Neni 6. Procedura për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese
1. Me këtë ligj themelohet Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë “Komisioni”). Ky Komision i paraqet Kuvendit listën e ngushtë të kandidatëve të kualifikuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në pajtim me procedurën e përcaktuar në këtë nen.
2. Komisioni përbëhet nga këta anëtarë:
2.1. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës apo një anëtar i Kuvendit përfaqësues i deleguar i tij/saj;
2.2. Udhëheqësit e secilit grup parlamentar të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo anëtarët e Kuvendit përfaqësues të deleguar të tyre;
2.3. Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës;
2.4. Avokati i Popullit ;
2.5. Përfaqësuesi i Këshillit Konsultativ për Komunitete;
2.6. Përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese.
3. Komisionin e thërret dhe kryeson Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesi i deleguar i tij/saj. Komisioni ka dy zëvendës kryesues të cilët zgjidhen në mesin e anëtarëve të tij, ku njëri nga ta do të jetë nga radhët e deputetëve të komunitetit tjetër nga komuniteti i kryesuesit.
4. Komisioni vendos me shumicën e thjeshtë të votave. Në rast të votimit të barabartë, vota e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës apo përfaqësuesit të tij/saj të deleguar është vendimtare.
5. Në rast se ndonjëri nga anëtaret e Komisionit ka konflikt të interesit në lidhje me rastin, atëherë ai/ajo nuk merr pjesë në punën e Komisionit për atë rast.
6. Procedurën për përcaktimin e listës së ngushtë të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese e fillon Komisioni. Komisioni publikon thirrjen/ftesën në media të shkruara dhe elektronike duke përfshirë edhe ato të cilat kryesisht lexohen nga komunitetet që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës, të Kuvendit, institucioneve gjyqësore, fakulteteve juridike, Odës së Avokatëve, shoqatave të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, partive politike, personave të tjerë relevant juridik dhe individëve që të propozojnë kandidat për zgjedhjen e një apo më shumë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë ftesa/thirrja). Një person mund të propozojë veten për kandidat.
7. Në thirrje/ftesë ceken kushtet për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë dhe me këtë ligj, afati për paraqitjen e propozimit për kandidatin Komisionit, i cili nuk duhet të jetë më i shkurtër se 15 apo më i gjatë se 20 ditë, dhe dokumentet përcjellëse të cilat dorëzohen me propozim.
8. Pas skadimit të afatit të përcaktuar në paragrafin e mëparshëm, Komisioni, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, shqyrton nëse kandidatët e propozuar i plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë dhe me këtë ligj, dhe hedhë poshtë kandidaturat që nuk plotësojnë këto kushte. Në zbatimin e kësaj përgjegjësie, Komisioni aplikon përvojat e krijuara për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve tjerë të gjyqësorit në Republikën e Kosovës.
9. Komisioni zhvillon intervistë me secilin kandidat i cili plotëson kushtet për tu zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të të dhënave të paraqitura dhe rezultateve të intervistës, përgatitë listën e ngushtë të kandidateve të kualifikuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
10. Lista e ngushtë përmban më shumë kandidatë sesa numri i gjyqtarëve të cilët do të zgjedhën, por jo më tepër se pesë (5) kandidatë për një post të lirë.
11. Komisioni, bashkangjitur me listën e ngushtë, i dërgon Kuvendit të Republikës së Kosovës listën e të gjithë kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
12. Propozimi i Komisioni përmban arsyetim përse Komisioni ju ka dhënë përparësi disa kandidatëve në krahasim me kandidatët tjerë.
Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:
- LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK (5 janar 2023)
- LIGJI NR. 04/L-115 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË KANË TË BËJNË ME PËRFUNDIMIN E MBIKËQYRJES NDËRKOMBËTARE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS (7 shtator 2012)
- Numri
- 03/L-121
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 15 janar 2009, 46/2009
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.