Neni 17. Bazat e lejueshme për refuzimin e qasjes në dokumente publike
1. Çdo kërkues ka të drejtë të ketë qasje në dokumente publike. Pavarësisht nga cilido paragraf i këtij neni, një institucion publik nuk mund të refuzojë të tregojë nëse ka në posedim një dokument apo të refuzojë qasjen në një dokument publik, përderisa nuk bën një test të dëmit dhe interesit publik për të përcaktuar nëse dëmi i shkaktuar interesit të mbrojtur mbisundon interesin e publikut për qasje në atë dokument publik.
2. Kufizimi i të drejtës për qasje në dokumente publike ushtrohet në përputhje me parimin e proporcionalitetit sipas ligjit përkatës për Procedurën e përgjithshme administrative, në përputhje me këtë ligj dhe vetëm për qëllime të mbrojtjes së:
2.1. jetës, shëndetit dhe të sigurisë publike;
2.2. sigurisë shtetërore, mbrojtjes dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare;
2.3. parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë procesin e hetimit;
2.4. hetimet disiplinore, në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë procedurën disiplinore;
2.5. inspektimit, kontrollimit dhe mbikëqyrjes nga institucionet publike në rastet kur trajtojnë informacion të klasifikuar;
2.6. të drejtës për privatësi dhe e drejta e fshirjes (‘E drejta për t’u harruar’);
2.7. konfidencialitetit komercial siç janë sekretet e biznesit, sekretet profesionale apo të kompanisë;
2.8. dokumenteve për të cilat institucioni publik apo palët e treta gëzojnë të drejtat e pronësisë intelektuale;
2.9. politikave ekonomike, monetare dhe këmbimore të shtetit;
2.10. konfidencialitet statistikor;
2.11. barazisë së palëve në procedura gjyqësore dhe administrimin efikas të drejtësisë;
2.12. diskutimeve brenda apo ndërmjet institucioneve publike lidhur me shqyrtimin e ndonjë çështjeje, e cila përbën dokument të klasifikuar.
3. Qasja në dokumente publike gjithnjë lejohet, nëse:
3.1. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjnë me shpenzimet e parasë publike;
3.2. dokumenti publik lidhet me zbatimin e funksioneve publike ose marrëdhëniet e punësimit të zyrtarëve publik, përveç në rastet kur ka të dhëna personale të mbrojtura apo kur saktësohet ndryshe në ligjet përkatëse;
3.3. dokumenti publik i kërkuar ka të bëjë me mjedisin, mbeturinat, substanca të rrezikshme ose informata të raporteve të sigurisë në mjedis, ashtu si janë të parapara me ligjin përkatës për mbrojtjen e mjedisit.
4. Nëse vetëm një pjesë e dokumenteve publike të kërkuara mbulohet me ndonjë prej përjashtimeve të përmendura në paragrafin 2. të këtij neni, pjesët e mbetura të dokumentit publik bëhen publike.
5. Kërkesa për qasje në dokumente publike mund të refuzohet nëse:
5.1. pa marrë parasysh ndihmën nga institucioni publik, kërkesa mbetet tejet e paqartë për të mundësuar identifikimin e dokumentit;
5.2. nëse janë plotësuar kushtet dhe kërkesat nga paragrafët 2. dhe 4. i këtij neni.
6. Para marrjes së vendimit për refuzimin e kërkesës për qasje në dokumente publike në tërësi ose pjesërisht, sipas paragrafit 2. të këtij neni, institucioni publik detyrohet të bëjë testin e dëmit dhe të interesit publik në përputhje me nenin 18 të këtij ligji.
7. Institucioni publik, i cili refuzon qasjen në dokumentin publik në tërësi apo pjesërisht, duhet të nxjerrë vendim për refuzim dhe në të të japë arsye mbi refuzimin dhe të shpjegojë arsyet se si ka bërë testin sipas nenit 18 të këtij ligji dhe si ka ardhur në përfundimin për të refuzuar qasjen sipas paragrafit 2. të këtij neni.
8. Vendimi duhet të jetë me shkrim dhe duhet t’i dorëzohet kërkuesit personalisht, përmes postës së regjistruar apo përmes e-mailit, në rast se kërkuesi ka përdorur këtë metodë për të kërkuar dokumentin publik dhe duhet të përmbajë mjetin juridik që kërkuesi mund të përdorë kundër vendimit për refuzim.
- Numri
- 06/L-081
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 4 korrik 2019, 13/2019
- Hyrja në fuqi
- 19 korrik 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.