Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 13. Informacioni që duhet të jepet nëse të dhënat personale nuk janë mbledhur nga

subjekti i të dhënave

1. Nëse informacioni nuk është marrë nga subjekti i të dhënave, kontrolluesi i jep subjektit të të dhënave informacionin e mëposhtëm:

1.1. hollësitë e identitetit dhe kontaktit të kontrolluesit dhe, sipas rastit, të përfaqësuesit të kontrolluesit;

1.2. hollësitë e kontaktit të nëpunësit të mbrojtjes së të dhënave, sipas rastit;

1.3. qëllimin e përpunimit për të cilin janë të destinuara të dhënat personale, si dhe bazën ligjore për përpunimin;

1.4. kategoritë e të dhënave personale përkatëse;

1.5. marrësit ose kategoritë e marrësve të të dhënave personale, sipas rastit;

1.6. sipas rastit, që kontrolluesi synon të transferojë të dhëna personale te një marrës në një vend ose organizatë ndërkombëtare dhe ekzistencën ose mungesën e një vendimi përkatës të Agjencisë.

2. Përveç informacionit të referuar në paragrafin 1.të këtij neni, kontrolluesi i jep subjektit të të dhënave informacionin e mëposhtëm për të garantuar një përpunim të drejtë dhe transparent në lidhje me subjektin e të dhënave:

2.1. afatin për të cilin ruhen të dhënat personale, ose nëse kjo nuk është e mundur, kriteret e përdorura për të përcaktuar këtë afat;

2.2. nëse përpunimi bazohet në nenin 5 paragrafi 1., nën-paragrafi 1.6. të këtij ligji interesat legjitime të ndjekura nga kontrolluesi ose nga një palë e tretë;

2.3. ekzistencën e të drejtës për të kërkuar nga kontrolluesi qasjen, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave personale, ose kufizimin e përpunimit në lidhje me subjektin e të dhënave, ose për të kundërshtuar përpunimin, si dhe të drejtën për transferimin e të dhënave;

2.4. nëse përpunimi bazohet në nenin 5 paragrafi 1., nën-paragrafi 1.1. të këtij ligji ose në nenin 8 paragrafi 2., nën-paragrafi 2.1. të këtij ligji ekzistencën e të drejtës për të tërhequr pëlqimin në çdo kohë, pa ndikuar në ligjshmërinë e përpunimit, bazuar në pëlqimin para tërheqjes së tij;

2.5. të drejtën për të paraqitur një ankesë tek Agjencia;

2.6. nga cili burim e kanë origjinën të dhënat personale, dhe sipas rastit, nëse kanë ardhur nga një burim i qasshëm publik;

2.7. ekzistencën e vendimmarrjes automatike, duke përfshirë profilizimin, të përmendur në nenin 21 paragrafët 1. dhe 4. të këtij ligji dhe, të paktën në ato raste, informacionin e duhur në lidhje me logjikën përkatëse, si dhe rëndësinë dhe pasojat e parashikuara të këtij përpunimi për subjektin e të dhënave.

3. Kontrolluesi jep informacionin e përmendur në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni:

3.1. brenda një afati të arsyeshëm pas marrjes së të dhënave personale, por jo më vonë se një (1) muaj, duke pasur parasysh rrethanat specifike në të cilat përpunohen të dhënat personale;

3.2. nëse të dhënat personale do të përdoren për komunikimin me subjektin e të dhënave, jo më vonë se komunikimi i parë me atë subjekt të dhënash, ose;

3.3. nëse parashikohet deklarimi ndaj një marrësi tjetër, jo më vonë se kur të dhënat personale deklarohen për herë të parë.

4. Nëse kontrolluesi synon të përpunojë më tej të dhëna personale për një qëllim të ndryshëm nga ai për të cilin të dhënat personale janë mbledhur, kontrolluesi, para këtij përpunimi të mëtejshëm, duhet t’i japë subjektit të të dhënave informacion mbi qëllimin tjetër dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm, sipas referimit në paragrafin 2. të këtij neni.

5. Paragrafët 1. deri 4. të këtij neni nuk zbatohen nëse dhe në masën që:

5.1. subjekti i të dhënave e ka informacionin;

5.2. dhënia e këtij informacioni duket e pamundur ose do të përfshinte një përpjekje joproporcionale, veçanërisht për përpunimin për qëllime arkivimi në interesin publik, qëllime të kërkimeve shkencore ose historike, qëllime statistikore, në pajtim me kushtet dhe garancitë e referuara në nenin 8, paragrafin 3. të këtij ligji ose në masën që detyrimi i referuar në paragrafin 1. të këtij neni mund ta bëjë të pamundur ose rrezikojë seriozisht arritjen e objektivave të këtij përpunimi. Në këto raste, kontrolluesi merr masat e përshtatshme për të mbrojtur të drejtat, liritë dhe interesat legjitime të subjekteve të të dhënave, duke përfshirë ofrimin e informacionit publikisht;

5.3. marrja ose deklarimi parashikohet shprehimisht nga legjislacioni përkatës, të cilit i nënshtrohet kontrolluesi dhe që merr masa të përshtatshme për të mbrojtur interesat legjitime të subjektit të të dhënave, ose;

5.4. nëse të dhënat personale duhet të mbeten konfidenciale, duke iu nënshtruar një detyrimi të fshehtësisë profesionale, të rregulluar nga legjislacioni përkatës, duke përfshirë një detyrim ligjor të fshehtësisë.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.