Neni 71. Masat e inspektimit
1. Nëse zyrtari i inspektimit vë re shkelje të këtij ligji ose të cilitdo ligj apo rregullore që rregullon përpunimin e të dhënave personale, ai ose ajo ka të drejtë që:
1.1. të urdhërojë eliminimin e parregullsive ose mangësive që ai ose ajo i vë re, në mënyrën dhe brenda afatit të caktuar më parë nga ai ose ajo. Kjo mund të përfshijë asgjësimin, bllokimin, shkatërrimin, fshirjen ose anonimizimin e të dhënave personale në pajtim me ligjin;
1.2. të ndalojë përkohësisht dhe në mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale nga kontrolluesit dhe përpunuesit në sektorët publikë ose privatë, të cilët kanë dështuar në zbatimin e masave dhe procedurave të nevojshme për sigurimin e të dhënave personale;
1.3. të ndalojë përkohësisht dhe në mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale, anonimizimin e tyre, klasifikimin dhe bllokimin e të dhënave personale, sa herë që ai ose ajo konkludon se të dhënat personale janë duke u përpunuar në kundërshtim me dispozitat ligjore;
1.4. të ndalojë përkohësisht dhe në mënyrë të caktuar përpunimin e të dhënave personale në vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, ose zbulimin e tyre marrësve të huaj, nëse ato janë transferuar ose zbuluar në kundërshtim me dispozitat ligjore ose me marrëveshjet ndërkombëtare;
1.5. të urdhërojë kontrolluesin ose përpunuesin të përmbushë kërkesat e subjektit të të dhënave për të ushtruar të drejtat e tij ose të saj në pajtim me këtë ligj;
1.6. të shqiptojë gjobë për shkeljet e këtij ligji;
1.7. të paralajmërojë ose këshillojë me shkrim kontrolluesin e të dhënave ose përpunuesin e të dhënave në rastet e shkeljeve të vogla.
2. Në rast të parregullsive ose mangësive, kontrolluesi i të dhënave ose përpunuesi i të dhënave duhet që menjëherë t’i korrigjojë ato pas marrjes së udhëzimeve me shkrim ose këshillimit nga zyrtari i inspektimit, për të siguruar përpunim të ligjshëm të të dhënave.
3. Kundër vendimit përfundimtar të Agjencisë nga paragrafi 1. i këtij neni, nuk lejohet ankesa, por mund të hapet konflikti administrativ në gjykatën kompetente.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.