Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 33. Njoftimi i Agjencisë për një shkelje të të dhënave personale

1. Në rastin e një shkeljeje të të dhënave personale, kontrolluesi, pa vonesë dhe sipas rastit, jo më vonë se shtatëdhjetë e dy (72) orë pasi të jetë informuar rreth saj, njofton Agjencinë për shkeljen e të dhënave personale, përveç kur shkelja e të dhënave personale nuk mund të rezultojë në një rrezik për të drejtat dhe liritë e personave fizikë. Nëse njoftimi i Agjencisë nuk bëhet brenda shtatëdhjetë e dy (72) orëve, ai shoqërohet me shkaqet e vonesës.

2. Përpunuesit njoftojnë kontrolluesin, pa vonesë të panevojshme, pas ardhjes në dijeni të një shkeljeje të të dhënave personale.

3. Njoftimi i përmendur në paragrafin 1.të këtij neni, të paktën:

3.1. përshkruan natyrën e shkeljes së të dhënave personale, duke përfshirë, sipas rastit, kategoritë dhe numrin e përafërt të subjekteve të të dhënave dhe kategoritë me numrin e përafërt të regjistrave të të dhënave personale përkatëse;

3.2. komunikon emrin dhe të dhënat e kontaktit të zyrtarit të mbrojtjes së të dhënave dhe çdo pikë tjetër të kontaktit nëse mund të merret më shumë informacion;

3.3. përshkruan pasojat e mundshme të shkeljes së të dhënave personale;

3.4. përshkruan masat e marra ose të propozuara për t’u marrë nga kontrolluesi për të trajtuar shkeljen e të dhënave personale, duke përfshirë, sipas rastit, masat për të zbutur efektet e mundshme negative.

4. Nëse dhe në masën që nuk është e mundur që informacioni të jepet në të njëjtën kohë, informacioni mund të jepet në faza pa vonesë tjetër të panevojshme.

5. Kontrolluesi dokumenton çdo shkelje të të dhënave personale që përbëhet nga faktet në lidhje me shkeljen e të dhënave personale, efektet e saj dhe veprimi korrigjues i ndërmarrë. Ky dokumentacion i mundëson Agjencisë për të verifikuar përputhshmërinë me këtë nen.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.