Neni 27. Përpunuesi
1. Nëse përpunimi duhet të kryhet në emër të një kontrolluesi, i njëjti përdorë vetëm përpunues që ofrojnë garanci të mjaftueshme për të zbatuar masat e përshtatshme teknike dhe organizative në një mënyrë të tillë që përpunimi të përmbushë kërkesat e këtij ligji dhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave të subjektit të të dhënave.
2. Përpunuesi nuk angazhon një përpunues tjetër, pa autorizimin paraprak specifik ose të përgjithshëm me shkrim të kontrolluesit. Në rastin e autorizimit të përgjithshëm me shkrim, përpunuesi informon kontrolluesin për çdo ndryshim të synuar në lidhje me shtimin ose zëvendësimin e përpunuesve të tjerë, duke i dhënë kontrolluesit mundësi për të kundërshtuar këto ndryshime.
3. Përpunimi nga një përpunues rregullohet me një kontratë që është detyruese për përpunuesin në lidhje me kontrolluesin dhe që përcakton objektin dhe kohëzgjatjen e përpunimit, natyrën dhe qëllimin e përpunimit, tipin e të dhënave personale dhe kategorive të subjekteve të të dhënave dhe detyrimet dhe të drejtat e kontrolluesit. Kjo kontratë parashikon, veçanërisht, që përpunuesi:
3.1. përpunon të dhënat personale vetëm sipas udhëzimeve të dokumentuara nga kontrolluesi, duke përfshirë në lidhje me transferimet e të dhënave personale te një vend i jashtëm ose një organizatë ndërkombëtare, përveç kur i kërkohet ta bëjë këtë nga ndonjë ligj specifik, të cilit i nënshtrohet përpunuesi; në një rast të tillë, përpunuesi informon kontrolluesin për këtë kërkesë ligjore para përpunimit, përveç kur ligji e ndalon këtë informim për shkaqe të rëndësishme të interesit publik. Përpunuesi e informon menjëherë kontrolluesin nëse, sipas mendimit të tij, ndonjë udhëzim është në kundërshtim me këtë ligj;
3.2. garanton që personat e autorizuar për të përpunuar të dhënat personale i janë nënshtruar konfidencialitetit ose janë nën detyrimin ligjor të përshtatshëm të konfidencialitetit;
3.3. merr të gjitha masat e kërkuara sipas nenit 31 të këtij ligji;
3.4. respekton kushtet e referuara në paragrafët 2. dhe 4. të këtij neni për angazhimin e një përpunuesi tjetër;
3.5. duke marrë parasysh natyrën e përpunimit, ndihmon kontrolluesin me masa të përshtatshme teknike dhe organizative, në masën që kjo është e mundur, për përmbushjen e detyrimit të kontrolluesit për t’iu përgjigjur kërkesave për ushtrimin e të drejtave të subjektit të të dhënave;
3.6. ndihmon kontrolluesin në sigurimin e përputhshmërisë me detyrimet, në pajtim me nenet 21 deri 36 të këtij ligji, duke marrë parasysh natyrën e përpunimit dhe informacionin e ofruar përpunuesit;
3.7. sipas zgjedhjes së kontrolluesit, fshinë ose kthen të gjitha të dhënat personale te kontrolluesi pas përfundimit të dhënies së shërbimeve në lidhje me përpunimin dhe fshinë kopjet ekzistuese, përveç kur Ligji mbi Arkivat e kërkon ruajtjen e të dhënave;
3.8. i ofron kontrolluesit të gjithë informacionin e nevojshëm për të demonstruar përputhshmëri me detyrimet e parashikuara në këtë nen dhe lejon dhe kontribuon për kontrollet, duke përfshirë inspektimet, e zhvilluara nga kontrolluesi ose një auditor tjetër të autorizuar nga kontrolluesi.
4. Nëse një përpunues angazhon një përpunues tjetër për kryerjen e aktiviteteve specifike të përpunimit, në emër të kontrolluesit, të njëjtat detyrime për mbrojtjen e të dhënave, sipas parashikimit në kontratë ndërmjet kontrolluesit dhe përpunuesit, sipas referimit në paragrafin
3. të këtij neni, i caktohen përpunuesit tjetër nëpërmjet një kontrate, veçanërisht duke dhënë garanci të mjaftueshme për zbatimin e masave të përshtatshme teknike dhe organizative në një mënyrë të tillë që përpunimi të përmbushë kërkesat e këtij ligji. Nëse përpunuesi tjetër nuk përmbushë detyrimet për mbrojtjen e të dhënave, përpunuesi i parë mbetet tërësisht përgjegjës kundrejt kontrolluesit për përmbushjen e detyrimeve të përpunuesit tjetër.
5. Pa cenuar një kontratë individuale ndërmjet kontrolluesit dhe përpunuesit, kontrata, e referuar në paragrafët 3. dhe 4. të këtij neni, mund të bazohet, plotësisht ose pjesërisht, mbi klauzolat standarde kontraktuale të referuara në paragrafët 6. dhe 7. të këtij neni, duke përfshirë kur ata janë pjesë e një certifikimi të dhënë kontrolluesit ose përpunuesit në pajtim me nenin 43.
6. Respektimi i kodit të sjelljes, të miratuar, nga ana e përpunuesit siç referohet në nenin 41 të këtij ligji ose i mekanizmit të certifikimit, të miratuar, siç referohet në nenin 43 të këtij ligji mund të përdoret si element me të cilin do të demonstrohen garanci të mjaftueshme siç referohen në paragrafët 1. dhe 4. të këtij neni.
7. Agjencia mund të vendosë klauzola standarde kontraktuale për çështjet e referuara në paragrafët 3. dhe 4. të këtij neni.
8. Kontrata e referuar në paragrafët 3. dhe 4. të këtij neni, bëhet me shkrim, duke përfshirë formatin elektronik.
9. Pa cenuar nenet 57, 92 të këtij ligji, nëse një përpunues e shkel këtë ligj, duke përcaktuar qëllimet dhe mjetet e përpunimit, përpunuesi konsiderohet të jetë një kontrollues në lidhje me këtë përpunim.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.