Dosja
Ligji për qasje në dokumente publike, 06/L-081

Neni 20. Ankesa pranë Agjencisë

1. Në rast se institucioni publik ka refuzuar në tërësi apo pjesërisht kërkesën për qasje në dokumente publike apo në rast të heshtjes apo mos përgjigjes së institucionit publik, kërkuesi mund t’i drejtohet me ankesë Agjencisë brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve prej pranimit të vendimit për refuzim ose vendimit për aprovim të pjesshëm të kërkesës për qasje.

2. Agjencia, ankesën e pranuar ia komunikon institucionit publik që ka vendosur në lidhje me kërkesën për qasje, i cili duhet që brenda shtatë (7) ditëve pas pranimit të ankesës të ofrojë përgjigje me shkrim ndaj pretendimeve të ngritura nga ankuesi.

3. Pas pranimit të përgjigjes nga ana e institucionit publik ose në rast të mospërgjigjes, Agjencia vendosë në lidhje me ankesën në afatin prej tridhjetë (30) ditëve. Agjencia, me akt të brendshëm, vendosë për procedurën dhe mënyrën e vendosjes brenda këtij institucioni.

4. Agjencia mund të aprovojë në tërësi ankesën dhe ta ndryshojë vendimin e institucionit publik, në atë mënyrë që i lejon qasjen kërkuesit tërësisht në dokumentet publike të kërkuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

5. Agjencia mund të aprovojë pjesërisht ankesën dhe ta ndryshojë vendimin e institucionit publik në atë mënyrë që i lejon qasjen kërkuesit pjesërisht në dokumentet publike të kërkuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

6. Institucioni publik detyrohet të veprojë sipas vendimit të Agjencisë në afat prej shtatë (7) ditëve.

7. Agjencia mund të refuzojë ankesën dhe të lejë në fuqi vendimin e institucionit publik për refuzimin ose aprovimin e pjesshëm të qasjes në dokumente publike.

8. Në rast të refuzimit të plotë apo të pjesshëm të ankesës, Agjencia nxjerr vendim, i cili duhet të përmbajë arsyet për refuzimin e ankesës dhe mjetin juridik që kërkuesi mund ta përdorë kundër vendimit mbi refuzimin e ankesës.

9. Vendimi duhet të jetë me shkrim dhe duhet t’i dorëzohet kërkuesit personalisht, përmes postës së regjistruar apo përmes postës elektronike, në rast se kërkuesi ka përdorur këtë metodë për të paraqitur kërkesën për rishqyrtim.

10. Vendimi i Agjencisë është përfundimtar në procedurën administrative, i cili mund të kundërshtohet vetëm përmes padisë në gjykatën kompetente për çështje administrative.

Numri
06/L-081
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
4 korrik 2019, 13/2019
Hyrja në fuqi
19 korrik 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.