Dosja
Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, 03/L-121

Neni 5. Papajtueshmëria e funksionit

1. Gjatë mandatit të tij gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të drejtë të jetë:

1.1. anëtar i një partie, lëvizje ose çfarëdo organizate tjetër politike;

1.2. anëtar i bordit drejtues të një ndërmarrje publike, shoqërie tregtare ose organizate jo qeveritare;

1.3. anëtar i një sindikate;

2. Përveç ndalesave të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të drejtë të ushtrojë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehet me pagesë, përveç ushtrimit të funksionit të ligjëruesit të shkencave juridike në një universitet të akredituar. Për qëllime të këtij ligji, nuk konsiderohet detyrë publike apo profesionale nëse gjyqtari pa pagesë merret me veprimtari shkencore, apo pa pagesë angazhohet si anëtar në institute ose shoqata të juristëve, në organizata humanitare, kulturore, sportive dhe organizata tjera, përderisa këto aktivitete nuk kanë lidhje me punën e ndonjë partie politike.

3. Gjyqtari i propozuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund të emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës nëse nuk paraqet dëshmi se ka dhënë dorëheqje nga funksionet e përcaktuara në paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni.

4. Secili gjyqtar ka për detyrë të njoftojë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese me shkrim për çdo aktivitet që kryen jashtë funksionit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese për të cilën kompensohet me mëditje ose çfarëdo forme tjetër të kompensimit. Në rast se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shpreh kundërshtimin e vet, gjyqtari ka të drejtë të kërkojë që vendimi i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të rishqyrtohet nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i tillë mund të hidhet poshtë nga shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:

  • LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK (5 janar 2023)
  • LIGJI NR. 04/L-115 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË KANË TË BËJNË ME PËRFUNDIMIN E MBIKËQYRJES NDËRKOMBËTARE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS (7 shtator 2012)
Numri
03/L-121
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
15 janar 2009, 46/2009
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.