Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 3. Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këto kuptime:

1.1. E dhënë personale - çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm (“subjekt i të dhënave”); një person fizik i identifikueshëm është ai, i cili, mund të identifikohet drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt, veçanërisht duke iu referuar një identifikuesi në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes, një identifikues online, ose një apo më shumë faktorë specifikë për identitetin fizik, psikologjik, gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose social të atij personi fizik;

1.2. Përpunim - çdo veprim ose seri veprimesh që kryhen ndaj të dhënave personale me mjete automatike ose jo, si: mbledhja, regjistrimi, organizimi, strukturimi, ruajtja, përshtatja ose ndryshimi, tërheqja, konsultimi, përdorimi, publikimi nëpërmjet transmetimit, shpërndarja ose ofrimi, njësimi ose kombinimi, kufizimi, fshirja ose asgjësimi;

1.3. Kufizimi i përpunimit - shënjimi i të dhënave personale të ruajtura me synim kufizimin e përpunimit të tyre në të ardhmen;

1.4. Klasifikim i të dhënave personale – shënjimi i të dhënave personale për të treguar natyrën e tyre të ndjeshme. Për të dhënat e klasifikuara duhet përcaktuar kushtet, sipas të cilave, përdoruesi mund të bëjë përpunimin e tyre. Klasifikimi duhet të mbetet i bashkëngjitur me të dhënat personale të ndjeshme deri në fshirjen, asgjësimin, shkatërrimin ose anonimizimin e tyre;

1.5. Profilizim - çdo formë e përpunimit automatik të të dhënave personale që konsiston në përdorimin e të dhënave personale për të vlerësuar aspektet personale në lidhje me një person fizik, veçanërisht për të analizuar ose parashikuar aspekte në lidhje me mbarëvajtjen e personit në punë, gjendjen ekonomike, shëndetin, parapëlqimet personale, interesat, besueshmërinë, sjelljen, vendndodhjen ose lëvizjet e tij;

1.6. Pseudonimizim - përpunimi i të dhënave personale në një mënyrë të tillë që të dhënat personale të mos vazhdojnë t’i referohen një subjekti të caktuar të të dhënave pa përdorimin e informacionit shtesë, me kusht që ky informacion shtesë të mbahet veçmas dhe t’u nënshtrohet masave teknike dhe organizative për të garantuar që të dhënat personale të mos i referohen një personi fizik të identifikuar ose të identifikueshëm;

1.7. Katalog i sistemit të dosjeve - përshkrimi i hollësishëm i strukturës dhe përmbajtjes së sistemeve të dosjeve;

1.8. Regjistër i sistemeve të dosjeve – regjistër, i cili mundëson një pasqyrim të hollësishëm të sistemeve të dosjeve;

1.9. Sistemi i dosjeve – një komplet i strukturuar të dhënash personale që janë të qasshme në pajtim me kriteret specifike, të centralizuara, decentralizuara ose të shpërndara mbi bazë funksionale ose gjeografike;

1.10. Kod lidhës - numri personal i identifikimit ose çfarëdo numri tjetër i veçantë i identifikimit, i përcaktuar me ligj, lidhur me personin, i cili numër mund të përdoret për zbulimin ose rikthimin e të dhënave personale nga sistemet e dosjeve, në të cilat, gjithashtu përpunohet kodi lidhës;

1.11. Kontrollues i të dhënave - çdo person fizik ose juridik nga sektori publik ose privat që individualisht ose së bashku me të tjerët përcakton qëllimet dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale;

1.12. Pëlqim me shkrim i subjektit të të dhënave – pëlqimi i dhënë sipas nën- paragrafit 1.11., të paragrafit 1. të këtij neni, ku përveç kësaj, subjekti i të dhënave duhet të vë nënshkrimin ose shenjën në pëlqimin me shkrim për përpunimin e të dhënave të tij ose saj;

1.13. Pëlqim gojor ose pëlqim tjetër i përshtatshëm i subjektit të të dhënave - pëlqimi nga nën-paragrafi 1.11., i dhënë gojarisht, me anë të mjeteve të telekomunikimit ose me ndonjë mjet tjetër të përshtatshëm, përmes të cilit mund të konkludohet në mënyrë të qartë se subjekti i të dhënave e ka dhënë pëlqimin e tij ose saj;

1.14. Përpunues i të dhënave - çdo person fizik ose juridik, nga sektori publik ose privat, i cili përpunon të dhëna personale për dhe në emër të kontrolluesit të të dhënave;

1.15. Marrës i të dhënave - çdo person fizik ose juridik nga sektori publik ose privat, të cilit i zbulohen të dhënat personale, qoftë palë e tretë ose jo. Megjithatë, autoritetet publike që mund të marrin të dhëna personale në kuadrin e një hetimi të veçantë, në pajtim me legjislacionin në fuqi, nuk konsiderohen si marrës. Përpunimi i këtyre të dhënave nga autoritetet publike është në pajtim me rregullat e zbatueshme për mbrojtjen e të dhënave sipas qëllimeve të përpunimit;

1.16. Palë e tretë – çdo person fizik ose juridik nga sektori publik ose privat që është i ndryshëm nga subjekti i të dhënave, kontrolluesi, përpunuesi dhe personat që, sipas autorizimeve të drejtpërdrejta të kontrolluesit ose përpunuesit, janë autorizuar për të përpunuar të dhëna personale;

1.17. Pëlqim i subjektit të të dhënave - shprehje e lirë e vullnetit të dhënë lirisht, specifik, të informuar dhe të qartë të dëshirave të subjektit të të dhënave nëpërmjet të cilit ai ose ajo, me një deklarim ose me një veprim të qartë pohues, shprehë pëlqimin e tij/saj për përpunimin e të dhënave personale në lidhje me të;

1.18. Shkelje e të dhënave personale - çdo shkelje e masave të sigurisë që sjell asgjësimin, humbjen, ndryshimin, deklarimin e paautorizuar, aksidental ose të paligjshëm, ose qasjen në të dhënat personale të transmetuara, të ruajtura ose të përpunuara ndryshe;

1.19. Të dhëna gjenetike - të dhënat personale në lidhje me karakteristikat gjenetike të trashëguara ose të përfituara të një personi fizik që jep informacion unik në lidhje me fiziologjinë ose shëndetin e atij personi fizik dhe që rezulton, veçanërisht, nga një analizë e një mostre biologjike nga personi fizik në fjalë;

1.20. Të dhëna biometrike – të gjitha të dhënat personale që rezultojnë nga përpunimi specifik që kanë të bëjnë me karakteristikat fizike, psikologjike ose të sjelljes së një personi fizik që lejon ose konfirmon identifikimin unik të atij personi fizik si dhe imazhet pamore ose të dhënat daktiloskopike, psikologjike dhe të sjelljes, që i kanë të gjithë individët, por që janë të veçanta dhe të përhershme për secilin individ, nëse në veçanti mund të përdoren për identifikimin e një individi, siç janë: gjurmët e gishtërinjve, vijat papilare të gishtit, irida, retina, tiparet e fytyrës dhe ADN-ja;

1.21. Të dhëna shëndetësore - të dhënat personale në lidhje me shëndetin fizik ose mendor të një personi fizik, duke përfshirë dhënien e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, që tregon informacion në lidhje me gjendjen e tij ose të saj shëndetësore;

1.22. Përpunim ndërkufitar - përpunim i të dhënave personale që kryhet në kuadër të aktiviteteve të autoriteteve në mes të shteteve;

1.23. Privatësi – respektimi i jetës private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës së telefonisë dhe e komunikimeve të tjera, në pajtim me ligjin e zbatueshëm;

1.24. Bllokim - ndalimi i përpunimit të mëtejmë të të dhënave. Vendimi për bllokimin e të dhënave duhet të tregohet në mënyrë të saktë dhe duhet të mbetet i bashkëngjitur me të dhënat personale për aq kohë sa ekzistojnë arsyet për bllokim;

1.25. Të dhëna personale të ndjeshme - të dhëna personale që zbulojnë origjinën etnike ose racore, pikëpamjet politike ose filozofike, përkatësinë fetare, anëtarësimin në sindikatë ose çdo e dhënë për gjendjen shëndetësore ose jetën seksuale, çfarëdo përfshirje në ose heqje nga evidencat penale ose të kundërvajtjeve që ruhen në pajtim me ligjin. Karakteristikat biometrike, gjithashtu, konsiderohen si të dhëna personale të ndjeshme, nëse këto të fundit mundësojnë identifikimin e një subjekti të të dhënave në lidhje me cilëndo nga rrethanat e lartpërmendura në këtë nën-paragraf;

1.26. Agjencia për Informim dhe Privatësi (Agjencia) - agjenci e pavarur, përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për qasje në dokumente publike dhe mbrojtje të të dhënave personale, me qëllim që të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë, në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, si dhe garantimin e qasjes në dokumente publike;

1.27. Komisioner – organ i pavarur, i emëruar nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të Agjencisë, i cili është përgjegjës për sigurimin e zbatimit të këtij ligji dhe të Ligjit për qasje në dokumente publike;

1.28. Zyrtari për inspektim – inspektor i Agjencisë, i cili kryen detyra inspektuese në përputhje me këtë ligj, me Ligjin përkatës për qasje në dokumente publike.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.