Neni 65. Bashkëpunimi me organet tjera
1. Agjencia bashkëpunon me organet shtetërore, ndërkombëtare dhe organet e Bashkimit Evropian, lidhur me çështjet që konsiderohen të rëndësishme për qasjen në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Në veçanti, Agjencia vendosë masa për bashkëpunim efektiv me autoritetet mbikëqyrëse të shteteve të tjera dhe organizatat ndërkombëtare, dhe siguron informacionin relevant dhe ndihmën e ndërsjellë, në përputhje me ligjin në fuqi. Ndihma e ndërsjellë mbulon, në veçanti, kërkesat për informacion dhe masa mbikëqyrëse, siç janë kërkesat për kryerjen e autorizimeve dhe konsultimeve, inspektimeve dhe hetimeve paraprake.
3. Agjencia merr të gjitha masat e duhura të kërkuara për t’iu përgjigjur kërkesës së një autoriteti tjetër mbikëqyrës pa vonesë të panevojshme dhe jo më vonë se një muaj pas marrjes së kërkesës. Masat e tilla mund të përfshijnë, në veçanti, transmetimin e informacionit përkatës për kryerjen e hetimeve.
4. Kërkesat për asistencë përmbajnë të gjithë informacionin e nevojshëm, duke përfshirë qëllimin dhe arsyet e kërkesës. Informacioni i shkëmbyer do të përdoret vetëm për qëllimin për të cilin është kërkuar.
5. Agjencia nuk refuzon përmbushjen e kërkesës, përveç nëse:
5.1. nuk është kompetente për objektin e kërkesës ose për masat që kërkohet të ekzekutojë, ose;
5.2. veprimi sipas kërkesës do të shkelte këtë ligj ose ligje të tjera të aplikueshme.
6. Agjencia informon autoritetin mbikëqyrës kërkues për rezultatet ose, sipas rastit, për progresin e masave të marra për t’iu përgjigjur kërkesës. Agjencia jep arsyet për refuzimin e kërkesës në pajtim me paragrafin 4. të këtij neni.
7. Agjencia, si rregull, e ofron informacionin e kërkuar nga autoritetet e tjera mbikëqyrëse me mjete elektronike, duke përdorur një format të standardizuar.
8. Agjencia nuk kërkon asnjë pagesë për veprimet e ndërmarra prej tyre në bazë të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë në kushtet e reciprocitetit.
9. Agjencia, kur është e përshtatshme dhe në përputhje me ligjin në fuqi, kryen operacione të përbashkëta duke përfshirë hetime të përbashkëta dhe masa të përbashkëta të zbatimit, ku përfshihen pjesëtarët ose stafi i autoriteteve mbikëqyrëse i shteteve të tjera ose organizatave ndërkombëtare.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.