Neni 13. Zyrtarët përgjegjës për qasje në dokumente publike
1. Të gjitha institucionet publike detyrohen të caktojnë njësinë apo një zyrtar përgjegjës për qasje në dokumente publike.
2. Të gjitha kërkesat për qasje në dokumente publike, të cilat i drejtohen institucionit publik, i dërgohen njësisë apo zyrtarit përgjegjës për qasje në dokumente publike.
3. Njësia apo zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike, pas marrjes dhe shqyrtimit fillestar të kërkesës për qasje në dokumente publike, identifikon se cila është njësia përkatëse brenda institucionit publik që ka në posedim ose kontroll dokumentin e kërkuar.
4. Pas lejimit të qasjes sipas këtij ligji, njësia përkatëse brenda institucionit publik, këtë dokument, në pajtim me kushtet e parapara me këtë ligj dhe ligjet tjera në fuqi, ia dërgon kërkuesit të dokumentit.
5. Njësia apo zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike mbanë evidencë të saktë për numrin e kërkesave për qasje në dokumente si dhe të dhëna tjera me rëndësi në lidhje me numrin e kërkesave të aprovuara, aprovuara pjesërisht dhe të refuzuara, si dhe arsyetimin e dhënë dhe informatat e tjera relevante që e bëjnë të mundur identifikimin e kërkesës përkatëse.
6. Njësia apo zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike përgatitë raportet e rregullta vjetore, më së largu deri më datën 31 janar të vitit vijues, për vitin paraprak dhe këto raporte ia dërgon Agjencisë për Informim dhe Privatësi, i cili përgatitë raportin gjithëpërfshirës të institucioneve publike për realizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.
7. Zyra e arkivit në secilin institucion publik detyrohet që të hartojë regjistrin e dokumenteve publike që përmban, e që janë të qasshme lirisht për publikun. Ky regjistër duhet të përditësohet çdo tre (3) muaj.
- Numri
- 06/L-081
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 4 korrik 2019, 13/2019
- Hyrja në fuqi
- 19 korrik 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.