Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 83. Përdorimi i karakteristikave biometrike në sektorin privat

1. Sektori privat mund të përdorë karakteristikat biometrike vetëm nëse kjo është e domosdoshme për kryerjen e aktiviteteve për sigurinë e njerëzve, për sigurimin e pronës ose për mbrojtje të të dhënave konfidenciale ose fshehtësive të biznesit. Të punësuarit duhet të informohen paraprakisht në formë të shkruar për përdorimin e karakteristikave të tyre biometrike rreth masave që merren dhe të drejtat e tyre.

2. Nëse nuk është paraparë ndryshe me ligj përkatës, kontrolluesi i të dhënave duhet që para marrjes së masave për përdorimin e karakteristikave biometrike t’i ofrojë Agjencisë përshkrimin e detajuar për masat që do të merren, duke përfshirë informacionet që do t’i jepen subjektit të të dhënave, arsyet për marrjen e masave dhe masat mbrojtëse për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Pas marrjes së informacionit nga paragrafi 2 i këtij neni, Agjencia, brenda tridhjetë (30) ditësh duhet të vendosë nëse informacioni i marrë lidhur me masat është në pajtim me dispozitat e këtij ligji.

4. Kontrolluesit e të dhënave mund të zbatojnë masat për përdorimin e karakteristikave biometrike, pas marrjes së autorizimit nga Agjencia.

5. Kundër vendimit nga paragrafi 3. i këtij neni nuk lejohet ankesa, por mund të hapet konflikti administrativ në gjykatën kompetente. KREU XVIII REGJISTRIMET E HYRJES DHE DALJES NGA NDËRTESAT

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.