LIGJI NR. 06/L-054 PËR GJYKATAT
Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:
- LIGJI NR. 08/L-291 PËR GJYKATËN ADMINISTRATIVE (22 janar 2026)
- LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK (5 janar 2023)
- LIGJI NR. 08/L-015 PËR GJYKATËN KOMERCIALE (10 shkurt 2022)
- Numri
- 06/L-054
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 18 dhjetor 2018, 22/2018
- Hyrja në fuqi
- 2 janar 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.
Neni 1Qëllimi
Ky ligj rregullon organizimin, funksionimin dhe juridiksionin e gjykatave në Republikën e Kosovës.
Neni 2Përkufizimet
1.Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:
1.1. Gjykata Themelore - gjykatë e shkallës së parë, me seli në shtatë qendra rajonale gjeografike e cila funksionon sipas dispozitave të këtij ligji;
1.2. Dega - nën-ndarja gjeografike e një Gjykate Themelore;
1.3. Gjykata e Apelit - gjykata e shkallës së dytë, e cila funksionon sipas dispozitave të këtij ligji;
1.4. Departament - nën-komponentë e gjykatës e cila funksionon sipas dispozitave të këtij ligji me qëllim të caktimit të lëndëve sipas natyrës së tyre në mënyrë që të rritet efikasiteti i gjykatës;
1.5. Divizion - nën-komponentë i Departamentit të një gjykate e themeluar me qëllim të caktimit të lëndëve sipas natyrës së tyre me në mënyrë që të rritet efikasiteti i gjykatës;
1.6. Këshilli Gjyqësor i Kosovës - institucioni i pavarur siç parashihet me Nenin 108 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
1.7. Kryetar i Gjykatës - gjyqtari përgjegjës për menaxhimin e gjykatës dhe sigurimin e funksionimit efikas të saj, ashtu siç është paraparë me këtë ligj;
1.8. Gjyqtari Mbikëqyrës - gjyqtari në krye të degës të Gjykatës Themelore, i cili për veprimet e asaj dege i përgjigjet Kryetarit të Gjykatës Themelore. KAPITULLI II PARIMET E PËRGJITHSHME TË SISTEMIT GJYQËSOR
Neni 3Ushtrimi i Pushtetit Gjyqësor
1. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat e themeluara me këtë ligj.
2. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik, i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
Neni 4Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatave
1. Gjykatat e themeluara me këtë ligj gjykojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit dhe marrjes së vendimeve janë të pavarur, të paanshëm, të pandikuar në çfarëdo mënyre nga asnjë person fizik apo juridik, përfshirë edhe organet publike.
Neni 5Përbërja e Gjyqësorit
1. Përbërja e gjyqësorit pasqyron shumëllojshmërinë etnike të Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe parimet e njohura ndërkombëtarisht për barazi gjinore.
2. Përbërja e gjyqësorit pasqyron përbërjen etnike të juridiksionit territorial të secilës gjykatë.
Neni 6Vendimet e Gjykatës
1. Vendimet e gjykatës hartohen në formë të shkruar, në përputhje me ligjin.
2. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizik dhe juridik.
3. Gjykatat publikojnë të gjitha aktgjykimet në faqen e tyre zyrtare të internetit, në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit në pajtim me legjislacionin në fuqi. Këshilli nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij neni.
Neni 7Qasja në Gjykata
1. Gjykatat trajtojnë të gjithë personat në mënyrë të barabartë, askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, gjendjes sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
2. Çdo person ka qasje të barabartë në gjykata dhe askujt nuk i mohohet e drejta në gjykim të drejtë në përputhje me procedurën e rregullt ligjore ose të drejtë në mbrojtje të barabartë me ligj. Çdo person fizik apo juridik ka të drejtë në gjykim të drejtë dhe brenda afatit të arsyeshëm kohor.
3. Çdo person ka të drejtë t’í drejtohet gjykatës për të kërkuar mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij të ligjshme. Çdo person ka të drejtë të përdor mjetet juridike kundër një vendimi gjyqësor apo administrativ që cenon të drejtën apo interesat e tij në mënyrën e caktuar me ligj.
4. Të gjitha seancat gjyqësore do të jenë të hapura për publikun përpos nëse ligji e përcakton ndryshe.
5. Të gjitha gjykatat duhet të funksionojnë në mënyrë të shpejtë dhe efikase për të siguruar zgjidhjen e shpejtë të lëndëve. KAPITULLI III STRUKTURA ORGANIZATIVE DHE KOMPETENCAT E GJYKATAVE
Neni 8Struktura organizative
1. Sistemi i gjykatave i Republikës së Kosovës përbëhet nga: Gjykatat Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
2. Degët themelohen brenda territorit të një Gjykate Themelore. Themelimi i degëve të reja,apo i departamenteve të cilat nuk janë përcaktuar në këtë ligj, apo bashkimi i degëve, bëhet vetëm me ligj.
Neni 9Gjykatat Themelore
1. Gjykatat Themelore janë gjykata të shkallës së parë në territorin e Republikës së Kosovës.
2. Shtatë (7) Gjykata Themelore janë si në vijim:
2.1. Gjykata Themelore e Prishtinës me seli në Prishtinë vepron për territorin e Komunës së Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogovcit dhe të Graçanicës;
2.2. Gjykata Themelore e Gjilanit me seli në Gjilan vepron për territorin e Komunës së Gjilanit, Kamenices, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, Vitisë, Kllokotit dhe Vërbocit;
2.3. Gjykata Themelore e Prizrenit me seli në Prizren vepron për territorin e Komunës së Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës;
2.4. Gjykata Themelore në Gjakovë me seli në Gjakovë vepron për territorin e Komunës së Gjakovës, Malishevës, dhe Rahovecit;
2.5. Gjykata Themelore e Pejës me seli në Pejë vepron për territorin e Komunës së Pejës, Deçanit, Junikut, Istogut dhe Klinës;
2.6. Gjykata Themelore e Ferizajit me seli në Ferizaj vepron për territorin e Komunës së Ferizajit, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit;
2.7. Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë vepron për territorin e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajit dhe Vushtrrisë.
Neni 10Degët e Gjykatave Themelore
1. Përveç selisë kryesore, secila Gjykatë Themelore ka degët e veta sipas këtij ligji ose të themeluara me këtë ligj.
2. Gjykata Themelore e Prishtinës ka këto degë:
2.1. dega në Podujevë për komunën e Podujevës;
2.2. dega në Graçanicë për komunën e Graçanicës;
2.3. dega në Lipjan për komunën e Lipjanit;
2.4. dega në Gllogovc për komunën e Gllogovcit.
2.5. dega në Fushë Kosovë për komunën e Fushë Kosovës dhe komunën e Obiliqit;
3. Gjykata Themelore e Gjilanit ka këto degë:
3.1. dega në Kamenicë, për komunën e Kamenicës dhe komunën e Ranillugut;
3.2. dega në Viti, për komunën e Vitisë dhe komunën e Kllokotit;
3.3. dega Novobërdës për komunën e Novobërdës.
4. Gjykata Themelore e Prizrenit ka këto degë:
4.1. dega në Dragash për komunën e Dragashit;
4.2. dega në Suharekës për komunën e Suharekës.
5. Gjykata Themelore e Mitrovicës ka këto degë:
5.1. dega në Leposaviq për komunën e Leposaviq;
5.2. dega në Vushtrri për komunën e Vushtrrisë;
5.3. dega në Zubin Potok për komunën e Zubin Potok-ut;
5.4. dega në Skenderaj për komunën e Skenderajt.
6. Gjykata Themelore e Gjakovës ka këto degë:
6.1. dega në Malishevë për komunën e Malishevës;
6.2. dega në Rahovec për komunën e Rahovecit.
7. Gjykata Themelore e Pejës ka këto degë:
7.1. dega në Istog për komunën e Istogut;
7.2. dega në Klinë për komunën e Klinës;
7.3. dega në Deçan për komunën e Deçanit
7.4. dega në Junik për Komunën e Junikut.
8. Gjykata Themelore e Ferizajit ka këto degë:
8.1. dega në Kaçanik, për komunën Kaçanikut;
8.2. dega në Han të Elezit, për komunën e Hanit të Elezit;
8.3. dega në Shtërpcë për komunën e Shtërpcës;
8.4. dega në Shtime për Komunën e Shtimes;
9. Në qoftë se në territorin e një komune nuk ekziston ndonjë degë, atëherë lëndët nga kjo komunë do të bien nën juridiksionin e selisë kryesore të Gjykatës Themelore.
Neni 11Themelimi i degës se Gjykatës Themelore
1. Nëse në njërën nga komunat e themeluara, në pajtim me Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave, nuk ka degë, dhe vlerësohet se ka nevojë të themelohet dega, komuna me vendim të Kuvendit Komunal, mund të paraqesë kërkesë në Këshill për themelimin e degës.
2. Këshilli shqyrton kërkesat e tilla, dhe pas vlerësimit të ngarkesës me lëndë si dhe rrethanave të tjera, e shqyrton arsyeshmërinë e kërkesës dhe vendos. Këshilli e procedon propozimin, varësisht nga natyra e kërkesës së komunës sipas ligjit.
3. Nëse Këshilli e aprovon kërkesën sipas paragrafit 1 të këtij neni, për themelim të degës së re, Këshilli i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë, që të ndërmarrë masat e nevojshme për të propozuar ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji.
4. Rrethanat që duhet marrë parasysh gjatë zbatimit të këtij neni përfshijnë, por nuk kufizohen në përmirësimin e qasjes në drejtësi, numrin e popullsisë, pozita gjeografike si dhe faktorët tjerë relevantë.
Neni 12Jurisdikcioni i Gjykatës Themelore sipas Lëndës
1. Gjykatat Themelore janë kompetente për të gjykuar në shkallë të parë të gjitha çështjet, përpos nëse me ligj parashihet ndryshe.
2. Gjykatat themelore janë kompetente për të dhënë ndihmë juridike ndërkombëtare dhe për të vendosur për pranimin e vendimeve të gjykatave të huaja.
3. Çështjet ekonomike janë kompetencë ekskluzive të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
4. Çështjet administrative janë kompetencë ekskluzive e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Neni 13Organizimi i Brendshëm i Gjykatës Themelore
1. Departamentet në vijim veprojnë brenda gjykatave themelore, me qëllim të ndarjes së çështjeve sipas natyrës së tyre:
1.1. Në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, vepron Departamenti Special për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me kompetencë për tërë territorin e Republikës së Kosovës.
1.2. Departamenti për Çështjet Ekonomike, që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës ;
1.3. Departamenti për Çështjet Administrative që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për gjithë territorin e Republikës së Kosovës
1.4. Departamenti për Krimet e Rënda, që vepron në selinë e secilës Gjykatë Themelore;
1.5. Departamenti i Përgjithshëm, që vepron në selinë e secilës gjykatë themelore, si dhe në secilën degë të Gjykatës Themelore.
1.6. Departamenti për të Mitur, që vepron në kuadër të secilës gjykatë themelore.
2. Secila gjykatë themelore, e ka kryetarin e Gjykatës, i cili është përgjegjës për menaxhimin dhe punën e Gjykatës Themelore. Secila degë e Gjykatës Themelore, ka Gjyqtar Mbikëqyrës, që i përgjigjet kryetarit të Gjykatës Themelore përkatëse për punën e degës.
3. Caktimi i lëndëve në departamente përkatëse, brenda gjykatës, bëhet në pajtim me Rregulloren e Këshillit, sipas kompetencës së departamenteve.
4. Themelimi i departamenteve të reja dhe ndryshimi i kompetencës lëndore të departamenteve ekzistuese bëhet me ligj.
5. Në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore të Prishtinës, funksionon Divizioni për Kontestet në lidhje me investitorët e huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës.
Neni 14Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës
1. Kryetari i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit, është përgjegjës për administrimin ditor të gjykatës, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli. Kryetari i Gjykatës organizon dhe bashkërendon funksionimin e gjykatës; mbikëqyrë veprimtaritë financiare të gjykatës; dhe ndërmerr veprime të cekura me rregullat, procedurat apo urdhëresat e nxjerra nga Këshilli.
2. Kryetari i gjykatës ka këto përgjegjësi:
2.1. Autorizon dhe inicion procedurat për punësimin, disiplinimin dhe shkarkimin e personelit jogjyqësor, në përputhje me rregulloret e zbatueshme për personelin.
2.2. Kryetari i gjykatës ka autoritet të përgjithshëm administrativ për menaxhimin e gjykatës si dhe siguron administrim efikas dhe efektiv të drejtësisë nga të gjitha degët, departamentet dhe divizionet e gjykatës.
2.3. Kryetari i gjykatës, në bashkëpunim me gjyqtarët e gjykatës, zhvillon planin vjetor për menaxhimin e lëndëve dhe cakton lëndët tek departamentet dhe gjyqtarët, në atë mënyrë që të sigurojë zgjidhjen efikase të lëndëve.
2.4. Kryetari i gjykatës në baza vjetore i dërgon Këshillit një raport mbi suksesin e zbatimit të planit të mëparshëm vjetor për menaxhimin e lëndëve.
2.5. Kryetari i gjykatës i dërgon Këshillit raport tremujor me shkrim, që adreson punën e gjykatës, identifikon çfarëdo probleme me të cilat ballafaqohet gjykata, si dhe propozon hapa riparues për të adresuar problemet e identifikuara.
2.6. Kryetari i gjykatës, në bazë të rregullave dhe urdhëresave të Këshillit, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për të siguruar menaxhim efektiv dhe efikas të gjykatës dhe të burimeve të saj, si dhe gjykimin e lëndëve brenda kohës së arsyeshme.
2.7. Kryetari i gjykatës është përgjegjës për të siguruar se gjykata dhe procedurat para gjykatës janë të hapura dhe transparente për publikun.
2.8. Pas shqyrtimit dhe pranimit nga Këshilli, planet dhe raportet tremujore dhe vjetore mbi menaxhimin e lëndëve do të bëhen publike.
2.9. Kryetari i gjykatës është përgjegjës për të siguruar qasjen e publikut në gjykata, përfshirë qasjen e personave nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë.
2.10. Kryetari i gjykatës thërret takim vjetor të të gjithë gjyqtarëve për këshillim mbi Administrimin e Drejtësisë në atë gjykatë; për të analizuar organizimin e gjykatës; për të shqyrtuar dhe propozuar ndryshime në procedura dhe praktika; për të ekzaminuar punën e arritur nga gjykata; si dhe për të adresuar çfarëdo problemi të administratës, me të cilin ballafaqohet gjykata. Kryetari i gjykatës brenda nëntëdhjetë (90) ditësh i dërgon Këshillit një raport mbi rezultatet e takimit vjetor të gjyqtarëve.
2.11. Kryetari i gjykatës kryen edhe punë tjera të përcaktuara me ligj dhe me Rregullore të Këshillit. Kryetari për punën e tij i raporton Këshillit.
2.12. Kryetari i gjykatës mund të delegojë kompetenca të caktuara.
3. Kryetari i gjykatës, në konsultim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, cakton nënkryetarin e gjykatës nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës përkatëse. Mandati i nënkryetarit të gjykatës është i njëjtë me mandatin e kryetarit përkatës.
4. Nënkryetari i gjykatës ushtron detyrat e kryetarit të gjykatës në mungesë të tij, apo kur kryetari e ka të pamundshëm ushtrimin e detyrave të tij. Nënkryetari ushtron detyra tjera të cilat i delegohen me shkrim nga kryetari i gjykatës.
Neni 15Gjyqtari mbikëqyrës
1. Gjyqtari mbikëqyrës emërohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në konsultim me kryetarin e gjykatës përkatëse.
2. Gjyqtari mbikëqyrës drejton dhe mbikëqyrë veprimtarinë, organizimin dhe aktivitetet e administratës gjyqësore të degës.
3. Gjyqtari mbikëqyrës ka autoritet të përgjithshëm administrativ mbi gjithë personelin gjyqësorë dhe jogjyqësorë brenda degës. Gjyqtari mbikëqyrës brenda degës zbaton rregullat dhe urdhëresat e Këshillit si dhe urdhëresat e kryetarit të Gjykatës Themelore. Gjyqtari mbikëqyrës i raporton kryetarit të gjykatës në baza tremujore, mbi nevojat dhe veprimet e degës.
4. Gjyqtari mbikëqyrës me shkrim mund t’ia delegojë përgjegjësitë specifike administrative ndihmësadministratorit të degës.
5. Në mungesë të gjyqtarit mbikëqyrës, kryetari i gjykatës cakton një gjyqtar për të ushtruar përkohësisht detyrën e gjyqtarit mbikëqyrës.
Neni 16Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore të Prishtinës
1. Departamenti për Çështje Ekonomike i Gjykatës Themelore të Prishtinës është kompetent për çështjet në vijim:
1.1. kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja lidhur me çështjet e tyre të ndërsjella afariste, përfshirë edhe kontestet gjyqësore që burojnë nga Ligji për Shoqëritë Tregtare;
1.2. riorganizim, falimentim dhe shuarjen e shoqërive tregtare, nëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe;
1.3. kontestet lidhur me pengimin e posedimit, me përjashtim të pronës së paluajtshme, ndërmjet palëve të cekura në nën-paragrafi 1.1 të këtij paragrafi;
1.4. kontestet lidhur me cenimin e konkurrencës, keqpërdorim apo monopolizim dhe pozitën dominuese në treg si dhe marrëveshjet monopoliste përfshirë edhe vlerësimin e kundërligjshmërisë;
1.5. mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnin industrial, fshehtësitë tregtare dhe format e tjera të pronësisë industriale të parapara me legjislacionin përkatës;
1.6. kontestet midis kompanive të aviacionit, për të cilat zbatohet Ligji mbi Kompanitë e Aviacionit, duke përjashtuar kontestet lidhur me të drejtat e udhëtarëve;
1.7. çështje të tjera të parapara me ligj.
2. Të gjitha çështjet në Departamentin për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore gjykohen nga një (1) gjyqtar profesionist, përpos nëse me ligj nuk parashihet ndryshe.
3. Në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore të Prishtinës funksionon Divizioni për kontestet lidhur me investitorët e huaj, me juridiksion për tërë territorin e Kosovës.
Neni 17Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore të Prishtinës
1. Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjykon dhe vendos në konfliktet administrative sipas padive kundër akteve administrative përfundimtare dhe për çështjet e tjera të përcaktuara me ligj.
2. Të gjitha çështjet në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore gjykohen nga një (1) gjyqtar profesionist, përpos nëse me ligj parashihet ndryshe.
3. Në kuadër të Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore të Prishtinës, funksionon Divizioni Fiskal, në lidhje me paditë e ushtruara kundër akteve përfundimtare administrative, në çështjet që kanë të bëjnë me çështjet doganore dhe tatimore, tatimi mbi pronën e paluajtshme dhe çdo tatim ose kontribut tjetër të aplikuar në Republikën e Kosovës Neni18 Departamenti Special për lëndët në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
1. Departamenti Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka kompetencë të shqyrtojë lëndët të cilat bien në kompetencë të PSRK-së, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet pasuese.
2. Të gjitha çështjet në Departamentin Special për lëndët në kompetencë të PSRK-së gjykohen nga trupi gjykues prej tre (3) gjyqtarëve profesionistë, nga të cilët njëri duhet të jetë kryesues i trupit gjykues.
Neni 19Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore
1. Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore i gjykon veprat penale të dënueshme mbi dhjetë (10) vite, si dhe veprat penale që konsiderohen krime të rënda sipas Kodit Penal apo Kodit të Procedurës Penale.
2. Të gjitha çështjet në Departamentin për Krime të Renda të Gjykatës Themelore gjykohen nga trupi gjykues prej tre (3) gjyqtarëve profesionist, nga të cilët njëri duhet të jetë kryesues i trupit gjykues.
Neni 20Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore
1. Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore gjykon në shkallë të parë të gjitha çështjet, përveç nëse kjo është në kompetencë e një Departamenti tjetër të Gjykatës Themelore.
2. Të gjitha lëndët e paraqitura pranë Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore do të gjykohen nga një (1) gjyqtar profesional, përveç nëse me ligj nuk parashihet ndryshe.
Neni 21Gjykata e Apelit
1. Gjykata e Apelit vepron si gjykatë e shkallës së dytë, me juridiksion territorial në gjithë Republikën e Kosovës.
2. Selia e Gjykatës së Apelit është në Prishtinë.
Neni 22Kompetencat e Gjykatës së Apelit
1.Gjykata e Apelit është kompetente të shqyrtojë:
1.1. të gjitha ankesat e ushtruara kundër vendimeve të Gjykatave Themelore;
1.2. të vendos për konfliktin e juridiksionit ndërmjet Gjykatave Themelore;
1.3. çështjet tjera të parapara me ligj.
Neni 23Shqyrtimi i lëndëve në Gjykatën e Apelit
Gjykata e Apelit shqyrton dhe gjykon lëndët në kolegj prej tre (3) gjyqtarëve profesionist, përveç nëse me ligj parashihet ndryshe.
Neni 24Organizimi i Brendshëm i Gjykatës së Apelit
1. Gjykata e Apelit organizohet në departamentet si në vijim:
1.1. departamenti i Përgjithshëm;
1.2. departamenti për Krime të Rënda;
1.3. departamenti special për lëndët në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
1.4. departamenti për Çështje Ekonomike;
1.5. departamenti për Çështje Administrative;
1.6. departamenti për të Mitur.
Neni 25Gjykata Supreme
1. Gjykata Supreme e Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
2. Gjykata Supreme përfshin kolegjin e apelit të Agjencionit Kosovar të Pronës si dhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e së cilës janë pjesë e Gjykatës Supreme.
3. Përbërja e Gjykatës Supreme pasqyron përbërjen etnike të popullatës së Kosovës. Së paku pesëmbëdhjetë përqind (15%) të Gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, por asnjëherë më pak se tre (3) gjyqtarë vijnë nga radhët e komunitetit që nuk është shumicë në Kosovë.
4. Selia e Gjykatës Supreme është në Prishtinë.
5. Gjykata Supreme ka Kryetarin siç parashihet në nenin 103 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
6. Gjykata Supreme shqyrton dhe gjykon lëndët në kolegj me nga tre (3) gjyqtarë profesionist, me përjashtim kur me ligj parashihet një numër më i madh i gjyqtarëve.
7. Kryetari i Gjykatës Supreme ka këto përgjegjësi:
7.1. është përgjegjës për menaxhimin dhe punët e Gjykatës Supreme;
7.2. sipas nevojës, cakton gjyqtarët për të siguruar gjykimin efikas të lëndëve;
7.3. sigurohet që secila lëndë e paraqitur në Gjykatën Supreme caktohet tek një kolegj adekuat i gjyqtarëve dhe cakton gjyqtarin kryesues të atij kolegji;
7.4. Kryetari po ashtu mund të kryej edhe punë të tjera të përcaktuara me ligj.
Neni 26Kompetencat e Gjykatës Supreme
1.Gjykata Supreme është kompetente të vendosë lidhur me:
1.1. kërkesën për mjetet e jashtëzakonshme juridike kundër vendimeve të formës së prerë të gjykatave të Republikës së Kosovës, siç është paraparë me ligj;
1.2. revizionin kundër vendimeve të shkallës së dytë të gjykatave në çështjet kontestimore, siç është paraparë me ligj;
1.3. gjykata Supreme vendos në shkallë të tretë për ankesat e lejuara me ligj;
1.4. përcakton qëndrimet parimore, nxjerr mendime juridike dhe udhëzues për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Kosovës;
1.5. lëndët e Agjencisë Kosovare të Pronave, siç parashihet me ligj;
1.6. në Dhomën e Posaçme, lëndët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ose të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, siç parashihet me ligj;
1.7. çështje të tjera të parapara me ligj.
Neni 27Seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme
1.Gjykata Supreme mund të thërrasë një Seancë të përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të saj për nxjerrjen e qëndrimeve parimore, mendimeve juridike dhe udhëzuesveqë promovojnë zbatimin unik të ligjeve.
2. Gjykata Supreme përcakton me rregulloret e nevojshme punimet e Seancave të përgjithshme të gjykatës.
Neni 28Rregulloret për Organizimin e Brendshëm të Gjykatave
Këshilli Gjyqësor i Kosovës miraton rregullore për organizimin e brendshëm të gjykatave, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj.
Neni 29Administratori i Gjykatës
1. Administratori i gjykatës zgjidhet dhe shkarkohet në pajtim me Ligjin për Shërbimin Civiltë Kosovës, në një proces të hapur dhe konkurrues, pas shpalljes publike të pozitës.
2. Administratori i përgjigjet kryetarit të gjykatës. Përgjegjësitë dhe detyrat e administratorit të gjykatës përcaktohen me rregullore të Këshillit.
3. Administratori i gjykatës menaxhon dhe mbikëqyrë funksionet administrative të gjykatës në mënyrë autonome, në bashkëpunim me kryetarin e gjykatës dhe në koordinim me sekretariatin e Këshillit. Administratori i gjykatës mbikëqyrë:
3.1. hartimin e raporteve të gjykatës, duke përfshirë raportet statistikore dhe të sigurojë që të njëjtat të jenë të sakta dhe të përgatiten me kohë;
3.2. regjistrimin dhe arkivimin e dosjeve të gjykatës dhe lëndëve të mbyllura;
3.3. mirëmbajtjen e dosjeve të gjykatës në formë të plotë dhe të saktë;
3.4. sigurinë e gjykatës;
3.5. stafin administrativ të gjykatës;
3.6. zbatimin e rregulloreve për personelin gjyqësorë;
3.7. mirëmbajtjen e saktë të financave;
3.8. zbatimin e rregulloreve të Këshillit dhe procedurat e themeluara nga Këshilli;
3.9. Administratori cakton, sipas nevojës, stafin administrativ në detyra të caktuara për të siguruar veprimin efektiv dhe efikas të gjykatës;
3.10. Administratori siguron qasjen e publikut në regjistrat e gjykatës dhe informacionin që mund të zbulohet për publikun, në pajtim me ligjet në fuqi; dhe
3.11. ndërmerr detyra dhe përgjegjësi të tjera, siç mund të caktohen nga kryetari i gjykatës apo gjyqtari mbikëqyrës. KAPITULLI IV KUALIFIKIMET, TË DREJTAT DHE DETYRIMET E GJYQTARËVE
Neni 30Kushtet për emërimin e gjyqtarëve
1. Kandidatët për t’u emëruar gjyqtar, siç parashihet në nenin 104 dhe nenin 108 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duhet plotësuar kushtet e përgjithshme si në vijim:
1.1. të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
1.2. të ketë diplomën e Fakultetit Juridik të vlefshëm në Kosovë.
1.3. të ketë të kryer provimin e Jurisprudencës të pranuar sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë.
1.4. të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet personal;
1.5. të mos jenë dënuar për vepër penale me përjashtim të veprave penale të kryera nga pakujdesia
1.6. të ketë së paku tre (3) vite përvojë në fushën juridike, dhe
1.7. të ketë kaluar provimin për gjyqtar, në pajtim me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me rregullore të veçantë të miratuar nga Këshilli.
2. Për qëllime të këtij neni përvoja në fushën juridike përfshin përvojën, duke mos u kufizuar, në çështjet juridike në institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare.
Neni 31Trajnimi fillestar
1. Pas emërimit nga Presidenti i Kosovës, gjyqtarët, do t’i nënshtrohen trajnimit fillestar, i cili do të organizohet nga Akademia e Drejtësisë. Trajnimi fillestar do të zgjasë dymbëdhjetë (12) muaj, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi.
2. Gjatë trajnimit fillestar, gjyqtarëve mund t’u caktohen raste nën mbikëqyrjen e mentorit.
3. Gjyqtarët e emëruar do të vlerësohen pas rezultateve të trajnimit fillestar, në përputhje me dispozitat relevante të këtij ligji. Periudha e trajnimit fillestar do të vazhdohet për ata gjyqtarë që dështojnë të përfundojnë në mënyrë adekuate trajnimin fillestar, siç është përcaktuar nga Akademia e Drejtësisë.
Neni 32Kushtet e veçanta për gjyqtarë
1. Përveç kualifikimeve minimale, të gjithë kandidatët për emërim për gjyqtarë, me qëllim të emërimit apo avancimit në gjykata, duhet të kenë kualifikimet si në vijim:
1.1. për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Departamentin për Krime të Rënda apo për të Mitur në Gjykatën Themelore, kandidati duhet të ketë së paku tre (3) vite përvojë si gjyqtar në lëmin penal;
1.2. për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Departamentin e Çështjeve Administrative ose Departamentin e Çështjeve Ekonomike të Gjykatës Themelore, gjyqtari duhet të ketë së paku gjashtë (6) vite përvojë në fushën juridike, duke përfshirë edhe përvojën në çështjet administrative dhe ekonomike;
1.3. për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, gjyqtari duhet të ketë së paku pesë (5) vite përvojë si gjyqtar;
1.4. për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Supreme, gjyqtari duhet të ketë së paku tetë (8) vite përvojë si gjyqtar;
1.5 për të ushtruar funksionin e gjyqtarit në Departamentin Special për lëndët në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kandidati duhet t’i plotësoj kushtet për të punuar si gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda si dhe të ketë vlerësim pozitiv të performancës.
Neni 33Gjyqtarët porotë
1. Gjyqtarët porotë do të shërbejnë vetëm kur kërkohet me ligj. Kushtet dhe procedurat për rekrutimin e gjyqtareve porotë rregullohen me akt nënligjor të miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
2. Për t’u emëruar gjyqtar porotë duhet të përmbushen kualifikimet si në vijim:
2.1. të jenë shtetas dhe banorë të Kosovës;
2.2. të këtë moshën më se paku njëzetepesë (25) vjeç;
2.3. të kenë përfunduar me sukses trajnimin e kërkuar sipas rregullores së KGJK-së;
2.4. të mos jenë dënuar për vepër penale me përjashtim të veprave penale të kryera nga pakujdesia;
2.5. të kenë reputacion të lartë moral në shoqëri dhe integritet personal.
3. Gjyqtarët porotë do të shpërblehen për shërbimet e tyre sipas planit të kompensimit i cili përcaktohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Neni 34Përfundimi i mandatit
1. Mandati i gjyqtarit përfundon me:
1.1. dorëheqje;
1.2. shkarkim;
1.3. vdekje;
1.4. pensionim;
1.5. kur nuk riemërohet me mandat të përhershëm.
Neni 35Paga dhe kompensimi gjyqësor
1. Gjatë mandatit të tyre në detyrë gjyqtarët do të pranojnë pagat si në vijim:
1.1. kryetari i Gjykatës Supreme do të pranoj një pagë jo më pak se ajo e Kryeministrit të Republikës së Kosovës;
1.2. gjyqtari i Gjykatës Supreme do të pranoj pagën në shkallë prej nëntëdhjetë përqind (90%) të pagës së Kryetarit të Gjykatës Supreme;
1.3. kryetari i Gjykatës së Apelit do të pranoj një pagë ekuivalente me atë të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës;
1.4. të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit do të pranojnë një pagë ekuivalente prej nëntëdhjetë përqind (90%) të Kryetarit të Gjykatës së Apelit;
1.5. kryetari i Gjykatës Themelore do të pranoj një pagë ekuivalente me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit;
1.6. gjyqtari mbikëqyrës i një dege të Gjykatës themelore do të pranoj një pagë ekuivalente me nëntëdhjetepesë përqind (95%) të Kryetarit të Gjykatës Themelore;
1.7. të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Themelore do të pranojnë një pagë ekuivalente prej tetëdhjetë përqind (80%) të Kryetarit të Gjykatës Themelore 2.Paga e një gjyqtari nuk do të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar, përveç sanksionimit disiplinor të vendosur nën autoritetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. 3.Gjyqtarët gëzojnë të drejtën e pushimit vjetor në pajtim me Ligjin e Punës.
Neni 36Mbrojtja
Gjyqtarët kanë të drejtë që nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të kërkojnë masa të veçanta mbrojtëse për veten dhe për familjet e tyre atëherë kur kërcënimi ndaj jetës së tyre, apo jetës së një anëtari të familjes, vjen nga apo është rezultati i përgjegjësive të tyre gjyqësore.
Neni 37Imuniteti
Gjyqtarët dhe gjyqtarët porotë gëzojnë të drejtën e imunitetit siç parashikohet me Kushtetutë.
Neni 38Veprimtaritë profesionale
1. Gjyqtaret me aprovimin paraprak të Këshillit, kanë të drejtë të marrin pjesë në organizata profesionale, takime shkencore, të cilat promovojnë pavarësinë dhe mbrojtjen e interesave profesionale të gjyqtarëve.
2. Gjyqtarët me aprovimin e Kryetarëve të Gjykatave dhe Kryetarët me aprovim të Këshillit, vetëm jashtë orarit të punës, mund të marrin pjesë në veprimtari të cilat janë në përputhje me Kodin e Etikes dhe Sjelljen profesionale të gjyqtarëve.
3. Në pajtim me dispozitat e Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale të gjyqtarëve, gjyqtarët mund të angazhohen në shkrime profesionale dhe shkencore, por nuk mund të botojnë përmbajtjen relevante të dosjeve gjyqësore gjatë apo pas përfundimit të funksionit gjyqësor, përveç nëse kjo lejohet shprehimisht me ligj apo akt nënligjor, të lëshuar nga Këshilli.
4. Gjyqtaret, për aktivitetet e parapara në këtë nen pranojnë shpërblim, i cili nuk mund të tejkalojë vlerën prej njëzetepesë (25%) për qind të pagës bazë, dhe për këtë shpërblim Gjyqtaret e njoftojnë Kryetarin e Gjykatës kurse Kryetaret e Gjykatave e njoftojnë Këshillin.
Neni 39Bashkëpunëtorët profesional, praktikantët, përkthyesit, interpretët dhe ekspertët
gjyqësor
1. Këshilli Gjyqësor i Kosovës me akt nënligjor përcakton procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit, kriteret, të drejtat dhe detyrimet për bashkëpunëtor profesional.
2. Çdo gjyqtar duhet të ketë së paku nga një bashkëpunëtor profesional, që i shërben ekskluzivisht gjyqtarit në fjalë.
3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës me akt nënligjor përcakton procedurat e certifikimit dhe emërimit, kushtet, të drejtat dhe detyrimet për përkthyes, interpret dhe ekspertë gjyqësor, si dhe lartësinë e shpërblimit për punën e tyre.
Neni 40Detyrat e gjyqtarëve
1. Gjyqtarët veprojnë në mënyrë objektive, të paanshme dhe të pavarur në pajtim me parimet e përcaktuara në Kodin e Etikës Profesionale të Gjyqtarëve.
2. Gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, gjyqtarët demonstrojnë disponueshmërinë, respektin për palët dhe dëshmitarëve si dhe vigjilencë në ruajtjen e shkallës më të lartë të kompetencës.
3. Gjatë ushtrimit të funksioneve gjyqësore, gjyqtarët mbrojnë konfidencialitetin e çdo informacioni jopublik.
4. Gjyqtarët nuk komentojnë në media përmbajtjen, provat dhe vendimet e cilësdo lëndë. Gjyqtarët nuk përfshihen në çfarëdo komunikimi ex-parte me askënd lidhur me lëndët.
5. Gjyqtarët duhet të përfshihen në arsimimin e vazhdueshëm ligjor në përputhje me rregulloret e miratuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Neni 41Ndalesat mbi Sjelljen e Gjyqtarëve
1. Gjyqtarët nuk kryejnë asnjë detyrë apo shërbim që mundet të perceptohet si ndërhyrje në pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre, apo që përndryshe nuk është në përputhje me detyrat e një gjyqtari, apo dispozite të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë në Kosovë.
2. Gjyqtarët nuk janë pjesëtarë të një subjekti politik dhe as nuk mund të marrinë pjesë në çfarëdo lloj veprimtarie politike. Gjyqtari nuk do të kandidojë, mbajë, as ushtrojë ndonjë funksion politik. KAPITULLI V DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 42Caktimi i gjyqtarëve në Departamentin Special për Lëndët në Kompetencë, në
kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe zgjidhja e lëndëve të pakryera
1. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më së largu gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do të përzgjedh gjyqtarët të cilët do të shërbejnë në Departamentin Special për lëndët në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përkatësisht në Departamentin për lëndët në kompetencë të PSRK-së, në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykatës së Apelit, në pajtim me dispozitat e ligjit në fuqi.
2. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duhet gjithashtu të ndërmarrë të gjitha masat për të funksionalizuar Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, duke përfshirë rekrutimin e stafit mbështetës si dhe bashkëpunëtorëve profesionalë
3. Gjyqtarët që caktohen të punojnë në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në Departamentin për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në Gjykatën e Apelit, mund të angazhohen në trupe gjykuese për gjykimin e lëndëve në kuadër të Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, respektivisht në Gjykatën e Apelit.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, lëndët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për të cilat ende nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar, do të transferohen për shqyrtim në Departamentin Special për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Lëndët për të cilat është mbajtur shqyrtimi fillestar, do të vazhdojnë të shqyrtohen në gjykatat përkatëse, deri në përfundimin e tyre.
5. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, lëndët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që janë në Gjykatën e Apelit, do të vazhdojnë të shqyrtohen nga kolegji përkatës, i cili e ka lëndën në shqyrtim në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Lëndët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që pranohen në Gjykatën e Apelit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të shqyrtohen nga Departamenti për Lëndët në Kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Neni 43Nxjerrja e akteve nënligjore
Rregulloret e përcaktuara në këtë ligj do të nxirren në afat prej një (1) viti, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 44Shfuqizimi i Ligjeve të Tjera
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen:
1.1. Ligji nr. 03/L-199 për Gjykatat;
1.2. Ligji nr. 05/L-032 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-199 për Gjykatat;
1.3. Ligji nr. 04/L-171 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për gjykatat;
1.4. Ligji nr. 04/l-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, neni 10
1.5. Neni 215 paragrafi 2 i Kodit nr. 04/L-123 i Procedurës Penale;
Neni 45Hyrja në fuqi
Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ligji Nr. 06/L -054 23 nëntor 2018 Shpallur me dekretin Nr. DL-059-2018, datë 13.12.2018 nga Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi