Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 5. Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale

1. Përpunimi i të dhënave personale është i ligjshëm vetëm nëse zbatohet, të paktën, njëri nga kriteret e mëposhtme:

1.1. nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij për përpunimin e të dhënave të tij personale për një ose më shumë qëllime specifike;

1.2. nëse përpunimi është i domosdoshëm për përmbushjen e një kontrate, në të cilën subjekti i të dhënave është palë kontraktuese ose për të ndërmarrë veprimet lidhur me kërkesën e subjektit të të dhënave para lidhjes së kontratës;

1.3. nëse përpunimi është i domosdoshëm për respektimin e obligimit ligjor, të cilit i nënshtrohet kontrolluesi;

1.4. nëse përpunimi është i domosdoshëm për mbrojtjen e interesave jetike të subjektit të të dhënave ose personave të tjerë fizikë;

1.5. nëse përpunimi është i domosdoshëm për kryerjen e një detyre me interes publik ose për ushtrimin e autoritetit zyrtar që i është dhënë kontrolluesit;

1.6. nëse përpunimi është i domosdoshëm për qëllime të interesave legjitime të ushtruara nga kontrolluesi ose pala e tretë, përveç kur këto interesa tejkalohen nga interesat apo të drejtat dhe liritë themelore të subjektit të të dhënave që kërkon mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht nëse subjekti i të dhënave është fëmijë. Kjo nuk zbatohet për përpunimin e kryer nga autoritetet publike për përmbushjen e detyrave të tyre.

2. Nëse përpunimi për një qëllim tjetër nga ai për të cilin janë mbledhur të dhëna personale nuk bazohet në pëlqimin e subjektit të të dhënave ose në legjislacionin përkatës në fuqi, me qëllim që të konstatohet nëse përpunimi për një qëllim tjetër është në pajtim me qëllimin për të cilin janë mbledhur fillimisht të dhënat personale, ndërmjet të tjerash, merr parasysh:

2.1. çdo lidhje ndërmjet qëllimeve, për të cilat janë mbledhur të dhënat personale dhe qëllimet e përpunimit të mëtejshëm të synuar;

2.2. kontekstin në të cilin janë mbledhur të dhënat personale, veçanërisht në lidhje me raportin ndërmjet subjekteve të të dhënave dhe kontrolluesit;

2.3. natyrën e të dhënave personale, veçanërisht nëse përpunohen kategori të veçanta të të dhënave personale, në pajtim me nenin 8 të këtij ligji ose nëse përpunohen të dhënat personale në lidhje me dënimet dhe veprat penale, në pajtim me nenin 9 të këtij ligji;

2.4. pasojat e mundshme të përpunimit të synuar të mëtejmë për subjektet e të dhënave;

2.5. ekzistencën e garancive të përshtatshme, që mund të përfshijnë enkriptimin ose anonimizimin.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.