Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 14. E drejta për qasje nga subjekti i të dhënave

1. Subjekti i të dhënave ka të drejtën të marrë konfirmimin nga kontrolluesi, nëse po përpunohen ose jo të dhënat që kanë të bëjnë me të dhe, nëse është rasti, të ketë qasje në të dhënat personale dhe informacionin e mëposhtëm:

1.1. qëllimet e përpunimit;

1.2. kategoritë e të dhënave personale përkatëse;

1.3. marrësit ose kategoritë e marrësve, të cilëve u janë deklaruar ose do t’u deklarohen të dhënat personale, veçanërisht marrësit në vendet e treta ose organizatat ndërkombëtare;

1.4. sipas rastit, afati i parashikuar, gjatë të cilit do të ruhen të dhënat personale, ose, nëse nuk është e mundur, kriteret e përdorura për të përcaktuar atë afat;

1.5. ekzistencën e të drejtës për të kërkuar nga kontrolluesi korrigjimin ose fshirjen e të dhënave personale ose kufizimin e përpunimit të të dhënave personale në lidhje me subjektin e të dhënave, ose për të kundërshtuar një përpunim të tillë;

1.6. të drejtën për të paraqitur një kërkesë tek Agjencia;

1.7. nëse të dhënat personale nuk mblidhen nga subjekti i të dhënave, çdo informacion i disponueshëm si dhe burimin e tyre;

1.8. ekzistencën e vendimmarrjes së automatizuar, duke përfshirë profilizimin, të përmendur në nenin 21 paragrafët 1. dhe 4. të këtij ligji dhe, të paktën në ato raste, informacionin e duhur në lidhje me logjikën përkatëse, si dhe rëndësinë dhe pasojat e parashikuara të këtij përpunimi për subjektin e të dhënave.

2. Nëse të dhënat personale transferohen te një vend i jashtëm ose te një organizatë ndërkombëtare, subjekti i të dhënave ka të drejtën të informohet për garancitë e përshtatshme në lidhje me transferimin.

3. Kontrolluesi jep një kopje të të dhënave personale që i nënshtrohet përpunimit. Për çdo kopje tjetër të kërkuar nga subjekti i të dhënave, kontrolluesi mund të caktojë një tarifë të përshtatshme, bazuar në shpenzimet administrative. Nëse subjekti i të dhënave e bën kërkesën me mjete elektronike dhe, përveç kur kërkohet ndryshe nga subjekti i të dhënave, informacioni jepet në një format elektronik të përdorur bashkërisht.

4. E drejta për të përfituar kopjen e përmendur në paragrafin 3.të këtij neni, nuk ndikon negativisht në të drejtat dhe liritë e të tjerëve. KREU V KORRIGJIMI DHE FSHIRJA

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.