Neni 73. Të drejtat dhe përgjegjësitë e kontrolluesve të të dhënave
1. Kontrolluesit e të dhënave mund të përdorin të dhënat personale që ata i kanë siguruar nga burimet publike të qasshme ose brenda kufijve të kryerjes së ligjshme të aktiviteteve për qëllime të ofrimit të mallrave, shërbimeve, punësimit ose kryerjes së përkohshme të punës përmes përdorimit të shërbimeve postare, thirrjeve telefonike, postës elektronike ose mënyrave të tjera të telekomunikimit (më tutje në tekst: marketingu i drejtpërdrejtë) në pajtim me dispozitat e këtij kreu, përveç nëse me ligjin përkatës është paraparë ndryshe.
2. Për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, kontrolluesit e të dhënave mund të përdorin vetëm të dhënat personale të grumbulluara në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni: emrin personal, adresën e vendbanimit të përhershëm ose të përkohshëm, numrin e telefonit, adresën e postës elektronike (e-mail). Në bazë të pëlqimit paraprak të subjektit të të dhënave, kontrolluesit e të dhënave mund të përpunojnë të dhëna të tjera personale, por të dhënat personale të ndjeshme mund t’i përpunojnë vetëm nëse ata e posedojnë pëlqimin me shkrim.
3. Kur kontrolluesit e të dhënave kryejnë marketing të drejtpërdrejtë, duhet t’i informojnë subjektet e të dhënave për të drejtat e tyre sipas dispozitave të këtij ligji.
4. Nëse kontrolluesit e të dhënave kanë për qëllim të zbulojnë të dhëna personale nga paragrafi
2. i këtij neni, te marrësit e tjerë të të dhënave për qëllim të marketingut të drejtpërdrejtë, ose tek përpunuesit e të dhënave, ata janë të detyruar që të informojnë subjektin e të dhënave dhe të marrin pëlqimin me shkrim të tij ose të saj para se të zbulohen të dhënat e tilla. Njoftimi për subjektin e të dhënave lidhur me zbulimin në fjalë duhet të përmbajë të gjitha informacionet që synohen të zbulohen si dhe kujt dhe për çfarë qëllimi. Shpenzimet e njoftimit mbulohen nga kontrolluesi i të dhënave.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.