Neni 12. Informacioni që duhet të jepet nëse të dhënat personale mblidhen nga subjekti i të
dhënave
1. Nëse të dhënat personale, në lidhje me një subjekt të dhënash, merren nga subjekti i të dhënave, kontrolluesi, në momentin kur i merr të dhënat personale, i jep subjektit të të dhënave informacionin e mëposhtëm:
1.1. hollësitë e identitetit dhe kontaktit të kontrolluesit dhe sipas rastit, të përfaqësuesit të kontrolluesit;
1.2. hollësitë e kontaktit të nëpunësit të mbrojtjes së të dhënave, sipas rastit;
1.3. qëllimin e përpunimit, për të cilin janë të destinuara të dhënat personale, si dhe bazën ligjore për përpunimin;
1.4. nëse përpunimi bazohet në nenin 5, paragrafi 1., nën-paragrafi 1.6. të këtij ligji, interesat legjitime të ndjekura nga kontrolluesi ose nga një palë e tretë;
1.5. marrësit ose kategoritë e marrësve të të dhënave personale, sipas rastit;
1.6. sipas rastit, faktin që kontrolluesi synon të transferojë të dhëna personale te një vend i tretë ose organizatë ndërkombëtare dhe ekzistencën ose mungesën e një vendimi përshtatshmërie të Agjencisë.
2. Përveç informacionit të përmendur në paragrafin 1. të këtij neni, kontrolluesi, në momentin kur pranon të dhënat personale, i jep subjektit të të dhënave informacionin e mëposhtëm shtesë të nevojshëm për të garantuar një përpunim të drejtë dhe transparent:
2.1. afatin, për të cilin ruhen të dhënat personale, ose nëse kjo nuk është e mundur, kriteret e përdorura për të përcaktuar këtë afat;
2.2. ekzistencën e të drejtës për të kërkuar nga kontrolluesi qasjen dhe korrigjimin ose fshirjen e të dhënave personale, ose kufizimin e përpunimit në lidhje me subjektin e të dhënave, ose për të kundërshtuar përpunimin, si dhe të drejtën për transferueshmërinë e të dhënave;
2.3. nëse përpunimi bazohet në nenin 5 paragrafi 1., nën-paragrafi 1.1. të këtij ligji ose të nenit 8 paragrafi 2., nën-paragrafi 2.1. të këtij ligji ekzistencën e të drejtës për të tërhequr pëlqimin në çdo kohë, pa ndikuar në ligjshmërinë e përpunimit, bazuar në pëlqimin para tërheqjes së tij;
2.4. të drejtën për të paraqitur një ankesë tek Agjencia;
2.5. nëse dhënia e të dhënave personale është një kërkesë ligjore ose kontraktuale, ose një kërkesë e nevojshme për të lidhur një kontratë, si dhe nëse subjekti i të dhënave është i detyruar të japë të dhëna personale dhe për pasojat e mundshme për mosdhënien e këtyre të dhënave;
2.6. ekzistencën e vendimmarrjes automatike, duke përfshirë profilizimin e përcaktuar në nenin 21 paragrafët 1. dhe 4. të këtij ligji dhe të paktën në ato raste, informacionin e duhur në lidhje me logjikën përkatëse, si dhe rëndësinë dhe pasojat e parashikuara të këtij përpunimi për subjektin e të dhënave.
3. Nëse kontrolluesi synon të përpunojë më tej të dhëna personale për një qëllim të ndryshëm nga ai për të cilin të dhënat personale janë mbledhur, kontrolluesi, para këtij përpunimi të mëtejmë, duhet t’i japë subjektit të të dhënave informacion mbi qëllimin tjetër dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm, sipas referimit në paragrafin 2. të këtij neni.
4. Paragrafët 1., 2. dhe 3. të këtij neni nuk zbatohen nëse dhe në masën që subjekti i të dhënave e ka informacionin.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.