Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 58. Organizimi i Agjencisë

1. Agjencia udhëhiqet nga Komisioneri.

2. Komisioneri përfaqëson Agjencinë, organizon dhe koordinon punën e saj.

3. Agjencia ka Drejtorin e Përgjithshëm, i cili kryen të gjitha detyrat e Zyrtarit Kryesor Administrativ, në pajtim me legjislacionin përkatës.

4. Struktura organizative e Agjencisë përbëhet nga dy (2) fusha të veçanta profesionale për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

5. Fushat e veçanta profesionale, të përcaktuara në paragrafin 4. të këtij neni, udhëhiqen dhe përbëhen nga shërbyes civilë, sipas këtij ligji dhe legjislacionit përkatës.

6. Zyrtarët e Agjencisë përmbahen nga çdo veprim që bie ndesh me detyrat e tyre dhe, gjatë mandatit të tyre, nuk angazhohen në profesione që bien ndesh me detyrat e tyre, qofshin me apo pa pagesë.

7. Në pajtim me ligjin përkatës në fuqi, Komisioneri nxjerr një akt nënligjor për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Agjencisë.

8. Zyrtarët e Agjencisë, në pajtim me këtë ligj, i nënshtrohen detyrës së fshehtësisë profesionale si gjatë mandatit ashtu edhe pas përfundimit të mandatit, në lidhje me çdo informatë konfidenciale që ata hasin gjatë kryerjes së detyrave apo ushtrimit të kompetencave të tyre.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.