Dosja

LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Kërko në këtë akt

Neni 1001Pjesët

1. Në rast të paqartësive, secili anëtar i bashkësisë ka pjesë të barabartë për të drejtën që është objekt i bashkësisë.

2. Secili anëtar i bashkësisë mund të disponoj lirshëm me pjesën e tij të bashkësisë.

3. Nëse një anëtar i bashkësisë ia transferon pjesën e tij personit tjetër, të drejtat dhe detyrimet e anëtarit të bashkësisë të mëparshëm i zbatohen për anëtarin e bashkësisë tjetër.

4. Të gjithë anëtaret e bashkësisë së bashku disponojnë me objektin e bashkësisë si tërësi.

Neni 1002Detyrimet e anëtarëve të bashkësisë

1. Anëtaret e bashkësisë e përdorin dhe e shfrytëzojnë objektin e bashkësisë dhe vendosin mbi çështjet e përbashkëta në mënyrë të përshtatshme me natyrën dhe qëllimin e objektit të bashkësisë dhe me menaxhimin e zakonshëm.

2. Secili anëtar I bashkësisë mund t’i kërkojë gjykatës që me aktvendim të emërojë një administrator i cili do të merrte vendimet mbi çështjet e përbashkëta, kur anëtaret e bashkësisë nuk veprojnë në përputhje me paragrafin e parë ose nuk arrijnë marrëveshje për çështjet e përbashkëta.

Neni 1003Përdorimi dhe shfrytëzimi

1. Nëse objekti i bashkësisë mund të ndahet në natyrë, secili anëtar përdorë dhe shfrytëzon pjesën e tij si anëtar, por vetëm deri në atë masë sa nuk i pengon anëtaret tjerë apo nuk dëmton vet objektin e bashkësisë.

2. Secili anëtar mund ta përdorë dhe gëzojë objektin e bashkësisë që nuk mund të ndahet në natyrë, dhe i cili është i përcaktuar për të gjithë anëtaret , sipas qëllimit të përcaktuar të objektit të bashkësisë dhe në atë mënyrë që nuk shkakton dëm në përdorimin në të njëjtën kohë nga anëtarët tjerë apo që nuk shkakton dëm në vet objektin e bashkësisë si të tillë.

3. Nuk është e mundur kufizimi i të drejtës së anëtarëve sipas paragrafëve 1. dhe 2. të këtij neni, pa dhënien e pëlqimit për një gjë të tillë.

Neni 1004Marrja e vendimeve për çështjet e përbashkëta

1. Secili anëtar ka numrin e votave në përputhje me pjesën e tij në bashkësi.

2. Për administrimin e zakonshëm dhe për përdorimin dhe shfrytëzimin e objektit të bashkësisë, vendimet i marrin anëtarët e bashkësisë me shumicë votash.

3. Anëtarët me dy të tretat (2/3) e votave mund të vendosin për përmirësimin e objektit të bashkësisë , për përdorimin e saj më të mirë apo për masat e rëndësishme për rritjen e vlerës së objektit. Nëse një vendim i tillë kufizon të drejtat e ndonjë anëtari apo nëse ka shpenzime të larta për anëtarët e bashkësisë , ai vendim duhet të merret me unanimitet.

4. Anëtarët e bashkësisë mund të pajtohen që për çështjet e përcaktuara në paragrafin 2. të këtij neni mund të vendosë një anëtar i vetëm, vetëm disa nga anëtarët apo një person i tretë. Anëtarët e tillë apo personat e tretë zgjedhën me shumicën e votave.

5. Pa marrë parasysh paragrafin e dytë, secili anëtar mund të bëjë çfarëdo që është e nevojshme për shmangien e ndonjë kërcënimi direkt për dëmtimin e objektit të bashkësisë , nëse masat e tilla nuk janë marrë nga anëtarët apo personat e tretë sipas paragrafit 2. dhe 4. të këtij neni.

6. Anëtarët nuk mund të kërkojnë apo të vendosin për ndryshime shumë të mëdha të objektit të bashkësisë . Një kërkesë apo vendim i tillë konsiderohet të jetë kërkesë apo vendim për të shkëputur bashkësinë.

Neni 1005Shpenzimet e bashkësisë

1. Shpenzimet e objektit të bashkësisë , sidomos ato që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen, administrimin dhe përdorimin e përbashkët, barten nga secili anëtar në përpjesëtim me pjesën e tij të bashkësisë.

2. Secili anëtar është i detyruar të bartë pjesën e përpjesëtuar të shpenzimeve që rrjedhin nga vendimi për përmirësimin e objektit të bashkësisë , për përdorimin më të mirë të tij, apo për marrje të rëndësishme për rritjen e vlerës së bashkësisë.

Neni 1006Kërkesa për mbarim

1. Secili anëtar mund të kërkojë mbarimin e bashkësisë në çdo kohë.

2. Anëtarët kanë mundësi që me marrëveshje, për një periudhë të caktuar apo për gjithmonë, ta përjashtojnë të drejtën e kërkesës për mbarimin e bashkësisë apo të përcaktojnë një kohë për paralajmërim për një gjë të tillë.

3. Për rastet e përcaktuara në paragrafin 2. të këtij neni, është gjithashtu e mundshme që të kërkohet mbarimi i bashkësisë, nëse ekzistojnë arsye të mjaftueshme për një gjë të tillë.

4. Administratori i emëruar nga gjykata po ashtu mund të kërkojë mbarimin e bashkësisë sipas paragrafëve të parë dhe të tretë.

5. Pa marrë parasysh paragrafin 2. të këtij neni, anëtarët në çdo moment mund të vendosin me unanimitet për mbarimin e bashkësisë

6. Bashkësia mbaron gjithashtu kur anëtarët e tjetërsojnë objektin e bashkësisë si tërësi apo nëse objekti i bashkësisë nuk ekziston më.

7. Kufizimi i të drejtave të anëtarëve apo të administratorit të përcaktuara në paragrafin 1. 3. dhe 4. të këtij neni nuk është e mundur të bëhet me kontratë.

Neni 1007Pasojat e mbarimit

1. Pas mbarimit të bashkësisë bëhet ndarja në natyrë e objektit të bashkësisë , nëse një gjë e tillë është e mundshme pa dëmtuar vlerën e tij.

2. Kur objekti i bashkësisë nuk mund të ndahet në natyrë, ai shitet. Nga shitja së pari duhet të shlyhen detyrimet e përbashkëta ndaj personave të tretë dhe të anëtarëve që kanë shlyer detyrimet për llogari të anëtarëve tjerë. Pjesa e mbetur ndahet ndërmjet anëtarëve në përputhje me pjesët përkatëse të tyre.

3. Nëse objekti i bashkësisë është pasuri e paluajtshme, ai shitet në ankand publik.

4. Një apo disa anëtarë, kanë të drejtën e parablerjes në blerjen e bashkësisë sipas paragrafit të dytë dhe të tretë, nën kushtet e njëjta me blerësit e tretë.

5. Po ashtu, paragrafi i dytë apo i tretë zbatohet edhe nëse mbarimi i bashkësisë ndodhë për shkak se anëtarët e kanë tjetërsuar objektin e bashkësisë në tërësi apo nëse objekti i bashkësisë nuk ekziston më.

6. Nëse shitja nuk ka sukses atëherë bashkësia nuk mund të mbarojë.

Neni 1008Themelimi i ortakërisë

1. Bashkësia mund të mbarojë edhe nëse anëtarët themelojnë ortakëri sipas dispozitave të këtij ligji apo sipas dispozitave të ligjit tjetër në fuqi.

2. Kur bashkësia mbaron sipas paragrafit 1. të këtij neni, nëse objekti i bashkësisë si tërësi investohet në ortakëri, atëherë nuk kryhet ndarja e bashkësisë.

3. Anëtarët e bashkësisë janë përgjegjës ndaj personave të tretë edhe pas themelimit të ortakërisë ashtu siç kanë qenë para themelimit të saj. Detyrimet e përbashkëta të ndodhura gjatë ekzistimit të bashkësisë mund të rregullohen ndryshe me anë të kontratës së ortakërisë. PJESA XXVII KONTRATA PËR DORËZANINË KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1009Nocioni

Me kontratën mbi dorëzaninë obligohet dorëzani ndaj kreditorit se do ta përmbushë detyrimin e plotfuqishëm të debitorit të rrjedhur për pagesë, në qoftë se ky nuk e bën këtë.

Neni 1010Forma

Me kontratën mbi dorëzaninë obligohet dorëzani vetëm në qoftë se deklaratën mbi dorëzaninë e ka bërë me shkrim.

Neni 1011Zotësia për të vepruar e dorëzanit

Vetëm personi me zotësi të plotë për të vepruar mund të detyrohet me kontratën për dorëzani.

Neni 1012Dorëzania për personin e paaftë për të vepruar

Kush obligohet si dorëzanë për detyrimin e ndonjë personi të paaftë për të vepruar, i përgjigjet kreditorit njësoj sikur dorëzani i personit të aftë për të vepruar.

Neni 1013Objekti i dorëzanisë

1. Dorëzania mund të jepet për çdo detyrim të vlefshëm pavarësisht nga përmbajtja e tij.

2. Mund të hyhet dorëzanë edhe për detyrimin e kushtëzuar, si dhe për detyrimin e caktuar të ardhshëm.

3. Dorëzania për detyrimin e ardhshëm mund të revokohet para se të lind detyrimi, në qoftë se nuk është parashikuar afati në të cilin ai duhet të lind.

4. Dorëzania mund të jepet edhe për detyrimin e ndonjë dorëzanësi tjetër (dorëzani i dorëzanit).

Neni 1014Volumi i përgjegjësisë së dorëzanit

1. Detyrimi i dorëzanit nuk mund të jetë më i madh nga sa është detyrimi i debitorit kryesor, e në qoftë se është kontraktuar që të jetë më i madh, ai reduktohet në masën e detyrimit të debitorit.

2. Dorëzani përgjigjet për përmbushjen e krejt detyrimit për të cilin ka qenë dorëzan, në qoftë se përgjegjësia e tij nuk është e kufizuar në ndonjë pjesë të tij, ose në ndonjë mënyrë tjetër i është nënshtruar kushteve më të lehta.

3. Ai ka për detyrë t'i kompensojë shpenzimet e nevojshme që i ka bërë kreditori për arkëtimin e borxhit nga debitori kryesor.

4. Dorëzani përgjigjet edhe për çdo shtim të detyrimit i cili do të krijohej nga vonesa e debitorit ose për faj të debitorit, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe.

5. Ai përgjigjet vetëm për atë kamatë të kontraktuar e cila ka rrjedhur për pagesë pas lidhjes së kontratës mbi dorëzaninë.

Neni 1015Kalimi i të drejtave të kreditorit në dorëzanin (subrogimi)

Në dorëzanësin i cili e ka plotësuar kërkesën e kreditorit kalon kjo kërkesë me të gjitha të drejtat akcesore dhe me garancitë e përmbushjes së saj. KREU 2 RAPORTET E KREDITORIT DHE TË DORËZANËSIT

Neni 1016Format e dorëzanisë

1. Prej dorëzanit mund të kërkohet përmbushja e detyrimit vetëm pasi debitori kryesor të mos e përmbush brenda afatit të caktuar në thirrjen e drejtuar me shkrim (dorëzania subsidiare).

2. Mirëpo, kreditori mund të kërkojë përmbushjen nga dorëzani megjithëse nuk e ka thirrur më përpara debitorin kryesor në përmbushjen e detyrimit, në qoftë se s'ka dyshim se prej mjeteve të debitorit kryesor nuk mund të realizohet përmbushja e detyrimit apo në qoftë se debitori kryesor ka rënë në falimentim.

3. Në qoftë se dorëzanisë është obliguar si dorëzanë pagues, i përgjigjet kreditorit si debitori kryesor për krejt detyrimin dhe kreditori mund të kërkojë përmbushjen e tij si nga debitori kryesor ashtu edhe nga dorëzanësi apo nga të dy njëkohësisht (dorëzania solidare).

4. Dorëzani për detyrimin e lindur nga kontrata në ekonomi përgjigjet si dorëzanë pagues, në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër.

Neni 1017Solidariteti i dorëzanësve

Disa dorëzanë të një borxhi përgjigjen solidarisht, pavarësisht a kanë hyrë dorëzanë bashkërisht ose secili prej tyre ka marrë përsipër detyrimin ndaj kreditorit veç e veç, me përjashtim kur në kontratë përgjegjësia e tyre është rregulluar ndryshe.

Neni 1018Humbja e të drejtës në afat

Në qoftë se debitori e ka humbur të drejtën në afat të caktuar për përmbushjen e detyrimit të tij, kreditori megjithatë nuk mund të kërkojë përmbushjen nga dorëzani para skadimit të këtij afati, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe.

Neni 1019Falimentimi i debitorit kryesor

1. Në rastin e falimentimit të debitorit kryesor, kreditori ka për detyrë t'i lajmërojë kërkesat e veta në falimentim dhe për këtë gjë ta njoftojë dorëzanin, ndryshe i përgjigjet dorëzanit për dëmin të cilin do ta pësonte ky për këtë gjë.

2. Pakësimi i detyrimit të debitorit kryesor në procedurën e falimentimit ose në procedurën e kompensimit nuk pas sjell edhe pakësimin përkatës të detyrimit të dorëzanësit, kështu që dorëzani i përgjigjet kreditorit për krejt shumën e detyrimit të vet.

Neni 1020Rasti i përgjegjësisë së zvogëluar të trashëgimtarit të debitorit

Dorëzani përgjigjet për krejt shumën e detyrimit për të cilën ka hyrë dorëzanë edhe në rastin kur nga trashëgimtari i debitorit do të mund të kërkohej pagimi vetëm i asaj pjese të tij që i përgjigjet vlerës së pasurisë të trashëguar.

Neni 1021Kundërshtimet e dorëzanit

1. Dorëzani mund të ushtroj kundër kërkesës së kreditorit të gjitha kundërshtimet e debitorit kryesor, duke përfshirë edhe prapësimin e kompensimit, por jo edhe kundërshtime të tjera thjesht personale të debitorit

2. Heqje dorë e debitorit nga kundërshtimet, si dhe njohja e tij e kërkesave të kreditorit, nuk ka efekt ndaj dorëzanit.

3. Dorëzani mund të ushtroj kundër kreditorit edhe kundërshtimet e veta personale, për shembull, nulitetin e kontratës mbi dorëzaninë, parashkrimin e kërkesave të kreditorit ndaj tij, prapësimin e kompensimit të kërkesave reciproke.

Neni 1022Detyrimi i njoftimit të dorëzanit mbi ometimin e debitorit

Në qoftë se debitori nuk përmbush detyrimin e vet në kohë, kreditori ka për detyrë që për këtë gjë ta njoftojë dorëzanin, përndryshe do t'i përgjigjet për dëmin të cilin dorëzani do ta pësonte për këtë.

Neni 1023Shkarkimi i dorëzanit për shkak të vonesës së kreditorit

1. Dorëzani shkarkohet nga përgjegjësia në qoftë se kreditori, me thirrjen e tij pas rrjedhjes për pagesë të kërkesës, nuk kërkon përmbushjen nga debitori kryesor brenda një (1) muaji nga data e kësaj thirjeje.

2. Kur afati i përmbushjes nuk është caktuar, dorëzani shkarkohet nga përgjegjësia në qoftë se kreditori, me thirrjen e tij pas skadimit të një (1) viti nga lidhja e kontratës mbi dorëzaninë, nuk bën brenda një (1) muaji nga data e kësaj thirjeje deklaratë të nevojshme për caktimin e datës së përmbushjes.

Neni 1024Lirimi i dorëzanit për shkak të heqjes dorë nga mjetet e sigurimit

1. Në qoftë se kreditori heq dorë nga pengu ose cilëndo e drejtë tjetër me të cilën ka qenë siguruar përmbushja e kërkesës së tij, ose e humb nga pakujdesia dhe në ketë mënyrë bën të pamundur kalimin e kësaj të drejte në dorëzanin, ky shkarkohet nga detyrimi i vet ndaj kreditorit për aq sa do të mund të fitonte nga ushtrimi i kësaj të drejte.

2. Rregulla e paragrafit paraprak vlen si në rastin kur është fjala për të drejtën e lindur para lidhjes së kontratës mbi dorëzaninë, ashtu edhe në rastin kur ka lindur pas kësaj. KREU 3 RAPORTET E DORËZANËSIT DHE TË DEBITORIT

Neni 1025E drejta për të kërkuar kompensimin nga debitori

1. Dorëzani që ka përmbush detyrimin ndaj kreditorit, mund të kërkojë nga debitori t'i kompensojë të gjitha ato që i ka paguar në llogari të tij si dhe kamatën nga data e pagesës.

2. Ai ka të drejtë në kompensimin e shpenzimeve të krijuara në konteste me kreditorin që nga momenti kur e ka njoftuar debitorin mbi këtë konteste, si dhe në shpërblimin e dëmit në qoftë se ka ekzistuar.

Neni 1026E drejta e dorëzanit të një debitori solidar

Dorëzani i një prej disa debitorëve solidarë mund të kërkojë prej cilido prej tyre që t'i kompensojë aq sa i ka paguar kreditorit, si dhe shpenzimet.

Neni 1027E drejta e dorëzanit në sigurimin paraprak

Edhe para se ta përmbush kërkesën e kreditorit, dorëzani që është obliguar me dijen ose me pëlqimin e debitorit, ka të drejtë të kërkojë nga debitori t'i japë sigurim të nevojshëm për kërkesat e tij eventuale në rastet që vijojnë: në qoftë se debitori nuk e ka përmbushur detyrimin e vet në afatin e rrjedhjes për pagesë, po që se kreditori ka kërkuar në rrugë gjyqësore arkëtimin nga dorëzani dhe në qoftë se gjendja pasurore e debitorit është keqësuar mjaft pas lidhjes së kontratës mbi dorëzaninë.

Neni 1028Humbja e të drejtës së kompensimit

1. Debitori mund të përdorë kundër dorëzanit, i cili pa dijen e tij ka bërë pagimin e kërkesës së kreditorit, të gjitha mjetet juridike me të cilat në momentin e kësaj pagese ka mundur të refuzojë kërkesën e kreditorit.

2. Dorëzani që ka paguar kërkesën e kreditorit, ndërsa për këtë gjë nuk e ka njoftuar debitorin, kështu që edhe ky në padijeni për këtë pagesë e ka paguar përsëri të njëjtën kërkesë, nuk mund të kërkoje kompensim nga debitori, por ka të drejtë të kërkojë nga kreditori që t'ia kthejë atë që ia ka paguar.

Neni 1029E drejta për kthimin e pjesës së paguar

Dorëzani i cili pa dijen e debitorit e ka paguar kërkesën e kreditorit, e cila më pas me kërkesën e debitorit është anuluar ose shuar me anë të kompensimit, mund vetëm të kërkojë nga kreditori kthimin e pjesës së paguar. KREU 4 REGRESI I PAGUESIT NDAJ DORËZANVE TË TJERË

Neni 1030E drejta e kompensimit nga dorëzanët tjerë

Kur ekzistojnë disa dorëzanë, ndërsa njëri prej tyre paguan kërkesën e rrjedhur për pagesë, ai ka të drejtë të kërkojë prej dorëzanëve të tjerë që secili prej tyre t'ia kompensojë pjesën që i takon atij. KREU 5 PARASHKRIMI

Neni 1031

1. Me parashkrimin e detyrimit të debitorit kryesor shuhet edhe detyrimi i dorëzanit.

2. Kur afati për parashkrimin e detyrimit të debitorit kryesor është më i gjatë se dy (2) vjet, detyrimi i dorëzanit parashkruhet pasi të kenë kaluar dy (2) vjet nga afati i rrjedhjes për pagesë të detyrimit të debitorit kryesor, përveç nëse dorëzani përgjigjet solidarisht me debitorin.

3. Ndërprerje e parashkrimit të kërkesave ndaj debitorit kryesor ka efekt edhe ndaj dorëzanit vetëm në qoftë se ndërprerja është shkaktuar nga ndonjë veprim i kreditorit para gjykatës kundër debitorit kryesor.

4. Ngecja e parashkrimit të detyrimit të debitorit kryesor nuk ka efekt ndaj dorëzanit. PJESA XXVIII KONTRATA PËR DËRGIMIN (ASIGNACIONI) KREU 1 NOCIONI I KONTRATËS

Neni 1032Nocioni i kontratës

Me anë të asignacionit, një person, asignanti autorizon tjetrin, asignatin që për llogari të tij t’i kryejë diçka të caktuar personit të tretë, marrësit të asignacionit asignatarit, dhe e autorizon këtë që të pranoj këtë kryerje në emër të vet. KREU 2 MARRËDHËNIET MIDIS DËRGUESIT DHE TË DËRGUARIT

Neni 1033Aprovimi nga ana e dërguesit

1. Asignatari fiton të drejtën që të kërkojë nga asignati përmbushjen vetëm kur ky të deklarojë se e pranon asignacionin (dërgimin).

2. Aprovimi i dërgimit nuk mund të revokohet.

Neni 1034Kundërshtimet e dërguesit

1. Me pranimin e dërgimit midis marrësit të dërgimit dhe dërguesit formohet marrëdhënia e borxhit, i pavarur nga raporti midis dërguesit dhe të dërguarit, si dhe nga raporti midis dërguesit dhe marrësit të dërgimit.

2. Dërguesi që e ka pranuar dërgimin mund t’i theksojë marrësit të dërgimit vetëm kundërshtimet që kanë të bëjnë me vlefshmërinë e aprovimit, kundërshtimet që bazohen në përmbajtjen e aprovimit ose në përmbajtjen e vet asignacionit, si dhe kundërshtimet që ka personalisht ndaj tij.

Neni 1035Kalimi i asignacionit

1. Marrësi i asignacionit mund ta bëjë kalimin e dërgimit në një tjetër edhe përpara aprovimit nga ana e dërguesit, ndërsa ky mund ta bëjë kalimin më tej, përveç kur nga vetë dërgimi ose nga rrethanat e posaçme rrjedh se ai është i pabartshëm.

2. Në qoftë se asignati i ka deklaruar asignatarit se e pranon dërgimin, ky pranim ka efekt ndaj të gjithë personave, në të cilët dërgimi do të bartej në mënyrë të parreshtur.

3. Në qoftë se asignati i ka deklaruar fituesit në të cilin marrësi i dërgimit e ka bartur asignacionin se e aprovon atë, ai nuk mund t’i paraqesë fituesit kundërshtime që ka ndaj asignatarit personalisht.

Neni 1036Parashkrimi

1. E drejta e asignatarit për të kërkuar përmbushjen nga asignati parashkruhet për një (1) vit.

2. Në qoftë se nuk është caktuar afati i përmbushjes, parashkrimi fillon të rrjedhë kur asignati ta aprovojë asignacionin, e në qoftë se ai e ka aprovuar përpara se t’i jetë dhënë asignatarit, atëherë kur t’i jetë dhënë këtij. KREU 3 MARRËDHËNIA MIDIS ASIGNATARIT DHE ASIGNATIT

Neni 1037Në qoftë se asignatari është kreditor i asignatit

1. Kreditori nuk ka për detyrë ta pranojë asignacionin që ia ka bërë debitori me qëllim të përmbushjes së detyrimit të vet, por ka për detyrë që për refuzimin e vet menjëherë ta njoftojë debitorin, përndryshe do t’i përgjigjet për dëmin.

2. Kreditori që e ka aprovuar asignacionin ka për detyrë ta ftojë asignatin që ta zbatojë atë.

Neni 1038Asignacioni nuk është përmbushja

1. Kur kreditori e ka aprovuar asignacionin e bërë nga debitori i tij me qëllim të përmbushjes së detyrimit, ky detyrim nuk pushon, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe as me aprovimin e tij të asignacionit dhe as me aprovimin nga ana e asignatit, por vetëm me përmbushjen nga ana e asignatit.

2. Kreditori që e ka aprovuar asignacionin e bërë nga ana e debitorit të tij, mund të kërkojë nga asignanti që t’i plotësojë atë që i debiton vetëm në qoftë se nuk ka marrë përmbushje nga asignati në kohën e caktuar në asignacion.

Neni 1039Detyra e asignatarit për ta njoftuar asignantin

Në qoftë se asignati refuzon ta aprovojë asignacionin, e refuzon përmbushjen që kërkon prej tij asignatari, ose deklaron që përpara se nuk do ta zbatojë, asignatari ka për detyrë ta njoftojë menjëherë asignantin për këtë gjë, përndryshe do t’i përgjigjet për dëmin.

Neni 1040Heqja dorë nga asignacioni i aprovuar

Asignatari që nuk është kreditori i asignantit dhe që nuk dëshiron që asignacionin ta përdorë mund të heqë dorë prej tij, edhe në qoftë se ka deklaruar se e aprovon atë, por ka për detyrë që për këtë gjë ta njoftojë asignantin pa vonesë.

Neni 1041Revokimi i autorizimit të dhënë marrësit të dërgesës

Asignanti mund ta revokojë autorizimin që me anë të asignacionit ia ka dhënë marrësit të asignacionit, përveç se asignacionin e ka lëshuar me qëllim të përmbushjes së ndonjë borxhi të vet ndaj tij dhe në përgjithësi në qoftë se asignacionin e ka lëshuar në interes të tij. KREU 4 MARRËDHËNIET E ASIGNATIT DHE TË ASIGNATARIT

Neni 1042Në qoftë se asignati është debitor i asignantit

1. Asignati nuk ka për detyrë ta aprovojë asignacionin edhe nëse është debitor i asignantit, përveç nëse ia ka premtuar këtë.

2. Kur asignacioni është lëshuar në bazë të borxhit të asignatit, asignati ka për detyrë ta zbatojë deri në shumën e këtij borxhi, në qoftë se kjo nuk është në asnjë pikëpamje më e rëndë nga sa është përmbushja e detyrimit ndaj asignantit.

3. Zbatimi i asignacionit të lëshuar në bazë të borxhit të asignatit, asignati shkarkohet në të njëjtën masë nga borxhi i vet kundrejt asignantit.

Neni 1043Revokimi i autorizimit të dhënë asignatit

1. Asignanti mund ta revokojë autorizimin të cilin me asignacion ia ka dhënë asignatit, gjithnjë gjersa ky nuk i deklaron asignatarit se e aprovon asignacionin, apo se nuk e zbaton atë.

2. Ai mund ta revokojë edhe kur në vetë asignacion është shënuar se është i parevokueshëm, si dhe kur nga revokimi do të ofendohej ndonjë detyrim i tij ndaj asignatarit.

3. Hapja e falimentimit mbi pasurinë e asignantit tërheq vetvetiu në bazë të ligjit revokimin e asignacionit, përveç me rastin kur asignati e ka aprovuar këtë më parë asignacionin përpara hapjes së falimentimit, si dhe kur në çastin e aprovimit nuk ka qenë në dijeni dhe as që ka mundur të ishte në dijeni për këtë falimentim. KREU 5 VDEKJA DHE PRIVIMI I AFTËSISË PËR TË VEPRUAR

Neni 1044Vdekja dhe privimi i aftësisë për të vepruar

Vdekja e asignantit, asignatarit ose të asignatit, si dhe privimi i aftësisë për të vepruar të ndonjërit prej tyre nuk ka ndikim në asignacion. KREU 6 ASIGNACIONI NË FORMË TË LETRËS NË PRURËSIN

Neni 1045Asignacioni në formë të letrës së zotëruesit

1. Asignacioni me shkrim mund t’i lëshohet zotëruesit.

2. Në këtë rast secili titullar (posedues) i letrës ka ndaj asignatit pozitën e asignatarit.

3. Raportet që me asignacion lindin midis asignatarit dhe asignantit, formohen në këtë rast vetëm midis secilit posedues të veçantë të letrës dhe të personit që ia ka ceduar letrën. KREU 7 ASIGNACIONI NË FORMË TË LETRËS SIPAS URDHËRIT

Neni 1046Asignacioni në formë të letrës sipas urdhërit

Asignacioni shkresor që është i pagueshëm në të holla, në letrat me vlerë, oe në sendet e zëvendësueshme, mund të lëshohet me dispozitën “sipas urdhërit”, në qoftë se asignati është person që merret me veprimtari ekonomike dhe në qoftë se ajo që duhet të kryejë, bie në kuadrin e kësaj veprimtarie. PJESA XXIX UJDIA

Neni 1047Përkufizimi

1. Me kontratën për ujdinë në mes të personave në kontest apo të cilët kanë paqartësi lidhur me ndonjë marrëdhënie juridike, kontestet ndërpriten me ndihmën e lëshimeve reciproke, respektivisht eliminohen pasiguritë dhe përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e tyre reciproke.

2. Konsiderohet se ekziston një paqartësi edhe atëherë, nëse ushtrimi i një të drejte specifike është e pasigurt.

Neni 1048Shtrirja e lëshimeve reciproke

1. Lëshimet mund të ekzistojnë, midis tjerash, në njohjen e pjesshme ose të plotë të ndonjë kërkese të palës tjetër ose në heqjen dorë nga ndonjë kërkesë e vet, në marrjen mbi vete të ndonjë detyrimi të ri, në zvogëlimin e shkallës së kamatës, në zgjatjen e afatit, në dhënien e pëlqimit për pagimin e kësteve të pjesshme; në dhënien e të drejtës së pendimit.

2. Lëshimi mund të jetë me kusht.

3. Kur vetëm njëra palë i bën lëshim palës tjetër dhe njeh, p.sh. kërkesën e palës tjetër, atëherë kjo nuk është ujdi dhe nuk i nënshtrohet rregullave të ujdisë.

Neni 1049Aftësia

Për lidhjen e kontratës për pajtimin është e nevojshme aftësia për disponim me të drejtën, e cila është objekt i ujdisë.

Neni 1050Objekti

1. Objekt i ujdisë mund të jetë çdo e drejtë me të cilën mund të disponohet.

2. E vlefshme është ujdia për pasojat pasurore të një çështje penale.

3. Objekt i ujdisë nuk mund të jenë kontestet që u përkasin marrëdhënieve statusore.

Neni 1051Zbatimi i dispozitës për kontratat e dyanshme

1. Për kontratën për ujdinë vlejnë dispozitat e përgjithshme mbi kontratat e dyanshme, në qoftë se për atë nuk është paraparë diçka ndryshe.

2. Në rastet kur në emër të ujdisë kontraktuesit kryejnë ndonjë punë tjetër, në ato marrëdhënie të tyre nuk zbatohen dispozitat e ligjit të cilat vlejnë për ujdinë, por ato të cilat vlejnë për punën e kryer.

Neni 1052Dëmtimi i pamasë

Për shkak të dëmtimit të pamasë nuk mund të kërkohet anulimi i ujdisë.

Neni 1053Efekti i ujdisë ndaj dorëzanit dhe pengdhënësit

1. Në qoftë se me ujdi është bërë përtërirja e detyrimit, dorëzani lirohet nga përgjegjësia për përmbushjen e tij dhe njëherit shuhet edhe pengu të cilën e ka dhënë ndonjë person i tretë.

2. Dorëzani dhe i treti që kanë dhënë sendin e tyre në peng mbeten edhe më tutje në detyrim, ndërkaq përgjegjësia e tyre mund të zvogëlohet me anë të pajtimit, por jo edhe të rritet, përjashtimisht nëse ata janë dakorduar me pajtimin.

3. Kur debitori me anë të ujdisë pranon kërkesën e kontestueshme, dorëzani dhe pengdhënësi rezervojnë të drejtën që kreditorit t’i paraqesin kundërshtimet nga të cilat debitori me anë të ujdisë ka hequr dorë.

Neni 1054Ujdia për punën e cila mund të kundërshtohet

1. E vlefshme është ujdia për punën juridike, kundërshtimin e së cilës njëra palë mund ta kërkojë, nëse pala në çastin e ujdisë ishte në dijeni për mundësinë e kundërshtimit.

2. Megjithatë, është e pavlefshme pajtimi për punën juridikisht të pavlefshme kur kontraktuesit kanë ditur për pavlefshmërinë, por kanë dashur që këtë ta shmangin me ujdi.

Neni 1055Pavlefshmëria e ujdisë

1. Ujdia është e pavlefshme, në qoftë se është bazuar në lajthitje të të dy kontraktuesve dhe në qoftë se përmban marrëdhënie juridike e cila në të vërtetë nuk ekziston, si dhe në qoftë se pa lajthitjen e tyre nuk do të kishte asnjë kontest dhe pasiguri midis tyre.

2. E njëjta gjë vlen edhe kur lajthitja e kontraktuesve ka të bëjë me fakte të zakonshme.

3. Heqja dorë nga ky nulitet nuk ka efekt juridik dhe se ajo që është dhënë në emër të ekzekutimit të detyrimeve nga ajo marrëveshje mund të kërkohet që të kthehet.

Neni 1056Nuliteti i një dispozite të ujdisë

Dispozitat e ujdisë interpretohen si tërësi prandaj nëse një dispozitë e vetme është e pavlefshme, atëherë e tërë ujdia është e pavlefshme, përveç nëse nga vetë ujdia shihet qartë se ajo përbëhet nga pjesë të pavarura. PJESA XXX DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 1057Zbatimi i këtij ligji

Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen në marrëdhëniet e detyrimeve që kanë lindur para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 1058Ndërprerja e vlefshmërisë dhe zbatimi i ligjeve tjera

1. Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji dispozitat e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2000/68, për kontratat mbi shitjen e mallrave pushojnë se ekzistuari.

2. Në kuptim të këtij ligji, e në pajtim me nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligj i aplikueshëm për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave është Konventa e Kombeve të Bashkuara për kontratat për shitjen ndërkombëtare të mallrave

3. Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji dispozitat e Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve (Gazeta Zyrtare e RSFJ-së, nr. 29/78, 39/85, 57/89), pushojnë se ekzistuari, me përjashtim të dispozitave në vijim: Kreu XXXI, nenet 1035 deri 1046; Kreu XXXII, nenet 1047 deri 1051; Kreu XXXIII, nenet 1052 deri 1060; Kreu XXXIV, nenet 1061 deri 1064; Kreu XXXV nenet 1065 deri 1068; Kreu XXXVI nenet 1069 deri 1071; Kreu XXXVII, nenet 1072 deri 1082; Kreu XXXVIII, nenet 1083 deri 1087; Kreu XXXIX, neni 1088, të cilat përshtatshmërisht do të vazhdojnë të aplikohen përderisa legjislacioni nacional nuk fuqizon ligje, gjegjësisht akte tjera nënligjore për rregullimin e të njëjtave.

4. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, pushojnë së vepruari edhe dispozitat e ligjeve të mëparshme që kanë rregulluar këtë materie, përveç në rastet kur me këtë ligj është paraparë ndryshe.

Neni 1059Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ligji Nr. 04/ L-077 10 maj 2012 Shpallur me dekretin Nr.DL-024-2012, datë 30.05.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.

Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve (04/L-077)