Neni 14. Format e qasjes në dokumente publike
1. Kur institucioni publik lejon qasjen në dokumente publike, kërkuesi ka të drejtë të zgjedhë formën për qasje në dokumentet të tilla.
2. Në rastet kur kërkesa për qasje përmban një formë të parapëlqyer për qasje, atëherë institucioni publik ka për detyrim të veprojë në përputhje me atë parapëlqim.
3. Një kërkesë mund të përmbajë format e parapëlqyera për qasje në dokumente dhe institucione publike si në vijim:
3.1. një kopje e saktë në formë të shtypur ose tjetër të dokumenteve publike të kërkuara;
3.2. mundësinë për shikim të dokumenteve publike, kurdo që është e mundshme përmes përdorimit të pajisjeve të vet institucionit;
3.3. mundësinë për të kopjuar dokumentet publike, përmes pajisjeve të vet kërkuesit;
3.4. një transkript të shkruar të fjalëve të përmbajtura në formë audio ose vizuele nëse ekziston apo rrjedh nga një takim i hapur;
3.5. një transkript të përmbajtjes së një incizimi, në formë të shtypur, audio ose vizuele, në rastet kur një transkript i tillë ekziston, duke përdorur pajisjet, të cilat janë përgjithësisht të qasshme për institucionin publik.
4. Në rast se një dokument publik ekziston në më shumë se një gjuhë, atëherë qasja ofrohet në dokumentin publik në gjuhën e parapëlqyer të kërkuesit.
5. Një institucion publik nuk është i detyruar të ofrojë qasje në dokumentet publike domosdoshmërisht në formën e kërkuar nga kërkuesi, në rastet kur një gjë e tillë:
5.1. do të ndërhynte në mënyrë të paarsyeshme në operimin efektiv të institucionit publik;
5.2. do të shkaktonte dëm të pariparueshëm në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe trashëgiminë e ndonjë dokumenti publik;
5.3. do të përbënte obligim për institucionin publik që të krijojë apo të përshtatë dokumente publike apo të jep përmbledhje të informatave kur kjo do të përfshinte përpjekje joproporcionale, që shkon përtej një operimi të thjeshtë.
6. Institucioni publik mund të ofrojë qasje në ndonjë dokument publik duke drejtuar kërkuesin në burime alternative që mund të qasen më lehtë.
7. Nëse dokumenti është bërë publik me iniciativë të institucionit publik dhe është e mundshme që kërkuesi të ketë qasje të lehtë në të, institucioni publik mund ta përmbushë detyrimin e vet të lejimit të qasjes në dokumente publike duke e informuar kërkuesin se ku dhe si ta marrë dokumentin publik të kërkuar.
- Numri
- 06/L-081
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 4 korrik 2019, 13/2019
- Hyrja në fuqi
- 19 korrik 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.