Neni 42. Monitorimi i kodeve të miratuara të sjelljes
1. Pa paragjykuar detyrat dhe kompetencat e Agjencisë sipas neneve 57, 64 dhe 65 të këtij ligji, monitorimi i përputhshmërisë me kodin e sjelljes mund të kryhet nga një organ që ka nivel të duhur të ekspertizës në lidhje me çështjen tematike të kodit dhe që është i akredituar për atë qëllim nga Agjencia.
2. Organi, siç referohet në paragrafin 1. të këtij neni mund të akreditohet për të monitoruar përputhshmërinë me kodin e sjelljes kur ai organ ka:
2.1. demonstruar pavarësinë dhe ekspertizën e tij në lidhje me çështjen tematike të kodit të pranueshëm nga Agjencia;
2.2. përcaktuar procedura që i lejojnë të vlerësojë përshtatshmërinë e kontrolluesve dhe përpunuesve përkatës për zbatimin e kodit, për të monitoruar përputhshmërinë e tyre me dispozitat e tij dhe për të rishikuar periodikisht funksionimin e tij;
2.3. përcaktuar procedura dhe struktura për të trajtuar ankesat për shkeljet e kodit ose për mënyrën në të cilën kodi është zbatuar ose po zbatohet nga kontrolluesi ose përpunuesi, dhe për t’i bërë ato procedura dhe struktura transparente për subjektet e të dhënave dhe publikun, dhe;
2.4. demonstruar për Agjencinë që detyrat e tij nuk rezultojnë në konflikt interesi.
3. Agjencia përcakton kritere për akreditimin e një organi nga paragrafi 1. i këtij neni.
4. Pa paragjykim ndaj detyrave dhe kompetencave të Agjencisë, organi nga paragrafi 1. i këtij neni, duke iu nënshtruar masave të duhura mbrojtëse, merr masat e duhura në rastet e shkeljes së kodit nga ana e kontrolluesit ose përpunuesit, duke përfshirë suspendimin ose përjashtimin e kontrolluesit ose përpunuesit në fjalë nga kodi. Ai duhet të informojë Agjencinë për veprimet e tilla dhe arsyet për marrjen e tyre.
5. Agjencia e revokon akreditimin e ndonjë organi sipas paragrafit 1. të këtij neni nëse kushtet për akreditim nuk përmbushen ose pushojnë së përmbushuri, ose kur veprimet e ndërmarra nga organi shkelin këtë ligj.
6. Ky nen nuk zbatohet për përpunimin e kryer nga autoritetet dhe organet publike.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.