LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.
Neni 601Denoncimi për shkak të mospagimit të qirasë
1. Qiradhënësi mund ta denoncojë kontratën e qirasë, në qoftë se qiramarrësi nuk paguan qiranë dhe këtë gjë nuk e bën as në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi qiradhënësi ta ketë ftuar që të kryejë pagesën.
2. Mirëpo, kontrata do të mbetet ne fuqi në qoftë se qiramarrësi e paguan shumën e debituar të qirasë para se t'i komunikohet denoncimi.
Neni 602Kthimi i sendit të marrë me qira
1. Qiramarrësi ka për detyrë ta ruajë sendin e marrë me qira dhe pas mbarimit të qirasë ta kthejë të padëmtuar.
2. Sendi kthehet në vendin ku është dorëzuar.
3. Qiramarrësi nuk përgjigjet për harxhimin e sendit që krijohet nga përdorimi i tij i zakonshëm, si dhe për dëmtimet që rrjedhin nga vjetrimi i tij.
4. Në qoftë se gjatë kohës së qirasë ka bërë ndonjë ndryshim në send, ka për detyrë ta kthejë në gjendjen në të cilën ndodhej kur i është dhënë me qira.
5. Ai mund ti marre me vete shtesat që ka bërë në send, në qoftë se mund të veçohen pa ndonjë dëmtim të tij, por qiradhënësi mund t'i mbajë po qe se ia shpërblen vlerën e tyre në kohën e kthimit.
Neni 603Denoncimi për shkak të nënqirasë së palejueshme
Qiradhënësi mund ta denoncojë kontratën e qirasë në qoftë se sendi i marrë me qira është dhënë në nënqira pa lejen e tij kur kjo sipas ligjit, ose sipas kontratës është e nevojshme.
Neni 604Kërkesa e drejteperdrejte e qiradhënësit
Qiradhënësi mundet për ti arkëtuar kërkesat e veta nga qiramarrësi të krijuara nga qiraja, të kërkojë drejteperdrejte nga nënqiramarrësi pagimin e shumës që ky i debiton qiramarrësit ne bazë të nënqiras.
Neni 605Shuarja e nënqirasë në bazë të vetë ligjit
Nënqiraja shuhet në çdo rast kur shuhet qiraja. KREU 4 TJETËRSIMI I SENDIT TË MARRË ME QIRA
Neni 606Tjetërsimi pas dorëzimit me qira
1. Në rast te tjetërsimit të sendit i cili para kësaj i është dorëzuar ndonjë tjetrit me qira fituesi i sendit zene vendin e qiradhënësit, kështu që pas kësaj, të drejtat dhe detyrimet nga qiraja lindin midis tij dhe për qiramarrësit.
2. Fituesi nuk mund të kërkojë nga qiramarrësi që t ia dorëzojë sendin para se të ketë kaluar koha për të cilën është kontraktuar qiraja e në qoftë se kohëzgjatja e qirasë nuk është caktuar as me kontratë dhe as me ligj, atëherë para skadimit të afatit të denoncimit.
3. Për detyrimet e fituesit nga qiraja ndaj qiramarrësit përgjigjet bartësi si dorzan solidar.
Neni 607E drejta e çmimit të qirasë
1. Ne qofte se nuk është kontraktuar diçka tjetër, fituesi i sendit të dorëzuar me qira ka të drejtë në çmimin e qirasë, duke filluar që nga afati i parë i ardhshëm pas fitimit të sendit, nëse bartësi ka pranuar qiranë që më parë, bartësi duhet të njëjtën t’ia ktheje fituesit.
2. Që nga momenti kur është njoftuar mbi tjetërsimin e sendit të marrë me qira, qiramarrësi mund t'ia paguajë çmimin a qirasë vetëm fituesit.
Neni 608Tjetërsimi i sendit te marrë me qira para se t'i dorëzohet qiramarrësit
1. Në qoftë se sendi për të cilin është lidhur kontrata e qirasë i është dorëzuar fituesit, e jo qiramarrësit, fituesi zëne vendin e qiradhënësit dhe merr përsipër detyrimet e tij ndaj qiramarrësit në qoftë se në momentin e lidhjes së kontratës mbi tjetërsimin ka qenë në dijeni për ekzistimin e kontratës së qirasë.
2. Fituesi i cili në momentin e lidhjes se kontratës mbi tjetërsimin nuk ka qenë në dijeni për ekzistimin e kontratës së qirasë, nuk ka për detyrë t'ia dorëzojë qiramarrësit sendin, ndërsa qiramarrësi mund të kërkojë vetëm shpërblimin e dëmit nga qiradhënësi.
3. Për detyrimet e fituesit nga dhënia me qira ndaj qiramarrësit përgjigjet bartësi si dorëzan solidar.
Neni 609Denoncimi i kontratës për shkak të tjetërsimi të sendit
Kur për shkak të tjetërsimit të sendit të marrë me qira të drejtat dhe detyrimet e qiradhënësit kalojnë në fituesin, qiramarrësi mund ta denoncoj kontratën në çdo rast, duke respektuar afatet ligjore të denoncoje. KREU 5 SHUARJA E QIRASË
Neni 610Kalimi i kohës së caktuar
1. Kontrata e qirasë e lidhur për një kohe të caktuar shuhet me vetë kalimin e kohës për të cilën është lidhur.
2. E njëjta gjë vlen edhe në rastet kur në mungesë të vullnetit të kontraktuesve kohëzgjatja e qirasë është caktuar me ligj.
Neni 611Përtëritja heshtazi e qirasë
1. Kur pasi të ketë kaluar koha për të cilën është lidhur kontrata e qirasë, qiramarrësi vazhdon ta përdorë sendin, ndërsa qiradhënësi nuk e kundërshton këtë, konsiderohet se është lidhur kontratë e re e qirasë me kohëzgjatje të pacaktuar, në të njëjtat kushte sikurse edhe në ato paraprake.
2. Sigurimet të cilat personat e tretë kanë dhënë për qiranë e parë, shuhen me të kaluar koha për të cilat është lidhur kontrata e pare.
Neni 612Denoncimi
1. Kontrata e qirasë kohëzgjatja e së cilës nuk është caktuar dhe as që mund të caktohet nga rrethanat apo nga zakonet e vendit shuhet me denoncim të cilin secila palë mund t'ia japë tjetrës duke respektuar afatin a caktuar të denoncimit.
2. Në qoftë se kohëzgjatja e afatit të denoncimit nuk është caktuar me kontratë ose me ligj apo me zakonet e vendit, ndërsa ajo është tetë ditë por që denoncimi të mos mund të jepet në kohën jo të duhur.
3. Në qoftë se sendet e marra me qira janë të rrezikshme për shëndetin, qiramarrësi mund ta denoncoje kontratën pa e dhënë afatin e denoncimit edhe në qoftë se në momentin e lidhjes së kontratës e ka ditur ketë.
4. Qiramarrësi nuk mund të heqë dorë nga e drejta e paraparë në paragrafin 3. të këtij neni.
Neni 613Shkatërrimi i sendeve për shkak të forcës madhore
1. Marrja me qira pushon në qoftë se sendi i marrë me qira shkatërrohet nga ndonjë rast i forcës madhore.
2. Në qoftë se sendi i marrë me qira shkatërrohet pjesërisht ose vetëm dëmtohet, qiramarrësi mund ta zgjidhë kontratën, ose të mbetet edhe më tej në qiramarrje dhe të kërkojë zbritjen përkatëse të çmimit të qirasë.
Neni 614Vdekja
Në rast te vdekjes të qiramarrësit ose të qiradhënësit qiraja, vazhdon me trashëgimtarë të tij po që se nuk është kontraktuar ndryshe. PJESA IX KONTRATA PËR VEPRËN KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 615Kuptimi
Me kontratën për veprën kryerësi i punëve detyrohet të kryejë një punë të caktuar, sikurse është prodhimi ose riparimi i ndonjë sendi ose kryerja e ndonjë pune fizike ose intelektuale e të ngjashme kurse porositësi është i detyruar për atë të paguajë shpërblimin.
Neni 616Raporti me kontratën për shitjen
1. Kontrata me të cilën njëra palë detyrohet të prodhojë një send të caktuar të luajtshëm prej materialit të vet konsiderohet në rast dyshimi kontratë për shitje.
2. Kontrata mbetet kontratë për veprën në qoftë se porositësi është detyruar të japë pjesën thelbësore të materialit të nevojshëm për prodhimin e sendit.
3. Në çdo rast kontrata konsiderohet kontratë për vepër, në qoftë se kontraktuesit kanë pas për qëllim veçanërisht punën e kryerësit.
Neni 617Cilësia e materialit të kryerësit
1. Në qoftë se është kontraktuar që kryerësi të prodhojë një send prej materialit të vet, ndërsa nuk është caktuar cilësia, sipërmarrësi ka për detyrë të japë material të cilësisë së mesme.
2. Ai i përgjigjet porositësit për cilësinë e materialit njësoj si shitësi. KREU 2 MBIKËQYRJA
Neni 618Mbikëqyrja
Porositësi ka të drejtë të bëjë mbikëqyrjen e kryerjes së punës e të japë udhëzime kur kjo i përgjigjet natyrës së punës, ndërsa kryerësi ka për detyrë t‘ia bëjë të mundur këtë. KREU 3 LIDHJA E KONTRATËS ME ANË TË ANKANDIT
Neni 619Ftesa për ankand mbi çmimin e punimeve
1. Ftesa e drejtuar numrit të caktuar ose të pacaktuar personash, në kushtet e caktuara dhe me garancione të caktuara, detyron ftuesin të lidhë kontratën për ato punime me atë që ofron çmimin më të ulët, përveç nëse këtë detyrim e ka përjashtuar me ftesën për ankand.
2. Në rastin e përjashtimit të detyrimit për të lidhë kontratën, ftesa për ankand konsiderohet si ftesë të interesuarve që ata të bëjnë oferta të kontratës sipas kushteve të shpallura.
Neni 620Ftesa për ankand për zgjidhjen artistike ose teknike të punëve të synuara
Ftesa e drejtuar numrit të caktuar ose të pacaktuar personash për ankand për zgjidhjen artistike ose teknike të punimeve të synuara, detyrojnë ftuesin që sipas kushteve të përmbajtura në ftesë për ankand të lidhë kontratën me pjesëmarrësin e ankandit, zgjedhja e të cilit është pranuar nga komisioni me përbërjen e shpallur që përpara, përveç nëse këtë detyrim e ka përjashtuar në ftesën e ankandit. KREU 4 DETYRIMET E KRYERËSIT
Neni 621Te metat e materialit
1. Kryerësi ka për detyrë ta paralajmërojë porositësin për të metat e materialit që e ka dorëzuar porositësi, që i ka vënë re ose është dashur t i vërejë, përndryshe do të përgjigjet për dëmin.
2. Në qoftë se porositësi i ka kërkuar që sendi të prodhohet prej materialit për të metat e të cilit kryerësi i’a ka treguar, kryerësi ka për detyrë të veprojë sipas kërkesës së tij, përveç nëse është e qartë se materiali nuk është i përshtatshëm për veprën e porositur ose në qoftë se prodhimi prej materiali të kërkuar do të mund t’i bëjë dëm prestigjit të kryerësit , në të cilin rast kryerësi mund ta zgjidhë kontratën.
3. Kryerësi ka për detyrë ta paralajmërojë porositësin për të metat në urdhrin e tij dhe për rrethana të tjera që ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni të cilat mund të jenë të rëndësishme për veprën e porositur ose për kryerjen në kohë, përndryshe do të përgjigjet për dëmin.
Neni 622Detyrimi për ta kryer veprën
1. Kryerësi ka për detyrë ta kryejë veprën si është kontraktuar dhe sipas rregullave të punës.
2. Ai ka për detyrë ta kryejë veprën për kohën e caktuar, e në qoftë se kjo nuk është caktuar, atëherë për një kohë të arsyeshme që nevojitet për punë të tilla.
3. Ai nuk përgjigjet për vonesë, të shkaktuar për shkak se porositësi nuk i’a ka dorëzuar materialin në kohë, apo për shkak se ka kërkuar ndryshime, apo sepse nuk i’a ka paguar paradhënien e kontraktuar dhe në përgjithësi për vonesë të shkaktuar nga sjellja e porositësit.
Neni 623Zgjidhja e kontratës për shkak te shmangies nga kushtet e kontraktuara
1. Në qoftë se gjatë kryerjes së veprës tregohet se kryerësi nuk u përmbahet kushteve të kontratës dhe në përgjithësi nuk punon si duhet, kështu që vepra e kryer do të ketë të meta, porositësi mund ta paralajmërojë kryerësin për këtë dhe t’i caktojë afat plotësues që punën e vet t’ua përshtatë detyrimeve të veta.
2. Në qoftë se deri në skadimin e këtij afati kryerësi i punës nuk vepron sipas kërkesës së porositësit, ky mund ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Neni 624Zgjidhja e kontratës para kalimit të afatit
1. Në qoftë se afati është element thelbësor i kontratës, ndërsa kryerësi është aq në vonesë me fillimin ose me kryerjen e punës, sa që është e qartë se nuk do ta kryejë brenda afatit, porositësi mund ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.
2. Ai ka këtë të drejtë edhe atëherë kur afati nuk është element thelbësor i kontratës në qoftë se për shkak të vonesës së tillë porositësi qartazi nuk do të kishte interes për përmbushjen e kontratës.
Neni 625Besimi i kryerjes së punës personit të tretë
1. Në qoftë se nga kontrata ose nga vetë natyra e punës nuk rrjedh diçka tjetër, kryerësi nuk e ka për detyrë që punën ta kryejë personalisht.
2. Kryerësi edhe me tej i përgjigjet personit për kryerjen e punës edhe kur punën nuk e kryen personalisht.
Neni 626Përgjegjësia për bashkëpunëtorët
Kryerësi përgjigjet për personat të cilët sipas urdhrit të tij kanë punuar në punën që e ka marrë përsipër ta kryejë, sikur ta ketë kryer vet.
Neni 627Kërkesa e drejtpërdrejtë e bashkëpunëtorëve të kryerësit ndaj porositësit
Për arkëtimin e kërkesave të veta nga kryerësi, bashkëpunëtorët e tij mund t’i drejtohen drejtpërdrejt porositësit dhe të kërkojnë prej tij që t’u paguajë këto kërkesa në ngarkim të shumës të cilën ai në këtë çast i ka borxh kryerësit, në qoftë se këto kërkesa janë pranuar.
Neni 628Dorëzimi i sendit të prodhuar porositësit
1. Kryerësi ka për detyrë që sendin e prodhuar ose të riparuar t’ia dorëzojë porositësit.
2. Kryerësi lirohet nga ky detyrim, në qoftë se sendi që e ka prodhuar ose riparuar shkatërrohet nga një shkak, për të cilin ai nuk përgjigjet. KREU 5 PËRGJEGJËSIA PËR TË METAT
Neni 629Kontrollimi i veprës së kryer dhe njoftimi i kryesit
1. Porositësi ka për detyrë ta kontrollojë veprën e kryer, nëse sipas rrjedhës së rregullt të të punës ky kontrollim është i mundur dhe për të metat e konstatuara pa shtyrje ta njoftojë kryerësin.
2. Në qoftë se porositësi nuk i përgjigjet ftesës së kryerësit që ta kontrollojë dhe pranojë veprën e kryer pa ndonjë shkak të arsyeshëm, konsiderohet se vepra është pranuar.
3. Pas kontrollit dhe pranimit të punës së kryer, kryerësi nuk përgjigjet më për të metat që kanë mund të vërehen me kontroll të zakonshme, përveç se ai ishte në dijeni për ato të meta dhe nuk e ka njoftuar porositësin.
Neni 630Të metat e fshehura
1. Në qoftë se më vonë konstatohet ndonjë e metë e cila nuk ka mund të zbulohet me kontroll të zakonshëm, porositësi megjithatë mund të thirret në atë me kusht që për këtë ta njoftojë porositësin sa më parë, por jo më vonë se në afatin prej një (1) muaji nga zbulimi i saj.
2. Me kalimin e dy (2) viteve nga pranimi i punës së kryer, porositësi nuk mundet më të thirret në të meta.
Neni 631Shuarja e së drejtës
1. Porositësi i cili e ka njoftuar kryerësin me kohë për të metat e veprës së kryer nuk mund të realizojë të drejtën e vet në rrugë gjyqësore pas kalimit të një (1) viti nga njoftimi i bërë.
2. Pas skadimit të këtij afati, porositësi mundet, në qoftë se për të metat e ka njoftuar në kohën e duhur kryerësin e punës, me kundërshtim kundër kërkesës së kryerësit për pagimin e shpërblimit, të theksojë të drejtën e vet për zbritjen e shpërblimit dhe shpërblimin e dëmit.
Neni 632Rastet kur kryerësi humb të drejtën të thirret në nenet paraprake
Kryerësi nuk mund të thirret në ndonjë dispozitë të neneve paraprake kur e meta ka të bëjë me faktet për të cilat ishte në dijeni ose nuk kanë mund t’i mbeten të panjohura, ndërsa për këto nuk e ka njoftuar porositësin.
Neni 633E drejta e kërkesës për mënjanimin e të metave
1. Porositësi i cili e ka njoftuar me rregull kryerësin se puna e kryer ka ndonjë të metë, mund të kërkojë prej tij që të metën ta mënjanojë dhe për të t’ia caktojë afatin e arsyeshëm.
2. Ai ka të drejtë edhe për shpërblimin e dëmit që pëson për këtë arsye.
3. Në qoftë se mënjanimi i të metës kërkon shpenzime të tepruara, kryerësi mund të refuzojë ta kryejë, por me këtë rast porositësit i takon, sipas zgjedhjes së tij, e drejta e zbritjes së shpërblimit ose zgjidhjes së kontratës si edhe e drejta e shpërblimit të dëmit.
Neni 634Zgjidhja e kontratës në rastin e veçantë
Kur puna e kryer ka të metë të tillë sa që veprën e bën të papërdorshme ose është kryer në kundërshtim me kushtet shprehimore të kontratës, porositësi mundet, duke mos kërkuar mënjanimin paraprak të të metave, ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Neni 635E drejta e porositësit në rastin e të metave të tjera të veprës së kryer
1. Kur puna e kryer ka të metë, por vepra është megjithatë e përdorshme, respektivisht kur puna nuk është kryer në kundërshtim me kushtet e parapara shprehimisht të kontratës, porositësi ka për detyrë ta lejojë kryerësin që ta mënjanoj të metën.
2. Porositësi mund t’i caktojë kryerësit një afat të arsyeshëm për mënjanimin e të metave.
3. Në qoftë se kryerësi nuk e mënjanon të metën deri te kalimi i këtij afati, porositësi mundet sipas zgjedhjes se tij ta kryejë mënjanimin në llogari të kryerësit ose ta zbres shpërblimin ose ta zgjidhë kontratën.
4. Kur është fjala për të metë të parëndësishme, porositësi nuk mund të shërbehet me të drejtën e zgjidhjes së kontratës.
5. Në çdo rast ai ka të drejtë edhe për shpërblimin e dëmit.
Neni 636Zbritja e shpërblimit
Shpërblimi zbritet në përpjesëtim ndërmjet vlerës së punës së kryer pa të meta në kohën e lidhjes së kontratës dhe vlerës që do të kishte puna e kryer me të meta në atë kohë. KREU 6 DETYRIMET E POROSITËSIT
Neni 637Detyrimi i pranimit të punës
Porositësi ka për detyrë ta pranojë punën e kryer sipas dispozitave të kontratës dhe rregullave të punës.
Neni 638Caktimi dhe pagimi i shpërblimit
1. Shpërblimi caktohet me kontratë, në qoftë se nuk është caktuar me ndonjë tarifë të detyrueshme ose me ndonjë akt tjetër të detyrueshëm.
2. Në qoftë se shpërblimi nuk është caktuar, gjykata cakton shpërblimin sipas vlerës së punës, sipas kohës së nevojshme normalisht për punë të tillë dhe sipas shpërblimit të rëndomtë për këtë lloj të punës.
3. Porositësi nuk ka për detyrë ta paguajë shpërblimin para se ta ketë kontrolluar dhe lejuar, përveç nëse është kontraktuar ndryshe.
4. E njëjta gjë vlen në qoftë se është kontraktuar kryerja dhe dorëzimi i punëve pjesë-pjesë.
Neni 639Llogaritja me garanci shprehimore
1. Në qoftë se shpërblimi është kontraktuar në bazë të llogaritjes me garanci shprehimore të kryerësit për saktësinë e tij, ai nuk mund të kërkojë shtimin e shpërblimit as edhe në qoftë se në punim ka dhënë më tepër punë dhe në qoftë se kryerja e punës ka kërkuar më tepër shpenzime se sa është parashikuar.
2. Me këtë nuk përjashtohet zbatimi i rregullave për zgjidhjen dhe ndryshimin e kontratës për shkak të ndryshimit të rrethanave
3. Në qoftë se shpërblimi është kontraktuar në bazë të llogaritjes pa garanci shprehimore të kryerësit për saktësinë e tij dhe gjatë punës tejkalimi i llogarisë tregohet i pashmangshëm, kryerësi duhet për këtë pa shtyrje ta njoftojë porositësin, përndryshe humb çdo kërkesë për shkak të shpenzimeve të shtuara. KREU 7 RREZIKU
Neni 640Kur kryerësi e ka dhënë materialin
1. Në rast se kryerësi e ka dhënë materialin për prodhimin e sendit, kurse sendi dëmtohet ose shkatërrohet për arsye të ndryshme para se t’i dorëzohet porositësit, rrezikun e mban kryerësi dhe nuk ka të drejtë shpërblimin për materialin e dhënë e as për punën e tij.
2. Në qoftë se porositësi e ka kontrolluar punimin e kryer dhe e ka lejuar, konsiderohet se sendi i është dorëzuar, ndërsa te kryerësi ka mbetur në ruajtje.
3. Në qoftë se porositësi është vonuar për shkak të mospranimit të sendit të ofruar, rreziku i shkatërrimit ose i dëmtimit të rastësishëm të sendit kalon në atë.
Neni 641Kur porositësi e ka dhënë materialin
1. Rrezikun e shkatërrimit ose dëmtimit të rastësishëm e bartë kryerësi, në qoftë se ai e ka dhënë materialin për prodhimin e sendit.
2. Në këtë rast, kryerësi ka të drejtë të shpërblimit vetëm në qoftë se sendi është shkatërruar ose dëmtuar pas rënies së porositësit në vonesë ose në qoftë se porositësi nuk i është përgjigjur ftesës të bërë me rregull për ta kontrolluar sendin.
Neni 642Rreziku në rast të dorëzimit pjesë-pjesë
Në qoftë se është kontraktuar se porositësi do ta bëjë kontrollin dhe pranimin e pjesëve të veçanta ashtu si do të prodhohen, kryerësi ka të drejtë shpërblimi për prodhimin e pjesëve që i ka kontrolluar dhe lejuar edhe në qoftë se ato pas tij do të shkatërroheshin tek ai pa fajin e tij. KREU 8 E DREJTA E PENGUT
Neni 643E drejta e pengut
Për sigurimin e arkëtimit të kërkesave të shpërblimit për punën dhe shpërblimin e materialit të shpenzuar dhe kërkesave të tjera në bazë të kontratës për vepër, kryerësi ka të drejtë pengu në sendet që i ka prodhuar ose riparuar, si dhe në sende të tjera që i’a ka dorëzuar porositësi lidhur me punën e tij, gjithnjë gjersa ato i mban dhe nuk pushon me vullnet t’i mbajë. KREU 9 SHUARJA E KONTRATËS
Neni 644Zgjidhja e kontratës me vullnetin e porositësit
Derisa vepra e porositësit nuk është kryer, porositësi mund ta zgjidhë kontratën kur të dojë, por në atë rast ka për detyrë t’i paguajë kryerësit shpërblimin e kontraktuar, të zvogëluar për shumën e shpenzimeve që ky nuk i ka bërë e që do të kishte për detyrë t’i bënte po të mos zgjidhej kontrata si edhe për shumën e fitimit që e ka realizuar në anën tjetër ose që me qëllim e ka lëshuar ta realizojë. PJESA X KONTRATA PËR NDËRTIMIN KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 645Nocioni
1. Kontrata për ndërtim është kontratë me të cilën kryerësi detyrohet sipas projektit të caktuar të ndërtojë në afatin e caktuar ndërtesën e caktuar në tokën e caktuar, apo në një tokë të tillë respektivisht në objektin tashmë ekzistues të kryejë punë të tjera ndërtimi, ndërsa porositësi detyrohet që për këtë t’i paguajë çmimin e caktuar.
2. Kontrata për ndërtimin duhet të jetë e lidhur me shkrim.
Neni 646Objektet ndërtimore
Me fjalën "Objektet ndërtimore" në kuptim të kësaj pjese konsiderohen ndërtesat, digat, urat, ujësjellësi, kanalizimi, rrugët, vijat hekurudhore, tunelet, puset dhe objekte të tjera ndërtimore, ndërtimi i të cilave kërkon punë më të mëdha dhe më të ndërlikuara.
Neni 647Mbikëqyrja e punimeve dhe kontrolli i cilësisë së materialit
Kryerësi i punës ka për detyrë t’ia bëjë të mundur porositësit mbikëqyrjen e vazhdueshme të punimeve dhe kontrollin e sasisë dhe cilësisë së materialit të përdorur.
Neni 648Shmangie nga projekti
1. Për çdo shmangie nga projekti i ndërtimit respektivisht nga punimet e kontraktuara, kryerësi duhet të ketë pëlqimin me shkrim të porositësit.
2. Ai nuk mund të kërkojë ngritje të çmimit të kontraktuar për punimet që i ka kryer pa pëlqimin e këtillë.
Neni 649Punimet urgjente të paparashikueshme
1. Kryerësi mund t’i kryejë punimet e paparashikuara edhe pa pëlqimin paraprak të porositësit, në qoftë se për shkak të urgjencës së tyre nuk ka pasur mundësi ta marrë këtë pëlqim.
2. Punime të paparashikuara janë ato, ndërmarrja e të cilave ka qenë e domosdoshme për shkak të stabilitetit të objektit apo për parandalimin e shkaktimit të dëmit e që janë shkaktuar nga natyra e papritur më e rëndë e tokës me paraqitjen e papritur të ujit ose nga ndonjë ngjarje tjetër e jashtëzakonshme dhe e papritur.
3. Kryerësi ka për detyrë që pa vonesë të njoftojë porositësin për këto fenomene dhe për masat e marra.
4. Kryerësi ka të drejtë për shpërblim të drejtë për punimet e paparashikueshme që është dashur të kryhen.
5. Porositësi mund ta zgjidhë kontratën në qoftë se për shkak të këtyre punimeve, çmimi kontraktues do të duhej të shtohej konsiderueshëm për të cilën gjë ka për detyrë që pa shtyrje ta njoftojë kryerësin e punimeve.
6. Në rastin e zgjidhjes së kontratës, porositësi ka për detyrë t’i paguajë kryerësit të punimeve pjesën përkatëse të çmimit për punimet e kryera, si edhe një shpërblim të drejtë për shpenzimet e domosdoshme të bëra.
Neni 650Çmimi i punimeve
Çmimi i punimeve mund të caktohet sipas njësisë së matjes së punimeve të kontraktura (çmimi i njësisë) ose në shumë të tërësishme për tërë objektin (çmimi total i kontraktuar).
Neni 651Ndryshimi i çmimit
1. Në qoftë së me kontratë lidhur me ndryshimin e çmimit nuk është parashikuar diçka tjetër, kryerësi që e ka kryer detyrimin e vet në afatin e parashikuar mund të kërkojë rritjen e çmimit të punimeve në qoftë se në kohën midis lidhjes së kontratës e të përmbushjes së saj kanë ndryshuar çmimet e elementeve në bazë të cilave është caktuar çmimi i punimeve, kështu që do të duhej që ky çmim të ishte më i madh për më shumë se dy përqind (2%).
2. Në rastin kur kryerësi i punimeve me faj të vet nuk i ka kryer punimet në afatin e parashikuar me kontratë, ai mund të kërkojë rritjen e çmimit të punimeve në qoftë se në kohën midis lidhjes së kontratës dhe ditës kur sipas kontratës është dashur të përfundoheshin punimet e elementeve në bazë të të cilave është caktuar, kështu që ky do të duhej sipas çmimeve të reja të këtyre elementeve të ishte më i madh për më se pesë për qind.
3. Në rastet nga paragrafët e mësipërm, kryerësi mund të kërkojë vetëm diferencën në çmimin e punimeve që tejkalon dy (2%) përkatësisht pesë përqind (5%).
4. Kryerësi nuk mund të thirret në rritjen e çmimit të elementeve në bazë të të cilave është caktuar çmimi i punimeve, në qoftë se deri te rritja e çmimit ka ardhur pas ardhjes së tij në vonesë.
Neni 652Dispozitat për pandryshueshmërinë e çmimeve
1. Në qoftë se është kontraktuar së çmimi i punimeve nuk do të ndryshojë, në rastin kur pas lidhjes së kontratës rriten çmimet e elementeve, në bazë të të cilave është caktuar çmimi i punimeve, kryerësi mund të kërkojë megjithëse ekziston një dispozitë e tillë e kontratës, ndryshimin e çmimit të punimeve, në qoftë se çmimet e elementeve janë rritur në atë masë që çmimi i punimeve do të duhej të ishte më i madh se dhjetë përlind (10%).
2. Mirëpo, edhe në këtë rast kryesi mund të kërkojë vetëm diferencën në çmimin që tejkalon dhjetë për qind, përveç nëse shtimi i çmimit të elementeve ka ardhur si pasojë e vonesës së tij.
Neni 653Zgjidhja e kontratës për shkak të rritjes së çmimit
1. Në qoftë se në rastet nga nenet paraprake çmimi kontraktues do të duhej të rritej konsiderueshëm, porositësi mund ta zgjidhë kontratën.
2. Në rastin e zgjidhjes së kontratës, porositësi ka për detyrë t’i paguajë kryerësit pjesën përkatëse të çmimit të kontraktuar për punimet e kryera gjer atëherë, si edhe shpërblimin e drejtë për shpenzimet e domosdoshme të bëra.
Neni 654E drejta e porositësit për të kërkuar zbritjen e çmimit të kontraktuar
1. Në qoftë se në kohën midis lidhjes së kontratës dhe përmbushjes së detyrimit të kryerësit janë zbritur çmimet e elementeve në bazë të cilave është caktuar çmimi i punimeve për më tepër se dy për qind (2%), kurse punimet janë kryer brenda afatit të kontraktuar, porositësi ka të drejtë të kërkojë zbritjen përkatëse të çmimit të kontraktuar të punimeve mbi këtë përqindje.
2. Në qoftë se është kontraktuar pandryshueshmëria e çmimit të punimeve, ndërsa këto janë kryer në afat të kontraktuar, porositësi ka të drejtë për zbritje të kontraktuar në rastin kur çmimet e elementeve, në bazë të të cilave është caktuar çmimi i punimeve, janë zbritur aq sa çmimi do të ishte më i vogël për më tepër se dhjetë për qind e pikërisht për diferencën në çmim prej më se dhjetë për qind (10%).
3. Në rastin e vonesës së kryesit të punimeve, porositësi ka të drejtë për zbritjen proporcionale te çmimit të punimeve për çdo zbritje të çmimit të elementeve, në bazë të cilave është caktuar çmimi i punimeve. KREU 2 KONTRATA PËR NDËRTIMIN ME DISPOZITË TË VEÇANTË
Neni 655Kontrata për ndërtimin me dispozitë të veçantë
1. Në qoftë se kontrata për ndërtimin përmban dispozitën "çelësi në dorë" ose ndonjë dispozitë tjetër të ngjashme, kryerësi detyrohet në mënyrë të pavarur që të kryejë së bashku të gjitha punimet e nevojshme për ndërtimin dhe përdorimin e objektit të caktuar të tërësishëm.
2. Në këtë rast çmimi i kontraktuar përfshin edhe vlerën e të gjitha punimeve të paparashikuara e të tepricës së punimeve, ndërsa përjashton ndikimin e mungesave të punimeve në çmimin e kontraktuar.
3. Në qoftë se në kontratën "çelësi në dorë" marrin pjesë disa kryerës si palë kontraktuese, përgjegjësia e tyre ndaj porositësit është solidare. KREU 3 PËRGJEGJËSIA PËR TË METAT
Neni 656Zbatimi i rregullave të kontratës për veprën
Në qoftë se në këtë pjesë nuk është caktuar ndryshe, për përgjegjësinë për të metat e godinës zbatohen dispozitat përkatëse të kontratës për veprën.
Neni 657Kalimi i të drejtave nga përgjegjësia për të metat
Të drejtat e porositësit ndaj kryerësit për shkak të të metave të godinës kalojnë edhe në të gjithë fituesit e mëvonshëm të godinës ose të pjesës së saj, por fitueseve të mëvonshëm nuk u rrjedh afati i ri për njoftim dhe padi, por u llogaritet afati i paraardhësve. KREU 4 PËRGJEGJËSIA E KRYERËSIT DHE E PROJEKTUESIT PËR SOLIDITETIN E GODINËS
Neni 658Nga çka përbëhet
1. Kryerësi përgjigjet për të metat e ndërtimit të godinës që i përkasin soliditetit të saj, në qoftë se këto të meta do të paraqiteshin për një kohë prej dhjetë (10) vitesh nga dorëzimi dhe pranimi i punimeve.
2. Kryerësi përgjigjet edhe për të metat e tokës në të cilën është ngritur godina, të cilat do të tregoheshin për një kohë prej dhjetë vjetësh nga dorëzimi dhe pranimi i punimeve, përveç nëse organizata e specializuar e ka dhënë mendimin profesional se toka është e përshtatshme për ndërtim, kurse gjatë ndërtimit nuk janë paraqitur rrethana që e vijnë në dyshim bazueshmërinë e mendimit profesional.
3. E njëjta gjë vlen edhe për projektuesin në qoftë se e meta e godinës rrjedh nga ndonjë e metë në plan.
4. Ata janë përgjegjës sipas paragrafëve të mësipërm jo vetëm ndaj porositësit por edhe çdo fituesi tjetër të godinës.
5. Kjo përgjegjësi e tyre nuk mund të përjashtohet e as të kufizohet me kontratë.
Neni 659Detyra e njoftimit dhe humbja e të drejtave
1. Porositësi ose fituesi tjetër ka për detyrë që për të metat ta njoftojë kryerësin dhe projektuesin e punimeve në afat prej gjashtë (6) muajsh, prej kur e ka konstatuar të metën, përndryshe humb të drejtën që të thirret në te.
2. E drejta e porositësit ose e fituesit tjetër ndaj kryerësit respektivisht ndaj projektuesit sipas bazës së përgjegjësisë së tyre për të metat shuhet brenda një (1) viti duke llogaritur nga dita kur porositësi respektivisht fituesi e ka njoftuar projektuesin, përkatësisht kryerësin e punimeve për të metën.
3. Kryerësi i punimeve apo projektuesi nuk mund të referohet në dispozitat e paragrafëve të mësipërm nëse defekti ka të bëjë me faktet që kanë qenë të njohura apo nuk kanë mundur të ngelin të panjohura dhe se kanë dështuar të njoftojnë porositësin, respektivisht fituesin tjetër, ose përmes veprimit të tyre ata e kanë keqinformuar porositësin, respektivisht fituesin, në atë mënyrë që ta bëjnë atë të mos ketë mundësi ta shfrytëzojnë këtë të drejtë me kohë.
Neni 660Zvogëlimi dhe përjashtimi i përgjegjësisë
1. Kryerësi nuk lirohet nga përgjegjësia në qoftë se dëmi është shkaktuar për shkak se gjatë kryerjes së punimeve të caktuara ka vepruar sipas kërkesave të porositësit.
2. Në qoftë se para kryerjes së punës së caktuar sipas kërkesës së porositësit ia ka tërhequr vërejtjen për rrezikun nga dëmi, përgjegjësia e tij zvogëlohet dhe sipas rrethanave të rastit konkret, mundet edhe të përjashtohet.
Neni 661Regresi
1. Kur për dëmin janë përgjegjës kryerësi dhe projektuesi, përgjegjësia e secilit prej tyre caktohet sipas madhësisë së fajit të tij.
2. Projektuesi që e ka hartuar projektin e godinës dhe të cilit i është besuar mbikëqyrja e kryerjes së punimeve të planifikuara përgjigjet edhe për të metat në punimet e bëra të shkaktuara me faj të kryerësit të punimeve, në qoftë se ka mundur t’i vinte re me mbikëqyrjen normale dhe të arsyeshme të punimeve, por ka të drejtë të kërkojë nga kryerësi i punimeve shpërblimin përkatës.
3. Kryerësi i punimeve që e ka shpërblyer dëmin e shkaktuar për shkak të të metave në punimet e kryera ka të drejtë të kërkojë shpërblimin nga projektuesi në masën në të cilën të metat në punimet e kryera rrjedhin prej të metave në projekt.
4. Nëse për të metën është përgjegjës një person, të cilit kryerësi i’a ka besuar kryerjen e një pjese të punës, atëherë kryerësi duhet – nëse dëshiron shpërblim prej atij personi - të njoftojë për ekzistimin e të metës në afat prej dy (2) muajsh, duke e llogaritur nga dita kur ai vet ka qenë i njoftuar nga porositësi për të njëjtën të metë. PJESA XI KONTRATA PËR TRANSPORTIN KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 662Nocioni
1. Me kontratën për transportin detyrohet transportuesi që të transportojë në vendin e caktuar ndonjë person ose send, ndërsa udhëtari, respektivisht dërguesi detyrohet që për këtë t’i paguajë shpërblimin e caktuar.
2. Transportuesi sipas këtij ligji konsiderohet si personi i cili merret me transport si punë të rregullt të tij, ashtu edhe çdo person tjetër i cili detyrohet me kontratë të kryejë transportin me shpërblim.
Neni 663Detyrimet e transportuesit në transportin liniar
1. Transportuesi i cili kryen transportin në një linjë të caktuar (transporti liniar) ka për detyrë që rregullisht dhe në gjendje të rregullt të mbajë linjën e shpallur.
2. Ai ka për detyrë të pranojë për transport çdo person dhe çdo send që përmbushin kushtet e caktuara me kushtet e përgjithshme të shpallura.
3. Në qoftë se mjetet e rregullta të transportit të transportuesit nuk mjaftojnë për kryerjen e të gjitha transporteve të kërkuara, përparësi kanë personat ose sendet për të cilat kjo është parashikuar me dispozita të veçanta, ndërsa përparësia e mëtejshme caktohet sipas radhës së kërkesave, por midis kërkesave të njëkohshme përparësia caktohet sipas gjatësisë më të madhe të transportit.
Neni 664Denoncimi i kontratës
1. Dërguesi, respektivisht udhëtari mund të denoncojë kontratën para se të fillojë përmbushja e saj, por ka për detyrë ta shpërblejë dëmin të cilin transportuesi do ta pësonte për këtë shkak.
2. Kur transportuesi vonon me fillimin e transportit aq sa pala tjetër nuk ka më interes për transportin e kontraktuar, ose kur transportuesi nuk mund ose nuk donë të kryejë transportin e kontraktuar, pala tjetër mund të denoncoj nga kontrata dhe të kërkojë kthimin e shpërblimit të paguar për transportin.
Neni 665Shuma e shpërblimit për transport
1. Në qofte se shuma e shpërblimit për transport është caktuar me tarifë ose me ndonjë akt tjetër detyrues të shpallur, nuk mund të kontraktohet shpërblimi më i madh.
2. Në qoftë se shuma e shpërblimit për transport nuk është caktuar me tarifë ose me ndonjë akt detyrues tjetër të shpallur e as me kontratë, transportuesi ka të drejtë për shpërblim të zakonshëm për këtë lloj transporti.
3. Në pjesën tjetër në mënyrë përkatëse zbatohen dispozitat për shpërblimin të përmbajtura në pjesën e këtij ligji për kontratën për veprën.
Neni 666Kufizimi i zbatimit të dispozitave të kësaj pjese
Dispozitat e kësaj pjese zbatohen në të gjitha llojet e transportit, në qoftë se me ligj për lloje të veçanta nuk është caktuar ndryshe. KREU 2 KONTRATA PËR TRANSPORTIN E SENDEVE NËNKREU 1 DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 667Dorëzimi i sendeve
Transportuesi ka për detyrë që sendin të cilin e ka pranuar për transport t’ia dorëzojë në vendin e caktuar dërguesit ose personit të caktuar (marrësit).
Neni 668Detyrat e dërguesit për ta njoftuar transportuesin
1. Dërguesi ka për detyrë ta njoftojë transportuesin për llojin e dërgesës dhe për përmbajtjen dhe sasinë e saj dhe t'i komunikojë se ku duhet të transportohet dërgesa, emrin dhe adresën e marrësit të dërgesës, emrin dhe adresën e vet, si dhe çdo gjë të nevojshme që transportuesi të mund t'i përmbushë detyrimet e veta pa shtyrje dhe pengesa.
2. Kur në dërgesë ndodhen sende te çmueshme, letra me vlerë ose sende tjera të shtrenjta, dërguesi ka për detyrë që për këtë ta njoftojë transportuesin në momentin e dorëzimit të tyre për transport dhe t’ia komunikojë vlerën e tyre.
3. Kur është fjala për transportin e sendeve të rrezikshme ose të sendeve për të cilat nevojiten kushte të veçanta të transportit, dërguesi ka për detyrë që për këtë ta njoftojë transportuesin me kohë, kështu që ai do të mund të ndërmerr masa përkatëse të veçanta.
4. Në qoftë se dërguesi nuk i jep transportuesit të dhënat nga paragrafi 1. dhe 3. të këtij neni, ose i jep gabimisht përgjigjet për dëmin që do të shkaktohej për shkak të kësaj.
Neni 669Fletëngarkesa
1. Kontraktuesit mund të merren vesh që për dërgesën e dorëzuar për transport të përpilohet fletëngarkesa.
2. Fletëngarkesa duhet të përmbajë emrin dhe adresën e dërguesit e të transportuesit, llojin, përmbajtjen dhe sasinë e dërgesës, si dhe vlerën e sendeve të çmueshme dhe sendeve të tjera të shtrenjta, vendin e destinimit, shumën e shpërblimit për transport, respektivisht shënimin se shpërblimi është parapaguar, dispozitën për shumën me të cilën është ngarkuar dërgesa, vendi dhe dita e lëshimit të fletëngarkesës.
3. Në fletëngarkesë mund të futen edhe dispozita të tjera të kontratës për transportin.
4. Fletëngarkesa duhet të jetë e nënshkruar nga të dy kontraktuesit.
5. Fletëngarkesa mund të përmbajë dispozitën "sipas urdhrit" ose të jetë e shënuar në prurësin.
Neni 670Kontrata për transportin dhe fletëngarkesa
Ekzistimi dhe vlefshmëria juridike e kontratës për transportin janë të pavarura nga ekzistimi i fletëngarkesës dhe nga saktësia e saj.
Neni 671Vërtetimi për marrjen në dorëzim për transport
Në qoftë se nuk është dhënë fletëngarkesa, dërguesi mund të kërkojë nga transportuesi që t’i lëshojë vërtetimin për marrjen e dërgesës për transport me të dhënat që duhet t’i përmbajë fletëngarkesa. NËNKREU 2 MARRËDHËNIA E DËRGUESIT DHE TRANSPORTUESIT
Neni 672Paketimi
1. Dërguesi ka për detyrë t’i paketojë sendet sipas mënyrës së parashikuar ose të praktikuar, kështu që të mos shkaktohet ndonjë dëm ose të rrezikohet siguria e njerëzve ose e të mirave.
2. Transportuesi ka për detyrë të paralajmërojë dërguesin për të metat e paketimit që mund të vihen re, përndryshe përgjigjet për dëmtimin e dërgesës që do të shkaktohej për shkak të këtyre të metave.
3. Transportuesi nuk përgjigjet për dëmtimin e dërgesës në qoftë se dërguesi, megjithëse iu ka tërhequr vërejtja për të metat e paketimit, ka kërkuar që transportuesi ta pranojë dërgesën për transport me këto të meta.
4. Transportuesi ka për detyrë që të refuzojë dërgesën në qoftë se të metat në paketimin e saj janë të tilla sa që mund të rrezikohet siguria e personave ose e të mirave, ose të shkaktohet ndonjë dëm.
5. Për dëmin që për shkak të metës në paketim e pësojnë personat e tretë deri sa sendi ndodhet te transportuesi, përgjigjet transportuesi, ndërsa ky ka të drejtë të kërkojë shpërblimin nga dërguesi.
Neni 673Shpërblimi për transport dhe shpenzimet në lidhje me transportin
1. Dërguesi ka për detyrë t’i paguajë transportuesit shpërblimin për transport dhe shpenzimet në lidhje me transportin.
2. Në qoftë se në fletëngarkesë nuk është theksuar se dërguesi paguan shpërblimin për transport dhe shpenzimet e tjera lidhur me transportin, supozohet se dërguesi ka udhëzuar transportuesin që shpërblimin ta arkëtojë nga marrësi.
Neni 674Disponimi me dërgesën
1. Dërguesi mund të disponojë me dërgesën edhe t’i ndryshojë urdhrat e përmbajtura në kontratë dhe mund t’i urdhërojë transportuesit ta ndalë transportin e mëtejshëm të dërgesës, t’ia kthejë dërgesën, t’ia dorëzojë marrësit tjetër ose ta udhëzojë në një vend tjetër.
2. E drejta e dërguesit për t’i ndryshuar urdhrat shuhet pas arritjes së dërgesës në vendin e destinacionit, kur transportuesi i’a dorëzon marrësit fletëngarkesën ose kur transportuesi e fton marrësin që të marrë dërgesën, ose kur marrësi e kërkon vet dorëzimin e saj.
3. Në qoftë se është lëshuar fletëngarkesa sipas urdhrit, respektivisht në prurësin, të dhënat e dërguesit nga paragrafi paraprak i takojnë ekskluzivisht zotëruesit të fletëngarkesës.
4. Personi i autorizuar që shfrytëzon të drejtën e dhënies së urdhëresave të reja transportuesit ka për detyrë t’ia shpërblejë shpenzimet dhe dëmin që i ka pasur për shkak të kësaj dhe që me kërkesën e tij t’i japë dorëzani se shpenzimet dhe dëmi do t’i shpërblehen.
Neni 675Drejtimi i transportit
1. Transportuesi ka për detyrë ta kryejë transportin në mënyrën e kontraktuar.
2. Në qoftë se nuk është kontraktuar se në cilën rrugë duhet të bëhet transporti, transportuesi ka për detyrë që ta bëjë në atë rrugë që i përgjigjet më tepër interesave të dërguesit.
Neni 676Pengesat gjatë kryerjes së transportit
1. Transportuesi ka për detyrë ta njoftojë dërguesin për të gjitha rrethanat që do të kishin ndikim në kryerjen e transportit dhe të veprojë sipas udhëzimeve që i merr nga ai.
2. Transportuesi nuk është i detyruar të veprojë sipas udhëzimeve të dërguesit, zbatimi i të cilave do të mund të rrezikonte sigurinë e personave ose të të mirave.
3. Në qoftë se rasti do të ishte i tillë sa të mos mund të priten udhëzimet e dërguesit, transportuesi ka për detyrë të veprojë siç do të vepronte ekonomisti i mirë përkatësisht shtëpiaku i mirë në të njëjtën situatë dhe për këtë ta njoftojë dërguesin e të kërkojë udhëzimet e tij të mëtejshme.
4. Transportuesi ka të drejtë për shpërblimin e shpenzimeve që kanë ndodhur për shkak të pengesave të dalura pa fajin e tij.
Neni 677Shpërblimi në rastin e ndërprerjes së transportit
1. Në qoftë se për ndonjë shkak për të cilin përgjigjet transportuesi është ndërprerë transporti ai ka të drejtë në pjesën proporcionale të shpërblimit për transportin e kryer, por ka për detyrë që ta shpërblejë dëmin që do të krijohej për palën tjetër për shkak të ndërprerjes së transportit.
2. Në qoftë se transporti është ndërprerë për ndonjë shkak për të cilin nuk përgjigjet askush nga personat e interesuar, transportuesi ka të drejtë në diferencën midis shpërblimit të kontraktuar për transport dhe shpenzimeve të transportit nga vendi ku është ndërprerë transporti deri në vendin e destinimit.
3. Transportuesi nuk ka të drejtë as në një pjesë të shpërblimit, në qoftë se gjatë transportit dërgesa shkatërrohet për shkak të fuqisë madhore.
Neni 678Kur dërgesa nuk mund të dorëzohet
1. Në qoftë se marrësi nuk mund të njoftohet për arritjen e dërgesës ose refuzon ta pranojë dhe në përgjithësi në qoftë se dërgesa nuk mund të dorëzohet ose në qoftë se marrësi nuk i’a paguan transportuesit shpërblimin qe e ka për detyrë dhe shumat e tjera që e ngarkojnë dërgesën, transportuesi ka për detyrë ta njoftojë për këtë dërguesin, të kërkojë prej tij udhëzime dhe të ndermerr masa të duhura për llogari të tij për ruajtjen e sendit.
2. Në qoftë se brenda afatit të arsyeshëm personi i autorizuar nuk pranon dërgesën, transportuesi ka të drejtë ta shesë dërgesën sipas rregullave për shitjen e sendit në rastin e vonesës së kreditorit dhe të arkëtojë kërkesat e veta nga çmimi i realizuar, ndërsa mbetjen ka për detyrë ta depozitojë në gjykatë për personin e autorizuar.
Neni 679Përgjegjësia e transportuesit ndaj dërguesit
Në qoftë se transportuesi i’a ka dorëzuar dërgesën marrësit, ndërsa nuk e ka arkëtuar prej tij shumën me të cilën ka qenë e ngarkuar, ka për detyrë t’ia paguajë këtë shumë dërguesit, por ka të drejtë të kërkojë shpërblimin nga marrësi. NËNKREU 3 MARRËDHËNIA E TRANSPORTUESIT DHE MARRËSIT
Neni 680Njoftimi i marrësit për arritjen e dërgesës
1. Transportuesi ka për detyrë ta njoftojë marrësin pa vonesë se dërgesa ka arritur, t’ia vejë në dispozicion si është kontraktuar dhe t’i paraqesë fletëngarkesën, nëse një fletëngarkesë e tillë është lëshuar.
2. Në rastin kur është lëshuar fletëngarkesa sipas urdhrit ose në prurësin, ai ka për detyrë të veprojë sipas paragrafit 1. të këtij neni vetëm në qoftë se në fletëngarkesë është shënuar personi në vendin e destinimit se dërgesa ka arritur.
Neni 681Dorëzimi i dërgesës kur është lëshuar duplikati i fletdërgesës
Transportuesi mund të refuzojë ta dorëzojë dërgesën, në qoftë se njëkohësisht nuk i jepet duplikati i fletëngarkesës në të cilën e ka vërtetuar se dërgesa i është dorëzuar.
Neni 682E drejta e marrësit për të kërkuar dorëzimin e dërgesës
1. Marrësi mund të ushtrojë të drejtat nga kontrata për transportin ndaj transportuesit dhe të kërkojë prej tij t’ia dorëzojë fletëngarkesën dhe dërgesën vetëm pasi që ajo të arrijë në vendin e destinimit.
2. Transportuesi ka për detyrë që me kërkesën e marrësit t’ia dorëzojë dërgesën para se ajo të arrijë në vendin e destinimit, vetëm në qoftë se për këtë e ka autorizuar dërguesi.
3. Marrësi mund të ushtrojë të drejtat nga kontrata për transportin dhe të kërkojë nga transportuesi t’ia dorëzojë dërgesën vetëm në qoftë se i plotëson kushtet e parashikuara në kontratën për transportin.
Neni 683Vërtetimi i identitetit dhe i gjendjes së dërgesës
1. Personi i autorizuar ka të drejtë të kërkojë që me procesverbal të vërtetohet identiteti i dërgesës dhe në qoftë se dërgesa është dëmtuar, në çka qëndron ky dëmtim.
2. Në qoftë se vërtetohet se dërgesa nuk është ajo që i është dorëzuar transportuesit ose dëmtimi është më i madh se sa ka pohuar transportuesi, atëherë shpenzimet e vërtetimit i paguan transportuesi.
Neni 684Detyrimi i marrësit për të paguar shpërblimin për transportin
1. Me marrjen në dorëzim të dërgesës dhe të fletëngarkesës, në qoftë se është lëshuar, marrësi detyrohet t’i paguajë transportuesit shpërblimin për transport, në qoftë se nuk është caktuar diçka tjetër në kontratën për transportin ose në fletëngarkesën, si dhe t’i paguajë shumat me të cilat është ngarkuar dërgesa.
2. Në qoftë se marrësi konsideron se nuk e ka për detyrë t’i paguajë transportuesit aq sa kërkon ky, ai mund të ushtrojë të drejtat nga kontrata vetëm në qoftë se në gjykatë e deponon shumën kontestuese. NËNKREU 4 PËRGJEGJËSIA E TRANSPORTUESIT PËR HUMBJE, DËMTIM DHE VONESËN E DËRGESËS
Neni 685Humbja ose dëmtimi i dërgesës
1. Transportuesi përgjigjet për humbjen ose për dëmtimin e dërgesës që do të shkaktoheshin prej çastit të marrjes në dorëzim deri në dorëzimin e saj, përveç nëse i janë shkaktuar me veprimin e personit të autorizuar, nga cilësia e dërgesës ose nga shkaqet e jashtme që nuk kanë mund të parashikohen si edhe të shmangen ose mënjanohen.
2. Janë nule dispozitat e kontratës për transport, të kushteve të përgjithshme të transportit të tarifave ose të ndonjë akti tjetër të përgjithshëm sipas të cilave kjo përgjegjësi zvogëlohet.
3. Por është e plotfuqishme dispozita që cakton shumën më të lartë të shpërblimit, me kusht që mos të jetë në disproporcion të dukshëm me dëmin.
4. Ky kufizim i shumës së shpërblimit nuk vlen në qoftë se dëmin e ka shkaktuar transportuesi me dashje ose nga pakujdesia e rëndë.
5. Në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe, shuma e shpërblimit caktohet sipas çmimit të tregut të dërgesës në kohën dhe vendin e dorëzimit për transport.
Neni 686Humbja ose dëmtimi i dërgesës së sendeve të shtrenjta
1. Në rastin e humbjes ose të dëmtimit të dërgesës në të cilën gjendeshin sende të çmueshme, letra me vlerë ose sende të tjera të shtrenjta, transportuesi ka për detyrë të shpërblejë dëmin e shkaktuar, vetëm në qoftë se me rastin e dorëzimit të sendit për transport ka qenë i njoftuar për natyrën e këtyre sendeve dhe për vlerën e tyre, ose në qoftë se dëmin e ka shkaktuar me dashje ose nga pakujdesia e rëndë.
2. Në qoftë se me sendet e përmendura në dërgesë kanë qenë edhe sende të tjera, për humbjen ose dëmtimin e tyre transportuesi përgjigjet sipas rregullave të përgjithshme për përgjegjësinë e trasnportuesit.
Neni 687Kthimi i shpërblimit të paguar për transport
Në rastin e humbjes së plotë të dërgesës, transportuesi ka për detyrë që përveç shpërblimit të dëmit, dërguesit t’i kthejë shpërblimin për transport në qoftë se ai është paguar.
Neni 688Kur marrësi e merr dërgesën pa kundërshtim
1. Kur marrësi e merr dërgesën pa kundërshtim dhe i paguan transportuesit kërkesat e tij, shuhet përgjegjësia e transportuesit, përveç nëse dëmtimi është konstatuar me procesverbal para marrjes së dërgesës.
2. Transportuesi mbetet përgjegjës për dëmtimet e dërgesës që mund të viheshin re në momentin e dorëzimit, në qoftë se marrësi e ka njoftuar për këto dëmtime menjëherë pas zbulimit të tyre, por jo më vonë se tetë (8) ditë nga dorëzimi.
3. Transportuesi nuk mund të thirret në dispozitat e paragrafëve paraprake, në qoftë se dëmtimi është shkaktuar me dashje ose nga pakujdesia e rëndë.
Neni 689Përgjegjësia e transportuesit për vonesë
Transportuesi përgjigjet për dëmin e shkaktuar për shkak të vonesës, përveç nëse vonesa është shkaktuar nga ndonjë fakt që përjashton përgjegjësinë e tij për humbjen ose dëmtimin e sendit.
Neni 690Përgjegjësia për ndihmësit
Transportuesi përgjigjet për personat që kanë punuar në kryerjen e transportit sipas urdhrit të tij. NËNKREU 5 PJESËMARRJA E DISA TRANSPORTUESEVE NË TRASPORTIN E DËRGESËS
Neni 691Përgjegjësia solidare
1. Transportuesi, i cili ia beson ndonjë transportuesi tjetër kryerjen e transportit të dërgesës tërësisht ose pjesërisht që e ka pranuar për transport mbetet edhe më tej përgjegjës për transportin e saj që nga marrja deri te dorëzimi, por ka të drejtë në shpërblim nga transportuesi të cilit i’a ka besuar dërgesën.
2. Në qoftë se transportuesi tjetër e merr nga transportuesi i parë bashkë me dërgesën edhe fletëngarkesën, ai bëhet palë kontraktuese në transportin me të drejtat dhe detyrat e debitorit solidar dhe të kreditorit solidar, kontributet e të cilit janë në përpjesëtim me pjesëmarrjen e tij në transport.
3. E njëjta vlen edhe kur për kryerjen e transportit të ndonjë dërgese detyrohen me të njëjtën kontratë disa transportues, të cilët do të marrin pjesë në transport njëri pas tjetrit.
4. Secili prej disa transportueseve ka të drejtë të kërkojë që të vërtetohet gjendja e dërgesës në momentin kur i dorëzohet për kryerjen e pjesës së tij të transportit.
5. Transportuesit solidarë marrin pjesë në bartjen e dëmit përpjesëtimisht me kontributet e tyre në transport, përveç atij që provon se dëmi nuk është shkaktuar deri sa ai ka transportuar dërgesën.
6. Kundërshtimet e bëra transportuesit të mëvonshëm kanë efekt edhe ndaj transportuesve të mëparshëm.
Neni 692Përgjegjësia e pjesëtuar e transportuesve
Kur në kryerjen e transportit të një dërgese marrin pjesë njëri pas tjetrit disa transportues që i ka caktuar dërguesi, secili prej tyre përgjigjet vetëm për pjesën e vet të transportit. NËNKREU 6 E DREJTA E PENGUT
Neni 693Kur transportuesi ka të drejtë pengu
1. Për sigurimin e arkëtimit të shpërblimit për transport e të shpenzimeve të domosdoshme që i ka bërë lidhur me transportin, transportuesi ka të drejtën e pengut në sendet që i janë dorëzuar për transport dhe lidhur me transportin deri sa i mban dhe deri sa ka në dorë dokumentin me ndihmën e të cilit mund të disponojë me to.
2. Kur në kryerjen e transportit kanë marrë pjesë disa transportues njëri pas tjetrit, kërkesat e tyre lidhur me transportin janë të siguruara gjithashtu me këtë peng dhe transportuesi i fundit ka për detyrë, në qoftë se fletëngarkesa nuk përmban diçka tjetër, t’i arkëtojë të gjitha kërkesat sipas fletëngarkesës.
3. Kërkesat e transportuesit të mëparshëm dhe e drejta e tij e pengut kalojnë në transportuesin e mëvonshëm i cili i’a ka paguar këto kërkesa.
4. Kjo njësoj vlen në qoftë se transportuesi paguan kërkesat e shpediterit.
Neni 694Konflikti i të drejtave të pengut
1. Kur përveç të drejtës së pengut të transportuesit ekzistojnë në të njëjtin send njëkohësisht të drejtat e pengut të komisionarit, të shpediterit dhe të magazionerit, përparësi arkëtimi kanë kërkesat e atyre kreditoreve të krijuara me shpeditimin ose transportimin dhe atë me rend të kundërt sipas të cilit janë krijuar.
2. Kërkesat e tjera të komisionarëve, të magazionerëve, të shpeditorëve dhe të transportuesit te krijuara nga dhënia e paradhënieve arkëtohen vetëm pas pagimit të kërkesave të përmendura në paragrafin 1. të këtij neni sipas radhës që janë krijuar. KREU 3 KONTRATA PËR TRANSPORTIN E PERSONAVE
Neni 695Dispozita e përgjithshme
Transportuesi ka për detyrë që transportin e personave ta kryej në mënyrë të sigurt me atë mjet të transportit që është caktuar me kontratë për transportin dhe me ato kushte komoditeti dhe higjienike të cilat sipas llojit të mjetit transportues përkatës dhe largësisë së rrugës, konsiderohen të domosdoshme.
Neni 696E drejta e udhëtarit për vendin e caktuar
Transportuesi ka për detyrë t’i japë udhëtarit atë vend dhe në atë mjet transporti si është kontraktuar.
Neni 697Përgjegjësia e transportuesit për vonesë
1. Transportuesi ka për detyrë t’i transportojë udhëtarët në vendin e caktuar me kohë.
2. Ai përgjigjet për dëmin të cilin udhëtari do ta pësonte për shkak të vonesës, përveç nëse vonesa ka ardhur nga shkaku i cili nuk ka mundur të mënjanohet as me kujdesin e ekspertit.
Neni 698Përgjegjësia e transportuesit për sigurinë e udhëtarëve
1. Transportuesi përgjigjet për sigurinë e udhëtarëve nga fillimi i transportit deri në mbarim të tij, si në rastin e transportit me pagesë, ashtu edhe në transport falas dhe ka për detyrë që të shpërblejë dëmin që shkaktohet me dëmtimin e shëndetit, lëndimin ose vdekjen e udhëtarit, përveç nëse është shkaktuar me veprimin e udhëtarit ose shkakun e jashtëm i cili nuk ka mundur të parashihet, të shmanget ose të mënjanohet.
2. Nule janë dispozitat e kontratës dhe të kushteve të përgjithshme të transportit, të tarifës ose të ndonjë akti tjetër të përgjithshëm me të cilat zvogëlohet kjo përgjegjësi.
Neni 699Përgjegjësia për bagazhin e dorëzuar për transport dhe sende të tjera
1. Bagazhin të cilin ia ka dorëzuar udhëtari, transportuesi ka për detyrë ta transportojë në të njëjtën kohë kur edhe udhëtarin dhe t’ia dorëzojë atë pas përfundimit të transportit.
2. Për humbjen dhe dëmtimin e bagazhit që i’a ka dorëzuar udhëtari, transportuesi përgjigjet sipas dispozitave për transportin e sendeve.
3. Për dëmtimin e sendeve që i mban me vete udhëtari përgjigjet transportuesi sipas rregullave të përgjithshme për përgjegjësinë. PJESA XII KONTRATA PËR LICENCËN KREU 1 DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 700Nocioni
Me kontratën për licencën detyrohet dhënësi i licencës që fituesit të licencës t’i bartë në tërësi ose pjesërisht të drejtën e shfrytëzimit të shpikjes, të diturisë teknike, të përvojës, të damkës, të mostrës ose modelit, kurse fituesi i licencës detyrohet t’ia paguajë shpërblimin e caktuar.