Dosja
Ligji për gjykatat, 06/L-054

Neni 13. Organizimi i Brendshëm i Gjykatës Themelore

1. Departamentet në vijim veprojnë brenda gjykatave themelore, me qëllim të ndarjes së çështjeve sipas natyrës së tyre:

1.1. Në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, vepron Departamenti Special për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me kompetencë për tërë territorin e Republikës së Kosovës.

1.2. Departamenti për Çështjet Ekonomike, që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës ;

1.3. Departamenti për Çështjet Administrative që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës

1.4. Departamenti për Krimet e Rënda, që vepron në selinë e secilës Gjykatë Themelore;

1.5. Departamenti i Përgjithshëm, që vepron në selinë e secilës gjykatë themelore, si dhe në secilën degë të Gjykatës Themelore.

1.6. Departamenti për të Mitur, që vepron në kuadër të secilës gjykatë themelore.

2. Secila gjykatë themelore, e ka kryetarin e Gjykatës, i cili është përgjegjës për menaxhimin dhe punën e Gjykatës Themelore. Secila degë e Gjykatës Themelore, ka Gjyqtar Mbikëqyrës, që i përgjigjet kryetarit të Gjykatës Themelore përkatëse për punën e degës.

3. Caktimi i lëndëve në departamente përkatëse, brenda gjykatës, bëhet në pajtim me Rregulloren e Këshillit, sipas kompetencës së departamenteve.

4. Themelimi i departamenteve të reja dhe ndryshimi i kompetencës lëndore të departamenteve ekzistuese bëhet me ligj.

5. Në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore të Prishtinës, funksionon Divizioni për Kontestet në lidhje me investitorët e huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës.

Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:

  • LIGJI NR. 08/L-291 PËR GJYKATËN ADMINISTRATIVE (22 janar 2026)
  • LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK (5 janar 2023)
  • LIGJI NR. 08/L-015 PËR GJYKATËN KOMERCIALE (10 shkurt 2022)
Numri
06/L-054
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
18 dhjetor 2018, 22/2018
Hyrja në fuqi
2 janar 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.