Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 8. Përpunimi i kategorive të veçanta të të dhënave personale

1. Përpunimi i të dhënave personale që tregon origjinën racore ose etnike, bindjet politike, bindjet fetare ose filozofike, anëtarësinë në bashkimet profesionale, si dhe përpunimi i të dhënave gjenetike, të dhënave biometrike për qëllimet e identifikimit të një personi fizik në mënyrë unike, të dhënat në lidhje me shëndetin ose të dhënat në lidhje me jetën seksuale ose orientimin seksual të një personi fizik është i ndaluar.

2. Paragrafi 1.i këtij neni nuk zbatohet nëse ekziston ndonjëra nga rrethanat e mëposhtme:

2.1. subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e qartë për përpunimin e atyre të dhënave personale për një ose disa qëllime më specifike, përveç kur legjislacioni përkatës në fuqi përcakton që ndalimi i parashikuar në paragrafin 1.të këtij neni nuk mund të anulohet nga subjekti i të dhënave;

2.2. përpunimi është i nevojshëm për përmbushjen e detyrimeve dhe ushtrimin e të drejtave specifike të kontrolluesit ose të subjektit të të dhënave në sferën e të drejtës së punësimit, sigurimeve shoqërore dhe mbrojtjes sociale, në masën që është i autorizuar nga legjislacioni përkatës në fuqi ose një marrëveshje kolektive që garanton të drejtat themelore dhe interesat e subjektit të të dhënave;

2.3. përpunimi është i nevojshëm për të mbrojtur interesat jetike të subjektit të të dhënave ose të një personi tjetër fizik, nëse subjekti i të dhënave nuk është fizikisht ose ligjërisht në gjendje të japë pëlqimin;

2.4. nëse ato përpunohen për qëllime të veprimtarive legjitime dhe me garanci të duhura nga institucionet, shoqatat, asociacionet, bashkësitë fetare, sindikatat ose organizatat e tjera jofitimprurëse me qëllime politike, filozofike, fetare ose sindikaliste, por vetëm nëse përpunimi ka të bëjë me anëtarët e tyre ose subjektet e të dhënave që janë në kontakt të rregullt me ato e në lidhje me qëllimet e tilla dhe nëse ata nuk i zbulojnë të dhënat e tilla të tjerëve pa pëlqimin me shkrim të subjektit të të dhënave;

2.5. nëse subjekti i të dhënave i ka bërë ato publike pa e kufizuar përdorimin e tyre në mënyrë të dëshmuar ose të qartë;

2.6. përpunimi është i nevojshëm për ngritjen, ushtrimin ose mbrojtjen e pretendimeve ligjore ose kurdoherë që gjykatat veprojnë në cilësinë e tyre gjyqësore;

2.7. përpunimi është i nevojshëm për interesin thelbësor publik mbi bazën e legjislacionit përkatës;

2.8. përpunimi është i nevojshëm për qëllimet e mjekësisë parandaluese ose të punës, për vlerësimin e kapacitetit të punës së punonjësit, diagnozës mjekësore, dhënien e kujdesit shëndetësor social, trajtimin, menaxhimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor ose social dhe shërbimet mbi bazën e legjislacionit përkatës ose në pajtim me kontratat me një profesionist shëndetësor kur ato të dhëna procesohen nga ndonjë profesionist apo nën përgjegjësinë e tij që i nënshtrohet obligimit të fshehtësisë profesionale sipas legjislacionit përkatës, rregullave të themeluara nga organet kompetente nacionale apo nga ndonjë person tjetër që po ashtu i nënshtrohet obligimit të fshehtësisë;

2.9. përpunimi është i nevojshëm për shkaqe të interesit publik në sferën e shëndetit publik, si mbrojtja ndaj kërcënimeve të rënda ndërkufitare për shëndetin ose garantimin e standardeve të larta të cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor dhe të produkteve mjekësore ose pajisjeve medicinale, mbi bazën e legjislacionit përkatës;

2.10. përpunimi është i nevojshëm për qëllimet e arkivimit në interes publik, të kërkimeve shkencore, historike, statistikore.

3. Të dhënat personale të përmendura në paragrafin 1. të këtij neni mund të përpunohen për qëllimet e përmendura në nën-paragrafin 2. të këtij neni, kur ato të dhëna përpunohen në mënyrë proporcionale me qëllimin e kërkuar, përpunimi i tyre e respekton thelbin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave dhe bëhet në pajtim me masat specifike për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave themelore të subjektit të të dhënave siç parashihet në këtë ligj, përfshirë aty ku është e nevojshme, fshehtësinë profesionale.

4. Kategoritë e veçanta të të dhënave personale ,duhet të mbrohen në mënyrë të veçantë dhe të klasifikohen me qëllim të parandalimit të qasjes dhe përdorimit të paautorizuar, përveç në rastet nga nën-paragrafi 2.5. i paragrafit 2. të këtij neni.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.