Neni 41. Kodet e sjelljes
1. Agjencia inkurajon hartimin e kodeve të sjelljes që synojnë të kontribuojnë në zbatimin e duhur të këtij ligji, duke marrë parasysh karakteristikat specifike të sektorëve të ndryshëm të përpunimit.
2. Shoqatat dhe organet e tjera që përfaqësojnë kategoritë e kontrollueseve ose përpunuesve mund të përgatisin kode të sjelljes, ose të ndryshojnë ose zgjerojnë kode të tilla, në lidhje me:
2.1. përpunim të drejtë dhe transparent;
2.2. interesat legjitime të ndjekura nga kontrolluesit në kontekste specifike;
2.3. mbledhjen e të dhënave personale;
2.4. pseudonimizimin e të dhënave personale;
2.5. informatat e ofruar për publikun dhe subjektet e të dhënave;
2.6. ushtrimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave;
2.7. informatat e ofruara fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve, si dhe mënyrën në të cilën duhet të merret pëlqimi i bartësve të përgjegjësisë prindërore mbi fëmijët;
2.8. masat dhe procedurat e referuara në nenet 23 dhe 24 të këtij ligji, dhe masat për të siguruar sigurinë e përpunimit të përmendur në nenin 31 të këtij ligji;
2.9. njoftimin e shkeljeve të të dhënave personale tek Agjencia dhe komunikimin e shkeljeve të të dhënave personale tek subjektet e të dhënave;
2.10. transferimi i të dhënave personale në vende të treta ose organizata ndërkombëtare, ose;
2.11. procedurat jashtëgjyqësore dhe procedurat e tjera për zgjidhje të kontesteve ndërmjet kontrolluesve dhe subjekteve të të dhënave lidhur me përpunimin, pa paragjykuar të drejtat e subjekteve të të dhënave në përputhje me nenet 52 deri 54 të këtij ligji.
3. Përveç përputhshmërisë nga ana e kontrolluesve ose përpunuesve që i nënshtrohen këtij ligji, kodet sjelljes të miratuara në pajtim me paragrafin 5. të këtij neni dhe që kanë vlefshmëri të përgjithshme sipas paragrafit 6. të këtij neni po ashtu mund të respektohen nga kontrolluesit ose përpunuesit që nuk i nënshtrohen këtij ligji, në pajtim me nenin 2, me qëllim që të sigurojnë masa mbrojtëse të duhura në kuadër të transferimeve të të dhënave personale në vende të treta ose organizata ndërkombëtare.
4. Kodi i sjelljes i referuar në paragrafin 2. të këtij neni përmban mekanizma që i japin mundësi autoritetit kompetent të kryejë monitorimin e detyrueshëm të përputhjes së kontrolluesve ose përpunuesve të cilët marrin përsipër zbatimin e tij me dispozitat e tij.
5. Shoqatat dhe organet e tjera të përmendura në paragrafin 2. të këtij neni, që synojnë të përgatisin kodin e sjelljes, ose të ndryshojnë ose plotësojnë ndonjë kod ekzistues, duhet të dorëzojnë në Agjenci projekt kodin, ndryshimin ose plotësimin. Agjencia do të jap një mendim nëse projekt kodi, ndryshimi ose plotësimi është në përputhje me këtë ligj dhe e miraton atë projekt kod, ndryshimin ose plotësimi nëse konstaton se ai siguron masa mbrojtëse të mjaftueshme.
6. Kur projekt kodi, ndryshimi ose plotësimi, miratohet në përputhje me paragrafin 5 të këtij neni, Agjencia e regjistron dhe e publikon atë kod.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.