Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 16. E Drejta e fshirjes (‘E drejta për t’u harruar’)

1. Subjekti i të dhënave ka të drejtën që të kërkojë nga kontrolluesi të bëjë fshirjen e të dhënave personale në lidhje me të, pa vonesë dhe kontrolluesi ka detyrimin të fshijë të dhënat personale, pa vonesë të panevojshme, nëse zbatohet një prej shkaqeve të mëposhtme:

1.1. të dhënat personale nuk janë më të nevojshme në lidhje me qëllimet, për të cilat ato janë mbledhur ose përpunuar;

1.2. subjekti i të dhënave e tërheq pëlqimin mbi të cilin bazohet përpunimi sipas nenit 5 paragrafi 1., nën-paragrafi 1.1. ose nenit 8 paragrafi 2., nën-paragrafi 2.1. të këtij ligji dhe nëse nuk ka shkak tjetër ligjor për përpunimin;

1.3. subjekti i të dhënave e kundërshton përpunimin në pajtim me nenin 20 paragrafi

1. të këtij ligji dhe nuk ka shkaqe legjitime mbizotëruese për përpunimin, ose subjekti i të dhënave e kundërshton përpunimin në pajtim me nenin 20 paragrafi 2. të këtij ligji;

1.4. të dhënat personale janë përpunuar në mënyrë të paligjshme;

1.5. të dhënat personale duhet të fshihen për të përmbushur një detyrim ligjor, të cilit i nënshtrohet kontrolluesi;

1.6. të dhënat personale janë mbledhur në lidhje me ofertën e shërbimeve të shoqërisë së informacionit të referuara në nenin 7 paragrafi 1. të këtij ligji.

2. Nëse kontrolluesi i ka bërë të dhënat personale publike dhe është i detyruar, sipas paragrafit 1.të këtij neni, t’i fshijë të dhënat personale, kontrolluesi, duke marrë parasysh teknologjinë e disponueshme dhe shpenzimet për zbatimin, ndërmerr hapat e arsyeshëm, duke përfshirë masat teknike, për të informuar kontrolluesit që po përpunojnë të dhënat personale që subjekti i të dhënave ka kërkuar fshirjen nga këta kontrollues të çdo lidhjeje ose kopje, apo përsëritje të këtyre të dhënave personale.

3. Paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni nuk zbatohen në masën që përpunimi është i nevojshëm:

3.1. për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe informimit;

3.2. për përmbushjen e një detyrimi ligjor që kërkon përpunimin, të cilit i nënshtrohet kontrolluesi ose për përmbushjen e një detyre në interesin publik ose në ushtrim të autoritetit zyrtar të veshur kontrolluesit;

3.3. për shkaqe të interesit publik në sferën e shëndetit publik në pajtim me nenin 8 paragrafi 2., nën-paragrafët 2.8., 2.9. dhe paragrafit 3. të këtij ligji;

3.4. për qëllime arkivimi në interesin publik ose qëllime të kërkimit shkencor ose historik, ose qëllime statistikore në pajtim me nenin 8, paragrafi 3. të këtij ligji në masën që e drejta e përmendur në paragrafin 1. të këtij neni mund ta bëjë të pamundur ose ta rrezikojë rëndë arritjen e objektivave të atij përpunimi, ose;

3.5. për ngritjen, ushtrimin ose mbrojtjen e pretendimeve ligjore.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.