Dosja
Ligji për qasje në dokumente publike, 06/L-081

Neni 11. Trajtimi i kërkesave për qasje në dokumente publike

1. Kërkesat për qasje në dokumente publike apo për ripërdorim të dokumenteve publike trajtohen nga cilido institucion publik që posedon dokumentin publik të kërkuar.

2. Zyrtari përgjegjës brenda institucionit publik, me vendim, lejon ose refuzon qasjen në dokumente publike.

3. Nëse institucioni publik nuk prodhon apo pranon, apo nuk disponon ose nuk e kontrollon dokumentin publik të kërkuar dhe ka njohuri për institucionin publik tjetër që e ka prodhuar, pranuar, disponon apo kontrollon dokumentin publik, menjëherë, por jo më vonë se pesë (5) ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës nga kërkuesi, detyrohet që ta informojë dhe udhëzojë kërkuesin për tek institucioni publik përkatës.

4. Në rast se institucioni publik nuk e ka prodhuar apo pranuar, nuk disponon ose nuk e kontrollon dokumentin publik të kërkuar dhe nuk ka njohuri për institucionin publik tjetër që e ka prodhuar, pranuar, disponon apo kontrollon dokumentin publik, menjëherë, por jo më vonë se shtatë (7) ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës nga kërkuesi, detyrohet që ta informojë për këtë kërkuesin dhe ta udhëzojë atë që t’i drejtohet Agjencisë, i cili obligohet të konfirmoj nëse dhe cili institucion publik ka prodhuar, pranuar, disponon ose kontrollon dokumentin publik të kërkuar, dhe menjëherë, por jo më vonë se shtatë (7) ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës, të njoftojë për këtë kërkuesin.

5. Institucioni publik ndihmon kërkuesin, aq sa është e mundshme dhe e arsyeshme, të identifikojë dokumentin e kërkuar.

6. Kërkesat për qasje në dokumente publike, apo për ripërdorim të dokumenteve publike trajtohen me shpejtësi dhe sipas parimit të objektivitetit dhe paanshmërisë sipas Ligjit përkatës për Procedurën e përgjithshme administrative.

Numri
06/L-081
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
4 korrik 2019, 13/2019
Hyrja në fuqi
19 korrik 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.