Dosja
Ligji për qasje në dokumente publike, 06/L-081

Neni 5. Publikimi me iniciativë të institucioneve publike

1. Institucionet publike detyrohen të publikojnë në mënyrë proaktive çdo dokument publik të prodhuar, të pranuar, të mbajtur apo të kontrolluar, në formë elektronike, përmes publikimit në ueb faqen zyrtare të institucioneve publike, pavarësisht kërkesës së personit për qasje.

2. Ueb faqet e institucioneve publike duhet të përmbajnë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në:

2.1. misionin dhe funksionet e institucionit publik, duke përfshirë edhe ato të njësive në vartësi;

2.2. skemën organizative të institucionit publik, duke përfshirë edhe atë të njësive në vartësi;

2.3. legjislacionin bazë për organizimin, funksionimin dhe funksionet e institucionit përkatës;

2.4. të dhënat e përditshme për veprimtarinë publike të institucionit, aktet ligjore e nënligjore;

2.5. strategjitë dhe dokumentet e tjera të linjëveprimeve të miratuara, në fushën e veprimit dhe funksionet e institucionit publik;

2.6. listën e hollësishme të shërbimeve që ofron institucioni për publikun, si: licenca, leje, autorizime, certifikata, vërtetime apo shërbime publike të tjera, ku do të përfshihen edhe:

2.6.1. procedurat dhe kushtet e përfitimit të tyre;

2.6.2. dokumentacioni i nevojshëm dhe kostoja për realizimin e shërbimit;

2.6.3. formulari i aplikimit për çdo shërbim dhe udhëzuesi i plotësimit të tij;

2.6.4. afati i detyrueshëm për të marrë përgjigje për shërbimin e kërkuar;

2.6.5. afati dhe organi ku bëhet ankimi, në rast refuzimi të përgjigjes apo të mosofrimit të shërbimit në afatin e detyrueshëm ligjor.

2.7. secili institucion publik detyrohet të ketë një adresë zyrtare të postës elektronike, posaçërisht për komunikim me publikun dhe të ngarkojë një (1) person për të kontrolluar rregullisht të dhënat e pranuara. I njëjti mund të jetë përgjegjës për rifreskimin, sigurimin e qasjes dhe besueshmërinë e informatave në ueb faqet e institucioneve publike;

2.8. institucionet publike ueb faqet e tyre zyrtare, obligohen t’i hostojnë në serverët e Qendrës Shtetërore të të Dhënave të Republikës së Kosovës;

2.9. Agjencia për Informim dhe Privatësi përkujdeset për aspektet përmbajtjesore të ueb faqeve të institucionit publik, ndërsa Agjencia e Shoqërisë së Informacionit për aspektet teknike të hostimit;

2.10. Qeveria e Kosovës mund të caktojë, me vendim, përmbajtjen shtesë për ueb faqet e institucioneve publike.

Numri
06/L-081
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
4 korrik 2019, 13/2019
Hyrja në fuqi
19 korrik 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.