Dosja
Ligji për gjykatat, 06/L-054

Neni 14. Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës

1. Kryetari i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit, është përgjegjës për administrimin ditor të gjykatës, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli. Kryetari i Gjykatës organizon dhe bashkërendon funksionimin e gjykatës; mbikëqyrë veprimtaritë financiare të gjykatës; dhe ndërmerr veprime të cekura me rregullat, procedurat apo urdhëresat e nxjerra nga Këshilli.

2. Kryetari i gjykatës ka këto përgjegjësi:

2.1. Autorizon dhe inicion procedurat për punësimin, disiplinimin dhe shkarkimin e personelit jogjyqësor, në përputhje me rregulloret e zbatueshme për personelin.

2.2. Kryetari i gjykatës ka autoritet të përgjithshëm administrativ për menaxhimin e gjykatës si dhe siguron administrim efikas dhe efektiv të drejtësisë nga të gjitha degët, departamentet dhe divizionet e gjykatës.

2.3. Kryetari i gjykatës, në bashkëpunim me gjyqtarët e gjykatës, zhvillon planin vjetor për menaxhimin e lëndëve dhe cakton lëndët tek departamentet dhe gjyqtarët, në atë mënyrë që të sigurojë zgjidhjen efikase të lëndëve.

2.4. Kryetari i gjykatës në baza vjetore i dërgon Këshillit një raport mbi suksesin e zbatimit të planit të mëparshëm vjetor për menaxhimin e lëndëve.

2.5. Kryetari i gjykatës i dërgon Këshillit raport tremujor me shkrim, që adreson punën e gjykatës, identifikon çfarëdo probleme me të cilat ballafaqohet gjykata, si dhe propozon hapa riparues për të adresuar problemet e identifikuara.

2.6. Kryetari i gjykatës, në bazë të rregullave dhe urdhëresave të Këshillit, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për të siguruar menaxhim efektiv dhe efikas të gjykatës dhe të burimeve të saj, si dhe gjykimin e lëndëve brenda kohës së arsyeshme.

2.7. Kryetari i gjykatës është përgjegjës për të siguruar se gjykata dhe procedurat para gjykatës janë të hapura dhe transparente për publikun.

2.8. Pas shqyrtimit dhe pranimit nga Këshilli, planet dhe raportet tremujore dhe vjetore mbi menaxhimin e lëndëve do të bëhen publike.

2.9. Kryetari i gjykatës është përgjegjës për të siguruar qasjen e publikut në gjykata, përfshirë qasjen e personave nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë.

2.10. Kryetari i gjykatës thërret takim vjetor të të gjithë gjyqtarëve për këshillim mbi Administrimin e Drejtësisë në atë gjykatë; për të analizuar organizimin e gjykatës; për të shqyrtuar dhe propozuar ndryshime në procedura dhe praktika; për të ekzaminuar punën e arritur nga gjykata; si dhe për të adresuar çfarëdo problemi të administratës, me të cilin ballafaqohet gjykata. Kryetari i gjykatës brenda nëntëdhjetë (90) ditësh i dërgon Këshillit një raport mbi rezultatet e takimit vjetor të gjyqtarëve.

2.11. Kryetari i gjykatës kryen edhe punë tjera të përcaktuara me ligj dhe me Rregullore të Këshillit. Kryetari për punën e tij i raporton Këshillit.

2.12. Kryetari i gjykatës mund të delegojë kompetenca të caktuara.

3. Kryetari i gjykatës, në konsultim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, cakton nënkryetarin e gjykatës nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës përkatëse. Mandati i nënkryetarit të gjykatës është i njëjtë me mandatin e kryetarit përkatës.

4. Nënkryetari i gjykatës ushtron detyrat e kryetarit të gjykatës në mungesë të tij, apo kur kryetari e ka të pamundshëm ushtrimin e detyrave të tij. Nënkryetari ushtron detyra tjera të cilat i delegohen me shkrim nga kryetari i gjykatës.

Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:

  • LIGJI NR. 08/L-291 PËR GJYKATËN ADMINISTRATIVE (22 janar 2026)
  • LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK (5 janar 2023)
  • LIGJI NR. 08/L-015 PËR GJYKATËN KOMERCIALE (10 shkurt 2022)
Numri
06/L-054
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
18 dhjetor 2018, 22/2018
Hyrja në fuqi
2 janar 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.