Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 11. Informimi transparent, komunikimi dhe modalitetet për ushtrimin e të drejtave të

subjektit të të dhënave

1. Kontrolluesi merr masat e përshtatshme për të dhënë çdo informacion të referuar në nenet 12 dhe 13 të këtij ligji dhe çdo komunikim sipas neneve 14 deri 21 dhe 33 të këtij ligji në lidhje me përpunimin e të dhënave personale që i nënshtrohen një formati konciz, transparent, të kuptueshëm dhe lehtësisht të qasshëm, duke përdorur gjuhë të qartë dhe të pastër, veçanërisht për çdo informacion drejtuar specifikisht një fëmije. Informacioni jepet me shkrim ose me mjete të tjera, duke përfshirë, sipas rastit, mjete elektronike. Nëse kërkohet nga subjekti i të dhënave, informacioni mund të jepet me gojë, me kusht që identiteti i subjektit të të dhënave të provohet (dëshmohet) me mjete të tjera.

2. Kontrolluesi lehtëson ushtrimin e të drejtave të subjektit të të dhënave, sipas neneve 14 deri 21 të këtij ligji. Në rastet e përmendura në nenin 10, paragrafi 2, të këtij ligji kontrolluesi nuk refuzon të veprojë me kërkesën e subjektit të të dhënave për ushtrimin e të drejtave të tij ose të saj sipas neneve 14 deri 21 të këtij ligji, përveç kur kontrolluesi demonstron që nuk është në gjendje të identifikojë subjektin e të dhënave.

3. Kontrolluesi jep informacion mbi veprimet e ndërmarra me kërkesë sipas neneve 14 deri 21 të këtij ligji për subjektin e të dhënave pa vonesë të panevojshme dhe në çdo rast, brenda një (1) muaji nga marrja e kërkesës. Ky afat mund të zgjatet me dy (2) muaj të tjerë nëse është e nevojshme, duke marrë parasysh kompleksitetin dhe numrin e kërkesave. Kontrolluesi njofton subjektin e të dhënave për çdo zgjatje të tillë brenda një (1) muaji nga marrja e kërkesës, së bashku me shkaqet e vonesës. Kur subjekti i të dhënave bën kërkesë me mjete në format elektronik, informacioni jepet me mjete elektronike, sipas rastit, përveç kur kërkohet ndryshe nga subjekti i të dhënave.

4. Nëse kontrolluesi nuk vepron në lidhje me kërkesën për subjektin e të dhënave, kontrolluesi njofton subjektin e të dhënave pa vonesë dhe jo më vonë se një (1) muaj nga marrja e kërkesës për shkaqet e mosveprimit dhe mbi mundësinë e paraqitjes së ankesës tek Agjencia dhe paraqitjen e një mjeti gjyqësor mbrojtës.

5. Informacioni i dhënë sipas neneve 12 dhe 13 të këtij ligji dhe çdo komunikim dhe masë e ndërmarrë sipas neneve 14 deri 21 dhe 32, të këtij ligji jepet falas. Nëse kërkesat nga një subjekt i të dhënave duket se janë të pabazuara ose të tepërta, veçanërisht për shkak të karakterit të tyre përsëritës, kontrolluesi mund të:

5.1. caktojë një tarifë të arsyeshme, duke marrë parasysh shpenzimet administrative të dhënies së informacionit ose komunikimit, ose marrjen e masës së kërkuar, ose;

5.2. refuzojë të veprojë në lidhje me kërkesën;

5.3. kontrolluesi ka barrën e demonstrimit të karakterit haptazi të pabazuar ose të tepërt të kërkesës.

6. Pa cenuar nenin 10 të këtij ligji, nëse kontrolluesi ka dyshime të arsyeshme në lidhje me identitetin e personit fizik që bën kërkesën në lidhje me nenet 14 deri 20 të këtij ligji, kontrolluesi mund të kërkojë dhënien e informacionit shtesë të nevojshëm për konfirmimin e identitetit të subjektit të të dhënave.

7. Informacioni, që duhet t’u jepet subjekteve të të dhënave në pajtim me nenet 12 dhe 13 të këtij ligji mund të jepet i kombinuar me (simbolet) ikonat e standardizuara me qëllim që të ofrohet një vështrim i përgjithshëm i përpunimit të synuar në një mënyrë të dukshme, të kuptueshme dhe lehtësisht të lexueshme. Nëse (simbolet) ikonat ofrohen elektronikisht, ato duhet të jenë të lexueshme në mënyrë automatike. KREU IV INFORMACIONI DHE QASJA NË TË DHËNAT PERSONALE

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.