigurimi pa polisë

Me kushtet e sigurimit mund të parashikohen rastet nën të cilat marrëdhënia kontraktuese nga sigurimi krijohet nga vetë pagimi i premisë.

Neni 925Lidhja e kontratës në emër të tjetrit pa autorizim

1. Kush lidh kontratën e sigurimit në emër të tjetrit pa autorizim të tij i përgjigjet siguruesit për detyrimet nga kontrata, gjersa ky në emër të të cilit është lidhur kontrata të mos e miratojë.

2. I interesuari mund të lejojë kontratën edhe pasi të ketë ndodhur rasti i siguruar.

3. Në qoftë se pëlqimi është refuzuar, kontraktuesi i sigurimit ka borxh preminë për periudhën e sigurimit në të cilën siguruesi është njoftuar për refuzimin e pëlqimit.

4. Punëdrejtuesi pa porosi, i cili e ka njoftuar siguruesin se paraqitet pa autorizim në emër dhe për llogari të tjetrit nuk përgjigjet për detyrimet nga sigurimi.

Neni 926Sigurimi për llogari të huaj ose për llogari të të cilit i përket

1. Në rastin e sigurimit për llogari të huaj ose për llogari të të cilit i përket, detyrimet e pagimit të premisë dhe detyrimet e tjera nga kontrata ka për detyrë t’i zbatojë kontraktuesi i sigurimit, por ky nuk mund të ushtrojë të drejtat nga sigurimi as edhe kur mban polisën pa pëlqimin e personit, interesi i të cilit është siguruar dhe të cilit ato i përkasin.

2. Kontraktuesi i sigurimit nuk ka për detyrë t’i dorëzojë polisën personit të interesuar gjersa të mos i shpërblehen premitë që i ka paguar siguruesit, si dhe shpenzimet e kontratës.

3. Kontraktuesi i sigurimit ka të drejtë arkëtimi prioritar të këtyre kërkesave nga shpërblimi që është borxh, si dhe të drejtën për të kërkuar pagimin e tyre të drejtpërdrejt nga siguruesi.

4. Siguruesi mund t’i paraqesë secilit shfrytëzues të sigurimit për llogarinë e huaj të gjitha kundërshtimet, të cilat në bazë të kontratës i ka ndaj kontraktuesit të sigurimit.

Neni 927Përfaqësuesi i sigurimit

1. Kur siguruesi autorizon ndokënd që ta përfaqësojë, ndërsa nuk cakton vëllimin e autorizimeve të tij, përfaqësuesi është i autorizuar që në emër dhe për llogari të siguruesit të lidhë kontrata për sigurimin, të kontraktojë ndryshimet e kontratës ose zgjatjen e afatit të tyre, të lëshojë polisë sigurimi, të arkëtojë premitë dhe të pranojë deklarata të drejtuara siguruesit.

2. Në qoftë se siguruesi i ka kufizuar autorizimet e përfaqësuesit të vet, ndërsa kjo për kontraktuesin e sigurimit nuk ka qenë e njohur, konsiderohet sikur këto kufizime të mos kenë ekzistuar. NËNKREU 3 DETYRIMI I SIGURUESIT, PËRKATËSISHT I KONTRAKTUESVE TË SIGURIMIT I. LAJMËRIMI I RRETHANAVE TË RËNDËSISHME PËR VLERËSIMIN E RREZIKUT

Neni 928Detyra e lajmërimit

Kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë t’i lajmërojë siguruesit kur lidhë kontratën të gjitha rrethanat e rëndësishme të cilat janë të rëndësishme për vlerësimin e rrezikut, të cilat i janë të njohura ose nuk kanë mundur të mbeten të panjohura.

Neni 929Lajmërimi i pasaktë i bërë me dashje ose lënia në heshtje

1. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka bërë me dashje lajmërimin e pasaktë ose me dashje e ka lënë në heshtje ndonjë rrethanë të një karakteri të tillë, sa që siguruesi nuk do të lidhte kontratën po të kishte ditur për gjendjen e vërtetë, siguruesi mund të kërkojë anulimin e kontratës.

2. Në rastin e zgjidhjes të kontratës për shkaqe të cekura në paragrafin paraprak, siguruesi mban për vete premitë e arkëtuara dhe ka të drejtë të kërkojë pagimin e premisë për periudhën e sigurimit në të cilën ka kërkuar anulimin e kontratës.

3. Siguruesi duhet të paraqesë padi për anulimin e kontratës mbi sigurimin në afat prej tre muajsh nga koha kur ka marrë njohuri për pasaktësinë e lajmërimit ose të lënies në heshtje.

Neni 930Pasaktësia e paparamenduar ose lajmërimi jo i plotë

1. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka bërë lajmërim të pasaktë ose ka bërë lëshim të jap njoftim që ka për detyrë, ndërsa këtë nuk e ka bërë me dashje, siguruesi mundet sipas dëshirës së vet brenda një muaji nga data kur të ketë mësuar për pasaktësinë ose për lajmërimin jo të plotë të lajmërimit, të deklarojë se e zgjidhë kontratën ose të propozojë shtimin e premisë në përpjesëtim me rrezikun më të madh.

2. Kontrata në këtë rast shuhet pasi të kenë kaluar katërmbëdhjetë (14) ditë që kur siguruesi t’ia ketë komunikuar deklaratën e vet mbi zgjidhjen kontraktuesit të sigurimit, e në rastin e propozimit të siguruesit që premia të shtohet, zgjidhja shkaktohet sipas ligjit, në qoftë se kontraktuesi i sigurimit nuk e aprovon propozimin brenda katërmbëdhjetë ditësh nga koha që kur e ka marrë.

3. Në rastin e zgjidhjes, siguruesi ka për detyrë ta kthejë pjesën e premisë, e cila i përket kohës deri në fund të periudhës së sigurimit.

4. Në qoftë se rasti i siguruar ka ndodhur para se të ishte vërtetuar pasaktësia ose lajmërimi jo i plotë, apo pas kësaj, por para zgjidhjes së kontratës, përkatësisht para arritjes së marrëveshjes për shtimin e premisë, shpërblimi zvogëlohet në përpjesëtim ndërmjet shkallëve të premive të paguara dhe shkallës së premive që do të duheshin të paguhen në bazë të rrezikut faktik.

Neni 931Zgjerimi i fushës së zbatimit të neneve paraprake

Dispozitat e neneve paraprake për pasojat e lajmërimit të pasaktë ose të lënies në heshtje të rrethanave me rëndësi për çmuarjen e rrezikut zbatohen edhe në rastet e sigurimit të kontraktuar në emër dhe për llogari të tjetrit, ose në dobi të të tretit, ose për llogari të huaj, ose për llogari të cilës i përket, në qoftë se këta persona kanë ditur për pasaktësinë e lajmërimit ose për lënien në heshtje të rrethanave me rëndësi për çmuarjen e rrezikut.

Neni 932Rastet në të cilat siguruesi nuk mund të thirret në pasaktësinë ose lajmërimin jo të plotë

1. Siguruesi, i cili në çastin e lidhjes së kontratës ka ditur ose nuk ka mundur të mos ketë qenë në dijeni për rrethanat që kanë rëndësi për vlerësimin e rrezikut, e të cilat kontraktuesi i sigurimit i ka lajmëruar në mënyrë jo të saktë ose i ka lënë në heshtje, nuk mund të thirret në pasaktësinë e lajmërimit ose lënien në heshtje.

2. E njëjta gjë vlen në rastin kur siguruesi të ketë mësuar për këto rrethana gjatë kohës së sigurimit, e që nuk i ka shfrytëzuar autorizimet ligjore. II. PAGIMI I PREMISË

Neni 933Detyra e pagimit dhe e marrjes së premisë

1. Kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë të paguajë preminë e sigurimit, por siguruesi ka për detyrë të pranojë pagimin e premisë prej secilit person që ka interes juridik që ajo të paguhet.

2. Premia paguhet në afatet e kontraktuara, e në qoftë se duhet të paguhet përnjëherë, atëherë paguhet me rastin e lidhjes së kontratës.

3. Vendi i pagimit të premisë është vendi në të cilin kontraktuesi i sigurimit ka selinë ose vendbanimin e vet, në qoftë se në kontratë nuk është caktuar ndonjë vend tjetër.

Neni 934Pasojat e mospagimit të premisë

1. Në qoftë se është kontraktuar që premia të paguhet me rastin e lidhjes së kontratës, detyrimi i siguruesit për të paguar shpërblimin ose shumën e caktuar me kontratë fillon ditën e ardhshme nga data e pagimit të premisë.

2. Në qoftë se është kontraktuar që premia të paguhet pas lidhjes së kontratës, detyrimi i siguruesit për të paguar shpërblimin ose shumën e përcaktuar me kontratë fillon nga data e caktuar me kontratë si ditë e fillimit të sigurimit.

3. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit nuk e paguan preminë që ka arritur për pagesë pas lidhjes së kontratës deri në skadimin e saj, dhe as që e bën këtë ndonjë person i interesuar, kontrata për sigurimin shuhet sipas ligjit, në bazë të drejtës pas skadimit të kohës prej tridhjetë ditësh nga data kur kontraktuesit të sigurimit i është dorëzuar letra e porositur e siguruesit me njoftimin për arritjen për pagesë të premisë, por me kusht që ky afat të mos mund të skadojë para se të kenë kaluar tridhjetë ditë nga data e arritjes për pagesë të premisë.

4. Pas kalimit të afatit kohorë të përcaktuar në paragrafin e tretë të këtij neni, në qoftë se kontraktuesi i sigurimit është në vonesë për të paguar preminë që ka arritur për pagesë pas lidhjes së kontratës, siguruesi mundet të denoncojë kontratën e sigurimit pa paralajmërim, në atë mënyrë që denoncimi i kontratës është efektiv me kalimin e afatit kohorë të përcaktuar në paragrafin e tretë të këtij neni dhe mbarimi i mbulesës së sigurimit në qoftë se kontraktuesit të sigurimit i është dorëzuar letra e porositur e siguruesit me njoftimin për mospagesën e pagesës së arritur dhe se mbulesa e sigurimit do të mbarojë.

5. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit paguan preminë pas afatit të specifikuar në paragrafin 3. të këtij neni, por brenda një (1) viti që kur premia kishte arritur për pagesë, siguruesi do të ketë për detyrim pagimin e shumës së siguruar, gjegjësisht shpërblimin e dëmit në rast të paraqitjes së rastit të siguruar që nga mesnata pasi që premia dhe kamatëvonesa të jetë paguar.

6. Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen në sigurimin e jetës apo të shëndetit. III. NJOFTIMI I SIGURIMIT PËR NDRYSHIMET E RREZIKUT

Neni 935Rritja e rrezikut

1. Kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë, që kur është fjala për sigurimin e pasurisë, ta njoftojë siguruesin për çdo ndryshim të rrethanës që mund të ketë rëndësi për vlerësimin e rrezikut, e kur është fjala për sigurimin e personave, atëherë vetëm në qoftë se rreziku është shtuar për shkak se personi i siguruar ka ndryshuar profesionin.

2. Ai ka për detyrë ta njoftojë pa vonesë siguruesin për rritjen e rrezikut, në qoftë se rritja e rrezikut ka ndodhur pa veprimin e tij, atëherë ka për detyrë ta njoftojë brenda katërmbëdhjetë (14) ditësh pasi të ketë mësur për këtë.

3. Në qoftë se rritja e rrezikut është aq saqë siguruesi nuk do ta lidhte kontratën po të kishte ekzistuar një gjendje e tillë në momentin e lidhjes së saj, ai mund ta zgjidhë kontratën.

4. Në qoftë se shtimi i rrezikut është aq i madh, sa që siguruesi do ta lidhte kontratën vetëm me ndonjë premi më të madhe, po të kishte ekzistuar një gjendje e tillë në çastin e lidhjes së kontratës, ai mund t’i propozojë kontraktuesit të sigurimit shkallën e re të premisë.

5. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit nuk pranon shkallën e re të premisë brenda katërmbëdhjetë (14) ditësh nga dita e marrjes në dorëzim të propozimit të shkallës së re, kontrata shuhet në bazë të ligjit.

6. Kontrata mbetet në fuqi dhe siguruesi nuk mund t’i shfrytëzojë më autorizimet që t’i propozojë kontraktuesit të sigurimit shkallën e re të premisë ose ta zgjidhë kontratën në qoftë se nuk i shfrytëzon këto autorizime brenda një (1) muaji nga data kur të ketë mësuar në cilëndo mënyrë qoftë për rritjen e rrezikut, apo në qoftë se edhe para skadimit të këtij afati shprehet në ndonjë mënyrë se është i pajtimit me zgjatjen e kontratës (në qoftë se pranon preminë, paguan shpërblimin për rastin e siguruar që ka ndodhur pas kësaj rritje e të ngjashme).

Neni 936Kur rasti i siguruar ndodh në ndërkohë

Në qoftë se rasti i siguruar ka ndodhur para se siguruesi të jetë njoftuar për shtimin e rrezikut ose pasi të jetë njoftuar për shtimin e rrezikut, por para se ta ketë zgjidhur kontratën ose të ketë arritur marrëveshjen me kontraktuesin e sigurimit për rritjen e premisë, shpërblimi zvogëlohet në përpjesëtim ndërmjet shkallës së premive të paguara dhe premive që do të duheshin të paguhen sipas rritjes së rrezikut.

Neni 937Zvogëlimi i rrezikut

1. Në rastin kur pas lidhjes së kontratës për sigurimin të ketë ndodhur zvogëlimi i rrezikut, kontraktuesi i sigurimit ka të drejtë të kërkojë zvogëlimin përkatës të premisë, duke llogaritur që nga dita kur për zvogëlimin ta ketë njoftuar siguruesin.

2. Në qoftë se siguruesi nuk është pajtuar me zvogëlimin e premisë, kontraktuesi i sigurimit mund ta zgjidhë kontratën.

Neni 938Detyrimi i njoftimit për paraqitjen e rastit të sigurimit

1. Kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë, përveç në rastin e sigurimit të jetës ta njoftojë siguruesin për paraqitjen e rastit të sigurimit jo më vonë se tri (3) ditë që kur ai vihet në dijeni për këtë.

2. Në qoftë se nuk e kryen këtë detyrim të vet brenda kohës së caktuar, ai ka për detyrë t’ia shpërblejë siguruesit dëmin, të cilin siguruesi do ta kishte për këtë.

Neni 939Nuliteti i dispozitave për humbjen e të drejtave

Janë nule dispozitat e kontratës që parashikojnë humbjen e të drejtave në shpërblim ose në shumën e sigurimit, në qoftë se i siguruari pas shkaktimit të rastit të siguruar nuk i përmbush ndonjë nga detyrimet e parashikuara ose të kontraktuara. NËNKREU 4 DETYRIMET E SIGURUESIT

Neni 940Pagimi i shpërblimit ose i shumës së kontraktuar

1. Kur paraqitet rasti i siguruar, siguruesi ka për detyrë të paguajë shpërblimin ose shumën e caktuar me kontratë në afatin e kontraktuar, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se katërmbëdhjetë (14) ditë, duke llogaritur që nga data kur siguruesi të ketë marrë njoftimin se ka ndodhur rasti i siguruar.

2. Mirëpo, në qoftë se për caktimin e ekzistimit të detyrimit të siguruesit ose të shumës së tij nevojitet një kohë, ky afat fillon të rrjedhë nga dita kur është vërtetuar ekzistimi i detyrimit të tij dhe shuma e tij.

3. Në qoftë se shuma e detyrimit të siguruesit nuk vërtetohet brenda afatit të caktuar në paragrafin 1. të këtij neni, siguruesi ka për detyrë, me kërkesën e personit të autorizuar, ta paguajë shumën e pjesës pakontestuese të detyrimit të vet në emër të paradhënies.

Neni 941Përjashtimi i përgjegjësisë së siguruesit në rastin e paramendimit dhe të mashtrimit

Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit, i siguruari ose shfrytëzuesi e ka shkaktuar rastin e siguruar me dashje ose me mashtrim, siguruesi nuk është i detyruar të japë asgjë dhe dispozita e kundërt kontraktuese nuk ka efekt juridik.

Neni 942Kundërshtimet e siguruesit

1. Kundër kërkesës së prurësit të polisës, si dhe të kërkesës së ndonjë personi tjetër që e invokon atë, siguruesi mund të theksojë të gjitha kundërshtimet që ka lidhur me kontratën ndaj personit me të cilin ka lidhur kontratën mbi sigurimin.

2. Përjashtimisht, kundër kërkesës së personit të tretë në rastin e sigurimit vullnetar nga përgjegjësia dhe të kërkesës së titullarëve të të drejtave të caktuara në sendin e siguruar, e drejtë kjo që ka kaluar në bazë të vetë ligjit në bazë të së drejtës, me asgjësimin ose me dëmtimin e sendit të siguruar në shpërblimin nga sigurimi, siguruesi mund të paraqesë vetëm kundërshtime që janë paraqitur para se të ketë ndodhur rasti i siguruar. NËNKREU 5 KOHËZGJATJA E SIGURIMIT

Neni 943Fillimi i efektit të sigurimit

1. Në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe kontrata mbi sigurimin ka efektet e veta duke filluar që nga mesnata e ditës kur është shënuar në policë si ditë e fillimit të kohëzgjatjes së sigurimit e deri në mbarim të ditës së fundit të afatit për të cilin është kontraktuar sigurimi. Kohëzgjatja e sigurimit konsiderohet që nuk është përcaktuar nëse palët nuk e shkëpusin kontratën para kohës së pagimit të premiumit të përcaktuar në kushtet e sigurimit dhe nëse ekziston një kohëzgjatje në kontratën e sigurimit me mundësi të vazhdimit të kontratës edhe për një kohë të njëjtë.

2. Në qoftë se afati i kohëzgjatjes së sigurimit të pasurisë nuk është caktuar me kontratë, secila palë mund të denoncojë kontratën në ditën e arritshmërisë së premisë, duke njoftuar me shkrim palën më së voni tre (3) muaj para arritshmërisë së premisë.

3. Në qoftë se sigurimi është lidhur në afatin më të gjatë se tri (3) vite, pas kalimit të këtij afati secila palë mundet të denoncojë kontratën, duke e lajmëruar palën tjetër me shkrim në periudhën prej tre (3) muajve.

4. Nuk është e mundur që me anë të kontratës të përjashtohet e drejta e palëve për tu tërhequr nga kontrata, ashtu siç është përcaktuar në paragrafët e mëparshëm.

5. Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen në sigurimin e jetës apo të shëndetit.

Neni 944Ndikimi i falimentimit mbi sigurimin

1. Në rastin e falimentimit të kontraktuesit të sigurimit, sigurimi vazhdon, por secila palë ka të drejtë ta zgjidhë kontratën për sigurimin brenda tre (3) muajsh nga data e hapjes së falimentimit, në të cilin rast masës së falimentimit të kontraktuesve i takon pjesa e premisë së paguar që i përgjigjet kohës së mbetur të sigurimit.

2. Në rastin e falimentimit të siguruesit, kontrata për sigurimin shuhet pasi të kenë kaluar tridhjetë (30) ditë nga data e hapjes së falimentimit. KREU 2 SIGURIMI I PASURISË NËNKREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 945Interesi i sigurimit

1. Sigurimi i pasurisë mund të kontraktohet nga secili person që ka interes që të mos ndodhë ndonjë rast i siguruar, sepse përndryshe do të pësonte ndonjë dëm material.

2. Të drejta nga sigurimi mund të kenë vetëm personat të cilët në momentin e shkaktimit të dëmit kanë pasur interes material që rasti i siguruar të mos ndodhë.

Neni 946Qëllimi i sigurimit të pasurisë

1. Me sigurimin e pasurisë sigurohet shpërblimi për dëmin që do të ndodhte në pasurinë e të siguruarit për shkak të paraqitjes së rastit të siguruar.

2. Shuma e shpërblimit nuk mund të jetë më e madhe nga sa është dëmi që ka pësuar i siguruari nga paraqitja e rastit të siguruar.

3. Në sigurimin e të mbjellurave dhe të fruteve e të produkteve të tjera të tokës shuma e dëmit përcaktohet duke marrë parasysh vlerën që do të kishin në kohën e grumbullimit, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe.

4. Të vlefshme janë dispozitat e kontratës me të cilën shuma e shpërblimit kufizohet në një shumë më të vogël nga sa është shuma e dëmit.

5. Në rastin e vërtetimit të shumës së dëmit merret në konsiderim fitimi i humbur vetëm në qoftë se kjo është kontraktuar.

6. Në qoftë se gjatë së njëjtës periudhë të sigurimit ndodhin disa raste të siguruara njëri pas tjetrit, shpërblimi nga sigurimi për secilin prej tyre caktohet dhe paguhet tërësisht duke marrë parasysh krejt shumën e sigurimit, pa zbritjen e saj për aq sa është shuma e shpërblimeve të mëparshme të paguara në atë periudhë.

7. Në qoftë se me kontratën mbi sigurimin vlera e sendit të siguruar është përcaktuar në marrëveshje, shpërblimi caktohet sipas kësaj vlere, përveç nëse siguruesi provon se vlera e kontraktuar është shumë më e madhe nga sa është vlera efektive dhe në qoftë se për këtë diferencë nuk ekziston ndonjë arsye e bazuar (si për shembull, sigurimi i sendit të përdorur në vlerën e sendit të tillë të ri, ose sigurimi i vlerës subjektive).

Neni 947Parandalimi i rastit të siguruar dhe shpëtimi

1. I siguruari ka për detyrë të marrë masa të parashikuara, të kontraktuara dhe të gjitha masat e tjera të nevojshme për të parandaluar paraqitjen e rastit të siguruar, e në qoftë se rasti i siguruar shkaktohet, atëherë ka për detyrë të marrë çdo gjë që varet prej tij për të bërë që të kufizohen pasojat e dëmshme të tij.

2. Siguruesi ka për detyrë t’i shpërblejë shpenzimet, humbjet si dhe dëmet e tjera të shkaktuara nga orvatja e arsyeshme për të mënjanuar rrezikun e drejtpërdrejtë të shkaktimit të rastit të siguruar, si dhe me tentimin që të kufizohen pasojat e dëmshme të tij edhe atëherë kur këto tentime kanë qenë pa sukses.

3. Siguruesi ka për detyrë ta japë këtë shpërblim, edhe në qoftë se ky së bashku me shpërblimin e dëmit nga rasti i siguruar tejkalon shumën e sigurimit.

4. Në qoftë se i siguruari nuk e përmbush detyrimin e vet të parandalimit të rastit të siguruar ose detyrimin e shpëtimit, ndërsa se për këtë nuk ka justifikim, detyrimi i siguruesit zvogëlohet aq sa është paraqitur dëmi më i madh për shkak të kësaj mospërmbushje.

Neni 948Lënia e sendit të dëmtuar që është siguruar

Në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe, i siguruari nuk ka të drejtë që pas paraqitjes së rastit të siguruar t’ia lejë siguruesit sendin e siguruar të dëmtuar dhe të kërkojë prej tij pagimin e shumës së plotë të sigurimit.

Neni 949Shkatërrimi i sendit për shkak të ngjarjes që nuk është parashikuar në polisë

1. Në qoftë se sendi i siguruar, ose sendi i lidhur me përdorimin e të cilit është kontraktuar sigurimi nga përgjegjësia, shkatërrohet gjatë periudhës së sigurimit për shkak të ndonjë ngjarjeje që nuk është parashikuar në polisë , kontrata nuk ka më fuqi dhe siguruesi ka për detyrë t’i kthejë kontraktuesit të sigurimit pjesën e premisë në përpjesëtim me kohën e mbetur.

2. Kur një nga disa sende të përfshira me një kontratë shkatërrohet për shkak të ndonjë ngjarje që nuk është parashikuar në polisë , sigurimi mbetet në fuqi edhe më tutje përsa i përket sendeve të tjera kundrejt ndryshimeve të nevojshme për shkak të zvogëlimit të objektit të sigurimit. NËNKREU 2 KUFIZIMI I RREZIQEVE TË SIGURUARA

Neni 950Dëmet e mbuluara nga sigurimi

1. Siguruesi ka për detyrë t’i shpërblejë dëmet e shkaktuara rastësisht ose për faj të kontraktuesit të sigurimit të siguruarit ose të shfrytëzuesit të sigurimit, përveç nëse për dëmin e shkaktuar ky detyrim i tij është përjashtuar shprehimisht me kontratën për sigurimin.

2. Ai nuk përgjigjet për dëmin e shkaktuar me dashje nga këta persona, kështu që është nule dispozita në polisë që do të parashikonte përgjegjësinë e tij edhe në këtë rast.

3. Në qoftë se do të realizohet rasti i siguruar, siguruesi ka për detyrë ta shpërblejë secilin dëm të shkaktuar nga ana e ndonjë personi, për veprimet e të cilit i siguruari përgjigjet mbi cilëndo bazë qoftë, pavarësisht nëse dëmi është shkaktuar ose jo nga pakujdesia ose me dashje.

Neni 951Dëmet e shkaktuara nga të metat e sendit të siguruar

Siguruesi nuk përgjigjet për dëmin në sendin e siguruar që rrjedh nga të metat e tij, përveç nëse është kontraktuar ndryshe.

Neni 952Dëmet e shkaktuara nga operacionet e luftës dhe kryengritjet

1. Siguruesi nuk ka për detyrë t’i shpërblejë dëmet e shkaktuara nga operacionet e luftës ose kryengritjet, përveç nëse është kontraktuar ndryshe.

2. Siguruesi ka për detyrë të provojë se dëmi është shkaktuar nga ndonjë prej këtyre ngjarjeve. NËNKREU 3 MBISIGURIMI DHE KONTRATA ME DISA SIGURUES

Neni 953Mbisigurimi

1. Në qoftë se kur lidhet kontrata njëra palë përdorë mashtrimin dhe në këtë mënyrë kontrakton shumën e sigurimit më të madhe nga sa është vlera efektive e sendit të siguruar, pala tjetër mund të kërkojë anulimin e kontratës.

2. Në qoftë se shuma e kontraktuar e sigurimit është më e madhe nga sa është vlera e sendit të siguruar, ndërsa asnjëra nga palët nuk ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të pandershme, kontrata mbetet në fuqi, shuma e sigurimit zbritet deri në shumën e vlerës efektive të sendit të siguruar, kurse premitë zvogëlohen përpjesëtimisht.

3. Në të dy rastet siguruesi i ndërgjegjshëm mban premitë e marra dhe ka të drejtë në preminë e pazvogëluar për periudhën vijuese.

Neni 954Zvogëlimi i mëvonshëm i vlerës

Në qoftë se vlera e siguruar zvogëlohet për kohën e afatit të sigurimit, secila palë kontraktuese ka të drejtë në zbritjen përkatëse të shumës së sigurimit dhe të premisë, duke filluar nga data kur ia ka komunikuar palës tjetër kërkesën e vet për zbritje.

Neni 955Sigurimi i shumëfishtë dhe i dyfishtë

1. Në qoftë se ndonjë objekt është siguruar pranë dy ose më tepër siguruesve kundër të njëjtit rrezik për të njëjtin interes dhe për të njëjtën kohë, kështu që shuma totale e sigurimit nuk tejkalon vlerën e këtij sendi (sigurimi i shumëfishtë), secili sigurues përgjigjet për zbatimin në tërësi të detyrimeve të krijuara nga kontrata që ka lidhur ai.

2. Në qoftë se shuma totale e sigurimit e tejkalon vlerën e sendit të siguruar (sigurimi i dyfishtë), ndërsa kontraktuesi i sigurimit nuk ka vepruar me ndërgjegje, të gjitha këto sigurime janë të vlefshme dhe secili sigurues ka të drejtë në preminë e kontraktuar për periudhën e sigurimit në vazhdim, ndërsa siguruesi ka të drejtë të kërkojë prej secilit sigurues të veçantë shpërblimin sipas kontratës së përfunduar me të, por gjithsej jo më tepër se sa është shuma e dëmit.

3. Kur ndodh rasti i siguruar, kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë ta njoftojë për këtë secilin sigurues të të njëjtit rrezik dhe t’i komunikojë emrat dhe adresat e siguruesve të tjerë, si dhe shumat e sigurimit të kontratave të veçanta të përfunduara me këta.

4. Pasi shpërblimi t’i paguhet të siguruarit, secili sigurues përballon pjesën e shpërblimit në përpjesëtimin në të cilin qëndron shuma e sigurimit në të cilën është detyruar ai ndaj shumës totale të sigurimit, kështu që siguruesi që ka paguar më tepër ka të drejtë të kërkojë nga siguruesit e tjerë shpërblimin për shumën e paguar më tepër.

5. Në qoftë se ndonjë kontratë është lidhur pa e treguar shumën e sigurimit, ose kundrejt mbulimit të pakufizuar, konsiderohet si kontratë e lidhur kundrejt shumës më të lartë të sigurimit.

6. Për pjesën e siguruesit i cili nuk mund të paguajë, përgjigjen siguruesit e tjerë përpjesëtimisht me pjesët e tyre.

7. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka lidhur kontratën e sigurimit me të cilën është krijuar sigurimi i dyfishtë, duke mos ditur për sigurimin e përfunduar më parë, ai mundet, pavarësisht nëse sigurimin e mëparshëm e ka lidhur ai apo ndokush tjetër, brenda një muaji nga dita kur ka mësuar për këtë sigurim, të kërkojë zbritjen përkatëse të shumës së sigurimit dhe të premisë së sigurimit të mëvonshëm, por siguruesi mban premitë e marra dhe ka të drejtë në preminë për periudhën vijuese.

8. Në qoftë se sigurimi i dyfishtë është realizuar për shkak të zvogëlimit të vlerës së objektit të sigurimit gjatë kohës së afatit të sigurimit, kontraktuesi i sigurimit ka të drejtë në zbritjet përkatëse të shumave të sigurimit dhe të premive, duke filluar që nga dita kur ia ka komunikuar siguruesit kërkesën e vet për zbritje.

9. Në qoftë se gjatë krijimit të sigurimit të dyfishtë kontraktuesi i sigurimit ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme, secili sigurues mund të kërkojë anulimin e kontratës, të mbajë premitë e marra dhe të kërkojë preminë e pazvogëluar për periudhën vijuese.

Neni 956Bashkësigurimi

Kur kontrata për sigurimin është lidhur me disa sigurues që janë marrë vesh mbi përballimin dhe shpërndarjen e përbashkët të rrezikut, secili sigurues i shënuar në polisën e sigurimit përgjigjet para të siguruarit për shpërblimin e plotë. NËNKREU 4 NËNSIGURIMI

Neni 957Nënsigurimi

1. Kur të vërtetohet se në fillim të periudhës respektive të sigurimit vlera e sendit të sigurimit ka qenë më e madhe nga sa është shuma e sigurimit, shuma e shpërblimit që ka borxh siguruesi zvogëlohet përpjesëtimisht, përveç nëse është kontraktuar ndryshe.

2. Siguruesi ka për detyrë të japë shpërblim të plotë deri në shumën e sigurimit, në qoftë se është kontraktuar që raporti midis vlerës së sendit dhe shumës së sigurimit të mos ketë rëndësi për caktimin e shumës së shpërblimit. NËNKREU 5 KALIMI I KONTRATËS DHE PAGIMI I KOMPENSIMIT NGA SIGURIMI TJETRIT

Neni 958Kalimi i kontratës në përfituesin e sendit të siguruar

1. Në rastin e tjetërsimit të sendit të siguruar si dhe të sendeve lidhur me përdorimin e të cilave është kontraktuar sigurimi nga përgjegjësia, të drejtat dhe detyrimet e kontraktuesit të sigurimit kalojnë vetvetiu në bazë të ligjit në përfituesin, përveç nëse është kontraktuar ndryshe.

2. Në qoftë se është tjetërsuar vetëm një pjesë e sendeve të siguruara, të cilat lidhur me sigurimin nuk përbëjnë tërësi të veçantë, kontrata mbi sigurimin pushon në bazë të ligjit lidhur me sendet e tjetërsuara.

3. Në rastin kur për shkak të tjetërsimit të sendeve shtohet ose zvogëlohet mundësia e paraqitjes së rastit të siguruar, zbatohen dispozitat e përgjithshme mbi shtimin ose mbi zvogëlimin e rrezikut.

4. Kontraktuesi i sigurimit, i cili nuk e njofton siguruesin se sendi i siguruar është tjetërsuar, mbetet në detyrim për pagimin e premive që rrjedhin për pagesë edhe pas ditës së tjetërsimit.

5. Siguruesi dhe përfituesi i sendit të siguruar mund të heqin dorë nga sigurimi me afat denoncimi prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh me kusht që denoncimin ta kenë për detyrë ta paraqesin jo më tepër se brenda tridhjetë (30) ditësh nga data kur të kenë mësuar për denoncimin.

6. Kontrata për sigurimin nuk mund të zgjidhet në qoftë se polisa e sigurimit është lëshuar në prurësin ose sipas urdhërit.

Neni 959Akordimi i kompensimit titullarëve të pengut dhe të të drejtave të tjera

1. Pas paraqitjes së rastit të siguruar, të drejtat e pengut dhe të drejtat e tjera që kanë ekzistuar më përpara në sendin e siguruar kanë si objekt shpërblimin në borxh si në rastin e sigurimit të sendit vetjak, ashtu edhe në rastin e sigurimit të sendeve të huaja për shkak të detyrimit të ruajtjes e të kthimit të tyre, kështu që siguruesi nuk mund t’ia paguajë shpërblimin të siguruarit pa pëlqimin e titullarëve të këtyre të drejtave.

2. Këta persona mund të kërkojnë drejtpërdrejt nga siguruesi, që në kuadrin e shumës së sigurimit dhe sipas radhës ligjore t’u paguajë kërkesat e tyre.

3. Në qoftë se në çastin e pagesës, siguruesi nuk ishte në dijeni dhe as që duhet të dinte për këto të drejta, pagesa e bërë e kompensimit siguruesit mbetet e vlefshme. NËNKREU 6 KALIMI I TË DREJTAVE TË SIGURUARIT NDAJ PERSONIT PËRGJEGJËS NË SIGURUESIN (SUBROGIMI)

Neni 960Subrogimi

1. Me pagimin e shpërblimit nga sigurimi kalojnë në siguruesin në bazë të ligjit deri në shumën e shpërblimit të paguar të gjitha të drejtat e të siguruarit kundrejt të gjithë personave, të cilët mbi çfarëdo baze janë përgjegjës për dëmin.

2. Në qoftë se për faj të të siguruarit është bërë i pamundur ky kalim i të drejtave në sigurues tërësisht ose pjesërisht, siguruesi shkarkohet në masën përkatëse nga detyrimi i vet ndaj të siguruarit.

3. Kalimi i të drejtave nga i siguruari në sigurues nuk mund të jetë në dëmin e të siguruarit, kështu që në qoftë se shpërblimi të cilin e ka marrë i siguruari nga siguruesi për cilindo shkak qoftë është më i vogël nga sa është dëmi që ka pësuar, i siguruari ka të drejtë që prej pasurisë së personit përgjegjës t’i paguhet mbetja e kompensimit përpara kërkesës së siguruesit në bazë të të drejtave që janë kaluar në të.

4. Përjashtimisht nga rregullat mbi kalimin e të drejtave të të siguruarit në siguruesin, këto të drejta nuk kalohen në siguruesin, në qoftë se dëmin e ka shkaktuar personi në gjini në vijë të drejtë me të siguruarin, ose personi për sjelljet e të cilit përgjigjet siguruesi apo i cili bashkëjeton me të në të njëjtën ekonomi shtëpiake, ose personi që është punëtor i të siguruarit, përveç nëse këta persona e kanë shkaktuar dëmin me dashje.

5. Në qoftë se dikush nga personat e përmendur në paragrafin paraprak ka qenë i siguruar nga përgjegjësia, siguruesi mund të kërkojë nga siguruesi i tij kompensimin e shumës që i ka paguar të siguruarit. NËNKREU 7 SIGURIMI NGA PËRGJEGJËSIA

Neni 961Përgjegjësia e siguruesit

1. Në rastin e sigurimit nga përgjegjësia, siguruesi përgjigjet për dëmin e shkaktuar nga rasti i siguruar vetëm në qoftë se personi i tretë i dëmtuar kërkon kompensimin e tij.

2. Siguruesi përballon në kuadrin e shumës së sigurimit shpenzimet e kontestit për përgjegjësinë e siguruesit.

Neni 962E drejta personale e të dëmtuarit dhe padia direkte

1. Në rastin e sigurimit nga përgjegjësia, personi i dëmtuar mund të kërkojë drejtpërdrejt nga siguruesi shpërblimin e dëmit që ka pësuar nga ngjarja për të cilën përgjigjet siguruesi, por jo më tepër se deri në shumën e detyrimit të siguruesit.

2. Personi i dëmtuar ka të drejtën personale në shpërblimin nga sigurimi që nga momenti kur ka ndodhur rasti i siguruar, kështu që çdo ndryshim i mëvonshëm për të drejtat e të siguruarit ndaj siguruesit nuk ka ndikim në të drejtën e personit të dëmtuar në shpërblim. KREU 3 SIGURIMI I PERSONAVE NËNKREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 963Përcaktimi i shumës së siguruar

Në kontratat për sigurimin e personave (sigurimi i jetës dhe sigurimin ndaj rastit të fatkeqësisë), shuma e sigurimit të cilën siguruesi ka për detyrë ta paguajë kur lind rasti i siguruar, përcaktohet në polisë sipas marrëveshjes së palëve kontraktuese.

Neni 964Polisa e sigurimit të jetës

1. Përpos pjesëve përbërëse që duhet t’i ketë çdo polisë, në polisën e sigurimit të jetës duhet të shënohen: emri dhe mbiemri i personit në jetën e të cilit shtrihet sigurimi, datëlindja e tij, ngjarja ose afati nga i cili varet paraqitja e të drejtës për të kërkuar pagimin e shumës së siguruar.

2. Polisa e sigurimit të jetës mund të jetë e shënuar në personin e caktuar, të jetë e shënuar sipas urdhërit, por nuk mund të shënohet në prurësin.

3. Për vlefshmërinë e indosamentit të polisës sipas urdhërit nevojitet të përmbajë emrin e shfrytëzuesit, datën e indosimit dhe nënshkrimin e indosantit.

Neni 965Paraqitja e pasaktë e moshës së të siguruarit

1. Përjashtimisht nga dispozitat e përgjithshme të këtij kreu mbi pasojat e paraqitjes të pasakta dhe mbi lënien në heshtje të rrethanave me rëndësi për çmuarjen e rrezikut, për kallëzime të pasakta mbi moshën në kontratat mbi sigurimin e jetës vlejnë këto rregulla:

1.1. kontrata mbi sigurimin e jetës është nule dhe siguruesi ka për detyrë që në çdo rast t’i kthejë të gjitha premitë e marra, në qoftë se me rastin e lidhjes së saj është kallëzuar në mënyrë të pasaktë mosha e të siguruarit, ndërsa mosha faktike e tij kalon kufirin e moshës deri ku siguruesi sipas kushteve të veta dhe tarifave bën sigurimin e jetës;

1.2. në qoftë se është paraqitur në mënyrë jo të saktë se i siguruari ka më pak vjet, ndërsa mosha faktike e tij nuk e kalon kufirin deri ku siguruesi bën sigurimin e jetës, kontrata është e vlefshme, ndërsa shuma e siguruar zvogëlohet në përpjesëtim me preminë e kontraktuar dhe me premitë e parashikuara për sigurimin e jetës së personave të moshës së personit të siguruar;

1.3. kur i siguruari ka më pak vjet nga sa është paraqitur me rastin e lidhjes së kontratës, premia zvogëlohet në shumën përkatëse, ndërsa siguruesi ka për detyrë ta kthejë diferencën midis premive të marra dhe premive në të cilat ka të drejtë.

Neni 966Pasojat e mospagimit të premisë dhe zvogëlimi i shumës së siguruar

1. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit të jetës nuk paguan ndonjë premi kur rrjedh për pagesë, siguruesi nuk ka të drejtë që pagimin e saj të kërkojë në rrugë gjyqësore.

2. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit me ftesën e siguruesit, e cila i duhet dorëzuar me letër të porositur, nuk e paguan preminë e rrjedhur për pagesë brenda afatit të caktuar në këtë letër, e që nuk mund të jetë më i shkurtër se një (1) muaj, duke llogaritur që nga dita kur i është dorëzuar letra, dhe as që e bën këtë ndonjë person tjetër i interesuar, siguruesi mundet vetëm, në qoftë se gjer atëherë janë paguar të paktën tri (3) premitë vjetore t’i deklarojë kontraktuesit të sigurimit se e zvogëlon shumën e siguruar në shumën e vlerës riblerëse të sigurimit, e në rastin e kundërt se e zgjidh kontratën.

3. Në qoftë se rasti i siguruar ka ndodhur përpara zgjidhjes së kontratës ose zvogëlimit të shumës së siguruar, konsiderohet sikundër të jetë zvogëluar shuma e siguruar, respektivisht sikur kontrata të jetë zgjidhur, varësisht nga fakti nëse premitë janë paguar të paktën për tri (3) vjet ose jo.

Neni 967Sigurimi i personit të tretë

1. Sigurimi i jetës mund të shtrihet në jetën e kontraktuesit të sigurimit, por mund të shtrihet edhe në jetën e ndonjë personi të tretë.

2. E njëjta gjë vlen edhe për sigurimin kundër rastit të fatkeqësisë.

3. Në qoftë se sigurimi shtrihet në rastin e vdekjes së ndonjë të treti, për vlefshmërinë e kontratës nevojitet pëlqimi i dhënë me shkrim prej tij i shënuar në polisë ose në dokumentin e veçantë, në rastin e nënshkrimit të polisës duke shënuar shumën e siguruar.

Neni 968Sigurimi në rastin e vdekjes së personit të mitur dhe personit me aftësi të kufizuar për të

vepruar

1. Është i pavlefshëm sigurimi për rastin e vdekjes së personit të tretë me moshë nën katërmbëdhjetë (14) vjeç si dhe i personave të paaftë për të vepruar, kështu që siguruesi ka për detyrë t’i kthejë kontraktuesit të sigurimit të gjitha premitë e marra në bazë të kontratës së këtillë.

2. Për vlefshmërinë e sigurimit për rastin e vdekjes së personit të tretë më të vjetër se katërmbëdhjetë (14) vjeç nevojitet pëlqimi me shkrim i përfaqësuesit të tij ligjor si dhe pëlqimi me shkrim i çdo personi të siguruar.

Neni 969Kumulimi i kompensimit dhe i shumës së siguruar

1. Në sigurimin e personave, siguruesi që ka paguar shumën e siguruar nuk mund të ketë në asnjë bazë të drejtë në shpërblim nga personi i tretë përgjegjës për shkaktimin e rastit të siguruar.

2. E drejta në shpërblim nga personi i tretë përgjegjës për paraqitjen e rastit të siguruar i takon siguruesit respektivisht shfrytëzuesit, pavarësisht nga e drejta e tij në shumën e siguruar.

3. Dispozitat e paragrafëve paraprake nuk shtrihen në rastin, kur sigurimi kundër pasojave të rastit të fatkeqësisë është kontraktuar si sigurim kundër përgjegjësisë. NËNKREU 2 RREZIQET E PËRJASHTUARA

Neni 970Vetëvrasja e të siguruarit

1. Me kontratën për sigurimin për rastin e vdekjes nuk është përfshirë rreziku i vetëvrasjes të të siguruarit, në qoftë se ka ndodhur në vitin e parë të sigurimit.

2. Në rastin kur vetëvrasja ka ndodhur brenda tre (3) vjetësh nga data e lidhjes së kontratës, siguruesi nuk ka për detyrë t’i paguajë shfrytëzuesit shumën e siguruar, por vetëm rezervën matematikore të kontratës.

Neni 971Vrasja me dashje e të siguruarit

Siguruesi lirohet nga detyrimi që shfrytëzuesit t’i paguajë shumën e siguruar, në qoftë se ky e ka shkaktuar me dashje vdekjen e të siguruarit, por ka për detyrë në qoftë se deri atëherë janë paguar të paktën tri (3) premi vjetore, të paguajë rezervën matematikore të kontratës kontraktuesit të sigurimit, e në qoftë se ky është i siguruari atëherë trashëgimtarëve të tij.

Neni 972Shkaktimi me dashje i rastit të fatkeqësisë

Siguruesi lirohet nga detyrimi i kontratës mbi sigurimin kundër rastit të fatkeqësisë, në qoftë se i siguruari e ka shkaktuar me dashje rastin e fatkeqësisë.

Neni 973Operacionet e luftës

1. Në qoftë se vdekja e të siguruarit është shkaktuar nga operacionet e luftës, siguruesi, në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër, nuk ka për detyrë t’i paguajë shfrytëzuesit të sigurimit shumën e siguruar, por ka për detyrë t’i paguajë rezervën matematikore nga kontrata.

2. Në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër, siguruesi lirohet nga detyrimi prej kontratës mbi sigurimin kundër rastit të fatkeqësisë, në qoftë se rasti i fatkeqësisë është shkaktuar nga operacionet e luftës.

Neni 974Përjashtimi kontraktues i rrezikut

Me kontratën për sigurimin për rastin e vdekjes ose të rastit të fatkeqësisë mund të përjashtohen nga sigurimi dhe rreziqet e tjera. NËNKREU 3 TË DREJTAT E KONTRAKTUESIT TË SIGURIMIT PARA SHKAKTIMIT TË RASTIT TË SIGURUAR

Neni 975Riblerja

1. Me kërkesën e kontraktuesit të sigurimit të jetës, të përfunduar për tërë jetën e të siguruarit, siguruesi ka për detyrë t’i paguajë vlerën riblerëse të policës, në qoftë se gjer atëherë janë paguar të paktën tri (3) premitë vjetore.

2. Në polisë duhet të shënohen kushtet në të cilat kontraktuesi mund të kërkojë pagimin e vlerës së saj riblerëse si dhe mënyrën se si të përllogaritet kjo vlerë në pajtim me kushtet e sigurimit.

3. Të drejtën e kërkesës së riblerjes nuk mund ta ushtrojnë kreditorët e kontraktuesit të sigurimit si dhe shfrytëzuesit e sigurimit, por vlera riblerëse do t’i paguhet shfrytëzuesit me kërkesën e tij, në qoftë se caktimi i shfrytëzuesit është e parevokueshëm.

4. Përjashtimisht nga paragrafi paraprak, riblerja e polisës mund të kërkohet nga kreditori të cilit polisa i është dorëzuar në peng, në qoftë se kërkesa për sigurimin e së cilës është dhënë pengu nuk paguhet në afatin e rrjedhjes së saj për pagesë.

Neni 976Paradhënia

1. Me kërkesën e kontraktuesit të sigurimit të jetës, të përfunduar për krejt jetën e të siguruarit, siguruesi mund t’i parapaguajë pjesën e shumës së siguruar deri në shumën e vlerës riblerëse të polisës, të cilën kontraktuesi i sigurimit mund ta kthejë më vonë.

2. Mbi paradhënien e marrë kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë të paguajë kamatë të caktuar.

3. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit vonon me pagimin e kamatës së rrjedhur për pagesë do të veprohet sikundër të ketë kërkuar riblerje.

4. Në polisën e sigurimit duhet të shënohen kushtet e dhënies së paradhënies, mundësia që shuma e marrë në emër të paradhënies t’i kthehet siguruesit, shuma e shkallës së kamatës, pasojat e mospagimit të kamatës së rrjedhur për pagesë, sikundër është caktuar në kushtet e sigurimit.

Neni 977Lënia peng e polisës

1. Polisa e sigurimit të jetës mund të lihet peng.

2. Lënia peng e polisës ka efekt ndaj siguruesit vetëm në qoftë se është njoftuar me shkrim se polisa i është lënë peng kreditorit të caktuar.

3. Kur polisa është shënuar sipas urdhërit, lënia peng bëhet me indosament. NËNKREU 4 SIGURIMI I JETËS NË DOBI TË PERSONIT TË TRETË

Neni 978Caktimi i shfrytëzuesit

1. Kontraktuesi i sigurimit të jetës mundet në kontratë si edhe me ndonjë veprim juridik të mëvonshëm qoftë edhe me testament ta caktojë personin të cilit do t’i takojnë të drejtat nga kontrata.

2. Në qoftë se sigurimi shtrihet në jetën e ndonjë personi tjetër për caktimin e shfrytëzuesit nevojitet edhe aprovimi i tij me shkrim.

3. Shfrytëzuesi nuk nevojitet medoemos të caktohet sipas emrit, por mjafton në qoftë se akti përmban të dhënat e domosdoshme për caktimin e tij.

4. Kur si shfrytëzues janë caktuar fëmijët ose pasardhësit, dobia u takon edhe të paslindurëve, ndërsa dobia e destinuar bashkëshortit i takon personit që ka qenë në martesë me të siguruarin në çastin e vdekjes së tij.

Neni 979Pjesëtimi i dobisë midis disa shfrytëzuesve

Kur si shfrytëzues janë caktuar fëmijët, pasardhësit dhe në përgjithësi trashëgimtarët, në qoftë se kontraktuesi i sigurimit nuk ka caktuar se si do të bëhet pjesëtimi midis tyre, pjesëtimi do të bëhet përpjesëtimisht me pjesët e tyre trashëgimore, e në qoftë se shfrytëzuesit nuk janë trashëgimtarë, shuma e siguruar do të pjesëtohet në pjesë të barabarta.

Neni 980Revokimi i dispozitës për caktimin e shfrytëzuesve

1. Dispozitën me të cilën dobia nga sigurimi i caktohet personit të caktuar mund të revokohet vetëm nga kontraktuesi i sigurimit, dhe këtë të drejtë të tij nuk mund ta ushtrojnë as kreditorët e tij dhe as trashëgimtarët ligjorë të tij.

2. Kontraktuesi i sigurimit mund ta revokojë dispozitën mbi dobinë gjithnjë gjersa shfrytëzuesi të mos deklarojë në cilëndo mënyrë qoftë se e pranon, kur ajo bëhet e parevokueshme.

3. Kontraktuesi mund ta revokojë dispozitën mbi dobinë edhe pas deklaratës së shfrytëzuesit se e pranon, në qoftë se shfrytëzuesi ka tentuar vrasjen e të siguruarit, e në qoftë se dobia është akorduar pa shpërblim, për revokim vlejnë edhe dispozitat mbi revokimin e dhuratës.

4. Konsiderohet se shfrytëzuesi e ka refuzuar dobinë që i është destinuar, në qoftë se pas vdekjes së kontraktuesit të sigurimit me thirrjen e trashëgimtarëve të tij nuk deklarohet brenda një muaji se a pranon.

Neni 981E drejta personale dhe e drejtpërdrejtë e shfrytëzuesit

1. Shuma e siguruar, e cila duhet t’i paguhet shfrytëzuesit nuk hyn në pjesën trashëgimore të kontraktuesit të sigurimit dhe as atëherë kur si shfrytëzues janë caktuar trashëgimtarët e tij.

2. E drejta në shumën e siguruar i takon vetëm shfrytëzuesit, e pikërisht nga lidhja e kontratës së sigurimit dhe pavarësisht se si dhe kur është caktuar si shfrytëzues, e pavarësisht nëse ka deklaruar aprovimin e vet përpara ose pas vdekjes së të siguruarit, kështu që mund t’i drejtohet drejtpërdrejt siguruesit me kërkesën që t’i paguhet shuma e siguruar.

3. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka caktuar si shfrytëzues fëmijët e vet, pasardhësit ose trashëgimtarët e vet, në përgjithësi secili shfrytëzues, të caktuar kështu, i takon e drejta në pjesën përkatëse të shumës së siguruar megjithëse heq dorë nga trashëgimia.

Neni 982Kreditori i kontraktuesit të sigurimit dhe të siguruarit

1. Kreditorët e kontraktuesit të sigurimit dhe të të siguruarit nuk kanë asnjë të drejtë në shumën e siguruar të kontraktuar për shfrytëzues.

2. Në qoftë se premitë që i ka derdhur kontraktuesi i sigurimit kanë qenë përpjesëtimisht shumë të mëdha në krahasim me mundësitë e tij në çastin kur janë derdhur, kreditorët e tij mund të kërkojnë që t’u dorëzohet pjesa e premisë e cila tejkalon mundësitë e tij, nëse janë përmbushur kushtet në të cilat kreditorët kanë të drejtë në kundërshtimin e veprimeve juridike të debitorit.

Neni 983Cedimi i shumës së siguruar

Të drejtën e vet në shumën e siguruar shfrytëzuesi mundet t’ia kalojë tjetrit edhe përpara rastit të siguruar, por për këtë i nevojitet pëlqimi me shkrim i kontraktuesve të sigurimit, ku duhet të shënohet emri i personave të cilëve u kalohet e drejta, e në qoftë se sigurimi shtrihet në jetën e ndonjë personi tjetër, atëherë nevojitet i njëjti pëlqim edhe i këtij personi.

Neni 984Kur shfrytëzuesi i caktuar vdes përpara rrjedhjes së shumës për pagesë

Kur personi i cili pa shpërblim është caktuar si shfrytëzues vdes para arritjes së shumës së siguruar apo të rentës, dobia nga sigurimi nuk u takon trashëgimtarëve të tij, por shfrytëzuesit pasardhës, e në qoftë se ky nuk është caktuar, atëherë pasurisë së kontraktuesit të sigurimit.

Neni 985Sigurimi për rast vdekjeje pa shfrytëzues të caktuar

Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit për rastin e vdekjes nuk e cakton shfrytëzuesin, apo në qoftë se dispozita mbi caktimin e shfrytëzuesit mbetet pa efekt për shkak të revokimit, apo për shkak të refuzimit të personit të caktuar, ose cilido shkak tjetër, ndërsa kontraktuesi i sigurimit nuk cakton shfrytëzues tjetër, shuma e siguruar i takon pasurisë së kontraktuesit të sigurimit dhe si pjesa e saj kalon me të drejtat e tjera të tij në trashëgimtarët e tij.

Neni 986Pagimi i ndërgjegjshëm i shumës së siguruar personit të paautorizuar

1. Kur siguruesi ia paguan shumën e siguruar personit i cili do të kishte të drejtë në të po të mos ta kishte caktuar shfrytëzuesin kontraktuesi i sigurimit, ky lirohet nga detyrimi prej kontratës mbi sigurimin në qoftë se në momentin e kryerjes së pagesës nuk ka ditur dhe as që ka mundur ta dinte se shfrytëzuesi është caktuar me testament ose me ndonjë akt tjetër, i cili nuk i është dorëzuar, ndërsa shfrytëzuesi ka të drejtë të kërkojë kthimin nga personi që ka pranuar shumën e siguruar.

2. E njëjta gjë vlen në rastin e ndërrimit të shfrytëzuesit. PJESA XXV KONTRATA PËR ORTAKËRINË

Neni 987Nocioni

Ortakëria është bashkim me kontratë i dy ose më shumë personave (ortakëve) për arritjen e ndonjë qëllimi të përbashkët të lejuar nga e drejta, me punë ose mjete të përbashkëta të caktuara me kontratë.

Neni 988Kontributet

1. Në ortakëri, secili ortak është i detyruar të kontribuojë për atë që është përcaktuar në kontratë (kontributi).

2. Kontributi mund të jetë në para, send, e drejtë, kërkesë, ose shërbim, e ardhur apo lejimi i vlerës së pajisjeve.

3. Ortakët përveç kur parashihet ndryshe me kontratë, kanë për detyrë të japin kontribut të barabartë.

4. Në formë të kontributit në ortakëri, mund të jepet edhe prona për përdorim dhe shfrytëzim.

5. Nëse ndonjërit prej ortakëve i sigurohen vetëm përfitime pa detyrimin që të ofrojë kontribut, atëherë kjo kontratë nuk konsiderohet ortakëri.

6. Nëse është e nevojshme ruajtja e mjeteve të ortakërisë apo për të shmangur dëmin, secili ortak është i detyruar të kontribuojë në pjesë proporcionale të asaj që është e nevojshme për ruajtjen e mjeteve apo parandalimin e dëmit, përveç kontributit të përcaktuar në kontratë.

7. Secili ortak është përgjegjës si shitësi për të metat juridike dhe materiale të kontributit të tij.

Neni 989Vendimet e ortakëve dhe udhëheqja

1. Secili ortak ka një votë. Me anë të kontratës mund të përcaktohet që ortakët të kenë numër të ndryshëm votash.

2. Për punët e ortakërisë, ortakët marrin vendimet në mënyrë unanime. Sipas kësaj mënyre, ortakët vendosin sidomos për përdorimin e fitimit dhe përfitimeve tjera, për mënyrën se si të mbulohet humbja, për pranimin e një ortaku të ri apo përjashtimin e ndonjë ortaku ekzistues, për kërkesat e secilit ortak në lidhje me dëmet ndaj ortakërisë, shkarkimin e udhëheqjes, shkëputjen e kontratës dhe për çështjet e tjera në lidhje me udhëheqjen.

3. Me anë të kontratës mund të përcaktohet se për çështjet e përcaktuara në paragrafin e mëparshëm, ortakët vendosin me shumicë votash. Në rastin e tillë, për marrjen e vendimit kërkohen shumica e votave apo të paktën dy të tretat e votave.

4. Ortakët duhet të organizojnë udhëheqjen së bashku dhe në mënyrë të barabartë.

5. Me anë të kontratës mund të përcaktohet që secili prej ortakëve kryen udhëheqje në mënyrë të pavarur, ose që udhëheqja të kryhet vetëm nga disa prej ortakëve, ose nga një apo më shumë persona të emëruar nga ortakët me unanimitet.

6. Mbi baza të justifikueshme, ortakët mund të përjashtojnë udhëheqjen nga ndonjëri prej ortakëve.

7. Natyra e dispozitave të këtij ligji mbi kontratën për urdhrin zbatohen në lidhje me udhëheqjen.

8. Nëse parashihet me kontratë, udhëheqësi ka të drejtë në pagesë për punën e tij.

9. Secili ortak ka të drejtë që të jetë i informuar për të gjitha punët dhe çështjet e ortakërisë.

Neni 990Ushtrimi i të drejtave dhe detyrimeve në ortakëri

1. Secili partner duhet t’i kryej punët e ortakërisë dhe detyrimet tjera në lidhje me to me kujdesin dhe sipas mënyrës që i kryen punët e veta.

2. Nëse qëllimi i ortakërisë është i lidhur me aktivitetet e ortakëve apo profesionin e tyre, ata janë të detyruar të veprojnë me kujdesin e ekonomistit të mirë apo me kujdesin e ekspertit të mirë.

3. Ortaku nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim që do të rrezikonte arritjen e qëllimit të përbashkët.

Neni 991Fitimi dhe humbja

1. Përveç kur përcaktohet ndryshe me kontratë, secili ortak ka të drejtë në pjesën e fitimit të arritur në ortakëri.

2. Secili partner është i detyruar të marr përsipër pjesën e humbur që ka ndodhur nga funksionimi i ortakërisë.

3. Ortakët marrin pjesë në fitim në fitim dhe humbje në mënyrë të barabartë në përpjesëtim me pjesët e tyre të kontributit, përveç kur përcaktohet ndryshe me kontratë.

Neni 992Paraqitja tek personat e tretë

1. Ortaku apo udhëheqësi që paraqitet në emër të vetë dhe për llogari të ortakërisë kundrejtë personave të tretë, të gjitha të drejtat dhe detyrimet në lidhje me personin e tretë i bartin vet.

2. Në qoftë se ortaku lidh punët me ndonjë person të tretë në emër të ortakërisë ose të të gjithë ortakëve, do të zbatohen dispozitat e këtij ligji mbi përfaqësimin.

3. Për rastet e përcaktuara në paragrafin e dytë të këtij neni të gjithë ortakët bëhen kreditor apo debitor të përbashkët dhe të ndarë dhe dispozitat e këtij ligji për përgjegjësinë e përbashkët dhe të ndarë do të zbatohen. Marrëveshja ndërmjet ortakëve që përcakton diçka tjetër nga mësipër nuk ka efekt ligjor ndaj personave të tretë.

4. Me shpërndarjen e ortakërisë, detyrimet e ortakëve ndaj personave të tretë, sipas këtij neni, nuk shuhen.

Neni 993Pasuria e ortakërisë

Përveç nëse parashihet ndryshe me kontratë, ortakët kanë të drejta të barabarta mbi bashkëpronësinë dhe pjesët tjera të përbashkëta që kanë ardhur nga kontributet e ortakëve apo veprimtaria e ortakërisë.

Neni 994Marrëdhënia ndërmjet ortakëve

1. Ortakët janë të detyruar që në pjesë të barabarta, t’i mbulojnë shpenzimet për detyrimet ndaj personave të tretë, nëse nuk mund të mbulohen nga pasuria e ortakërisë, përveçse ndryshe parashihet me kontratë.

2. Ortaku i cili ndaj personave të tretë, për zbatimin e kontratës ka mbuluar ndonjë shpenzim apo ndonjë detyrim të ortakërisë, që tejkalon shumën për të cilën sipas kontratës ka qenë i detyruar ta mbulojë, ka të drejtë të kërkojë kthimin në pjesë proporcionale nga ortakët e tjerë.

Neni 995Ndërrimi i ortakëve

1. Ortakërisë mund ti shtohet ortaku i ri nëse kontrata e lejon një gjë të tillë.

2. Përveç nëse përcaktohet ndryshe me kontratë, ortaku i ri që hyn në ortakëri është i detyruar që të japë kontributin e njëjtë sikur partnerët tjerë si dhe ka të drejtë në përfitimin që është realizuar pas hyrjes së tij në ortakëri.

3. Ortaku i ri është përgjegjës ndaj personave të tretë vetëm për detyrimet që rrjedhin pas hyrjes së tij si ortak.

4. Ortaku nuk mund t’ia kalojë pozitën e tij personit të tretë, por mund ta kalojë atë tek një ortak tjetër dhe vetëm nëse kontrata e lejon një gjë të tillë dhe sipas kushteve të përcaktuara në kontratë.

Neni 996Përjashtimi i Ortakut

1. Me anë të padisë ortakët mund të kërkojnë përjashtimin e ndonjë partneri nëse për këtë ekzistojnë arsye të mjaftueshme. Kontrata mund të përcaktojë se ortakët mund të vendosin vet për përjashtimin e një ortaku. Në një rast të tillë përmes padisë ortaku i larguar mund të kërkojë anulimin e një vendimi të tillë nëse mendon se është marrë në mënyrë të padrejtë.

2. Ortaku i përjashtuar ka të drejtë për pjesët e kontributit të tij në shumën e vlerës së tregut që këto pjesë kanë në momentin e përjashtimit.

3. Ortakët e tjerë duhet të paguajnë këtë shumë brenda tre (3) viteve nga momenti i përjashtimit.

4. Nëse ortakët tjerë kërkojnë kompenzim nga ortaku i përjashtuar, ata mund të ndalin vlerën e pjesës së partnerit të përjashtuar derisa vendimi gjyqësor të marrë formën e prerë apo derisa të arrihet një marrëveshje me ortakun e përjashtuar.

Neni 997Shuarja e Ortakërisë

1. Ortakëria shuhet:

1.1. me kalimin e kohës për të cilin është themeluar;

1.2. me përmbushjen e qëllimit të kontraktuar ose kur arritja e këtij qëllimi bëhet e pamundshme;

1.3. me vendim të ortakëve;

1.4. me vdekjen e një ortaku apo me humbjen e kapacitetit të tij kontraktorë, ose nëse ndaj ortakut si tregtarë i vetëm kanë filluar procedurat për falimentim, likuidim apo shpërbërje;

1.5. nëse një ortak pushon së ekzistuari si person juridik për shkak të ndryshimit të statusit apo nëse ndaj tij ka filluar procedura për falimentim likuidim apo shpërbërje;

1.6. nëse pas zbatimit të tyre,pjesët e kontributit janë marrë nga një person i tretë;

1.7. nëse me vendim të autoritetit publik ortakut i është ndaluar ushtrimi i aktiviteteve të cilat janë qenësore për arritjen e qëllimit të përbashkët;

1.8. Nëse ortaku e denoncon kontratën.

2. Kontrata konsiderohet e lidhur për një periudhë të pakufizuar nëse ortakët vazhdojnë të përmbushin kontratën e ortakërisë edhe pas kalimit të periudhës së përcaktuar në nën-paragrafin 1.1. të paragrafit

1. të këtij neni.

3. Kontrata e ortakërisë vazhdon të jetë në fuqi për ortakët e mbetur edhe pasi që një ortak nuk merr pjesë më në ortakëri për arsyet e përcaktuara në nën-paragrafët 1.4. deri 1.8. së bashku të paragrafit

1. të këtij neni, nëse një gjë e tillë është e përcaktuar me kontratë.

Neni 998Shkëputja e kontratës

1. Ortaku mund të shkëpus kontratën, nëse kjo është e përcaktuar në kontratë.

2. Ortaku mund të shkëpus kontratën e lidhur për një kohë të pakufizuar, pa marrë parasysh paragrafin e mësipërm. Në rastin e tillë njoftimi për shkëputje duhet të bëhet tre muaj përpara.

3. Ortaku për arsye të rëndësishme, mund të kërkojë shkëputjen e kontratës së lidhur për periudhë të caktuar edhe para përfundimit të kësaj periudhe si dhe pa njoftim paraprak, përmes padisë gjyqësore.

Neni 999Likuidimi

1. Nëse ortakëria shuhet, ortakët detyrohen të kryejnë likuidimin sidomos në atë mënyrë që të kryhen detyrimet ndaj personave të tretë, që ortakët të kompensohen për shpenzimet dhe pagesat që i kalojnë shumën e detyrimit që ata kanë sipas kontratës, dhe që pjesa tjetër e pasurisë të ndahet ndërmjet ortakëve në pjesë të barabarta të kontributeve të dhëna. Kontrata mund të përcaktojë pjesë tjera, të ndryshme nga kontributet.

2. Nëse pasuria e ortakërisë nuk mjafton për të mbuluar shpenzimet dhe detyrimet, pjesa e mbetur mangët duhet të mbulohet nga ortakët në përpjesëtimin që zbatohet tek kontributet. PJESA XXVI BASHKËSIA

Neni 1000Përkufizimi

Nëse një e drejtë u takon disa personave së bashku, dispozitat e këtij kreu zbatohen, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.