Dosja
Ligji për avokatinë, 04/L-193

Neni 10. Kushtet për regjistrim

1. Oda merr vendim të regjistrojë kandidatin, i cili i plotëson kushtet në vijim, përveç nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë ligj:

1.1. shtetësia e Republikës së Kosovës;

1.2. diploma e fakultetit juridik në Kosovë apo diploma e fituar në fakultetin juridik të ndonjë shteti tjetër, e cila është pranuar në pajtim me ligjet që rregullojnë fushën e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës;

1.3. zotësia e plotë e veprimit;

1.4. provimi i dhënë i jurisprudencës në Republikën e Kosovës;

1.5. të mos jetë në marrëdhënie të punës;

1.6. që kundër tij mos të jetë në zhvillim e sipër procedurë penale apo të mos jetë gjykuar për vepër penale, për të cilën është paraparë dënimi me burg deri në një (1) vit, e cila kandidatin do ta kishte bërë të padenjë për të ushtruar avokatinë;

1.7. të jetë i denjë për ushtrimin e avokatisë në pajtim me Kodin;

1.8. të ketë siguruar zyrën e përshtatshme për ushtrimin e avokatisë dhe kushtet e nevojshme teknike në pajtim me aktet nënligjore të Odës;

1.9. të ketë kaluar më së paku një (1) vit nga vendimi i plotfuqishëm për refuzimin e regjistrimit në Odë;

1.10 të këtë dhënë provimin nga kodi i etikës profesionale të avokatëve sipas Rregullores së miratuar nga Oda.

2. Vetëm avokatët kanë të drejtë të japin ndihmë juridike, nëse me ligj nuk është paraparë ndryshe.

3. Profesorët ordinar dhe inordinar të lëndëve juridike në fakultetet e Republikës së Kosovës janë të autorizuar të ofrojnë këshilla dhe mendime juridike me pagesë, por jo edhe për forma të tjera të ndihmës juridike.

4. Shprehjet "këshillë juridike" dhe "mendim juridik" nga paragrafi 3. i këtij neni nuk nënkuptojnë përpilimin e shkresave (kontratave, testamenteve, deklaratave, etj.) e as të padive, kërkesave, lutjeve, mjeteve juridike të jashtëzakonshme dhe parashtresave tjera.

5. Personat nga paragrafi 2. i këtij neni janë të detyruar te njoftojnë Odën për ushtrimin e veprimtarisë së tyre sipas këtij ligji me qëllim evidentim që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ne pajtim me aktet e Odës.

6. Evidentimi i personave nga paragrafi 2. i këtij neni bëhet në pajtim me aktet e Odës.

7. Personat nga paragrafi 2. i këtij neni ofrojnë këshilla dhe mendime juridike në pajtim me dispozitat e ligjit, akteve të Odës dhe të Kodit të Etikës së Avokatëve.

8. Oda është e autorizuar dhe e detyruar të fillojë procedurën përkatëse ligjore për çdo rast të ofrimit të ndihmës juridike në mënyrë të paautorizuar, përveç nëse me ligj të veçantë nuk është përcaktuar ndryshe.

Numri
04/L-193
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
31 maj 2013, 20/2013
Hyrja në fuqi
15 qershor 2013
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.