Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 92. Shkeljet e përgjithshme të dispozitave të këtij ligji

1. Personi juridik ose personi që ushtron veprimtari të pavarur dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej njëzetë mijë (20,000€) deri në dyzet mijë (40,000€), nëse:

1.1. përpunon të dhëna personale pa bazë ligjore ose pëlqim personal të subjektit të të dhënave sipas këtij ligji;

1.2. ia beson një detyrë individuale që ka të bëjë me përpunimin e të dhënave personale një personi tjetër pa lidhur kontratë me shkrim në pajtim me paragrafin 2. të nenit 32 të këtij ligji;

1.3. përpunon të dhëna personale të ndjeshme, të veçanta, në kundërshtim me nenin 6, nenin 8. të këtij ligji, ose nuk i mbron ato në pajtim me nenin 7. të këtij ligji, paragrafin 4 të nenit 8 të këtij ligji.

1.4. përpunon të dhënat personale në kundërshtim me nenet 10 dhe 12 të këtij ligji;

1.5. grumbullon të dhënat personale për qëllime që nuk janë të definuara në mënyrë të qartë dhe të paligjshme, ose nëse vazhdon t’i përpunojë ato në kundërshtim me nenin 5 të këtij ligji;

1.6. e pajisë marrësin e të dhënave me të dhëna personale në kundërshtim me paragrafin 3. të nenit 8 të këtij ligji;

1.7. nuk informon subjektin e të dhënave për përpunimin e të dhënave personale në pajtim me nenet 10 dhe 12 të këtij ligji;

1.8. përdorë kodin e njëjtë lidhës në kundërshtim me paragrafin 3. të nenit 86 të këtij ligji;

1.9. nuk i asgjëson, shkatërron, bllokon ose nuk i bën anonime të dhënat personale atëherë kur qëllimi për të cilin janë mbledhur dhe/ose përpunuar është arritur në pajtim me paragrafin 5. të nenit 4 të këtij ligji;

1.10. dështon të sigurojë se katalogu i sistemit të dosjeve përmban informacione të garantuara me nenin 29 të këtij ligji;

1.11. dështon të njoftojë Agjencinë për informacionet lidhur me regjistrin e sistemeve të dosjeve, sipas nenit 30 të këtij ligji;

1.12. vepron në kundërshtim me nenin 14 të këtij ligji;

1.13. vepron në kundërshtim me nenet 46 dhe 49 të këtij ligji dhe transferon të dhënat personale te vendet e tjera apo organizatat ndërkombëtare.

2. Personi përgjegjës i personit juridik ose i personit që ushtron veprimtari të pavarur dënohet për kundërvajtje me gjobë prej dy mijë (2,000) € deri në katër mijë (4,000) €, për shkeljet nga nën-paragrafi 1.13., paragrafit 1. i këtij neni.

3. Personi përgjegjës i organit shtetëror dënohet për kundërvajtje me gjobë prej një mijë (1,000) deri në dy mijë (2,000) €uro për shkelje nga paragrafi 1. i këtij neni.

4. Individi dënohet për kundërvajtje me gjobë prej katërqind (400) deri në një mijë (1,000) € për shkelje nga paragrafi 1. i këtij neni.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.