Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 31. Siguria e përpunimit

1. Duke marrë parasysh gjendjen e teknikës, shpenzimet e zbatimit dhe natyrën, objektin, kontekstin dhe qëllimet e përpunimit si dhe rrezikun e mundësisë së ndryshimit, si dhe ashpërsinë për të drejtat dhe liritë e personave fizikë, kontrolluesi dhe përpunuesi zbaton masa të përshtatshme teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm për rrezikun, duke përfshirë, ndër të tjera, sipas rastit:

1.1. pseudonimizimin dhe enkriptimin e të dhënave personale;

1.2. aftësinë për të siguruar konfidencialitetin, integritetin, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë në vazhdim të sistemeve dhe shërbimeve të përpunimit;

1.3. aftësinë për të rivendosur disponueshmërinë dhe qasjen në të dhënat personale në kohën e duhur, në rastin e një incidenti fizik ose teknik;

1.4. Një proces të testimit, vlerësimit të rregullt të efektivitetit të masave teknike dhe organizative për të garantuar sigurinë e përpunimit.

2. Në vlerësimin e nivelit të përshtatshëm të sigurisë duhet të merret parasysh veçanërisht rreziqet që paraqiten nga përpunimi, veçanërisht nga asgjësimi, humbja, ndryshimi aksidental ose i paligjshëm, deklarimi i paautorizuar ose qasja në të dhënat personale të transmetuara, ruajtura ose përpunuara ndryshe.

3. Respektimi i një kodi të aprovuar të sjelljes, sipas referencës në nenin 41 të këtij ligji ose certifikimit të aprovuar sipas referimit në nenin 43 të këtij ligji, mund të përdoret si një element nëpërmjet të cilit të demonstrohet përputhshmëria me kërkesat e parashikuara në paragrafin 1. të këtij neni.

4. Kontrolluesi dhe përpunuesi ndërmerr hapa për të garantuar që çdo person fizik që vepron nën autoritetin e kontrolluesit ose të përpunuesit, i cili ka qasje në të dhënat personale, nuk i përpunon ato, përveç se sipas udhëzimeve nga kontrolluesi, përveç kur i kërkohet ta bëjë këtë nga ndonjë ligj specifik.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.