Dosja
Ligji për avokatinë, 04/L-193

Neni 16. Detyrimi i refuzimit të ndihmës juridike

1. Avokati është i detyruar t'ia refuzojë palës ndihmën juridike:

1.1. nëse ai ose ndonjë avokat tjetër, i cili ka punuar në zyrën e njëjtë dhe ka qenë i angazhuar në çështjen e njëjtë apo në ndonjë çështje që ka pasur lidhje juridike me të parën duke përfaqësuar palën kundërshtare ose të dy palët, i ka dhënë këshillë juridike;

1.2. nëse në çështjen e njëjtë apo në çështjen që ka lidhje juridike me të parën ka punuar si praktikant te avokati, i cili e ka përfaqësuar palën kundërshtare;

1.3. nëse është anëtar, apo ka qenë anëtar i zyrës së përbashkët të avokatëve apo të shoqërisë së avokatëve, në të cilat, pala kundërshtare është duke u përfaqësuar apo ka qenë e përfaqësuar;

1.4. nëse në çështjen e njëjtë apo në çështjen që ka lidhje juridike me të parën ka punuar si gjyqtar, prokuror apo person zyrtar në procedurë administrative apo ndonjë procedurë tjetër;

1.5. në rastet tjera të parapara me ligj, statut dhe me kod.

Numri
04/L-193
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
31 maj 2013, 20/2013
Hyrja në fuqi
15 qershor 2013
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.