Neni 49. Autorizimi për transferin e të dhënave tek shteti apo organizata ndërkombëtare që nuk
siguron nivel të duhur të mbrojtjes së të dhënave
1. Pavarësisht nga neni 45 i këtij ligji, Agjencia mund të autorizojë transferimin apo publikimin e të dhënave personale në një shtet apo organizatë ndërkombëtare që nuk siguron nivel të duhur të mbrojtjes së të dhënave, nëse përmbushet një apo më shumë nga kushtet e mëposhtme:
1.1. kështu parashihet me një ligj tjetër apo me një traktat ndërkombëtar të detyrueshëm;
1.2. subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin dhe është i vetëdijshëm për pasojat e transferimit;
1.3. transferimi është i domosdoshëm për jetësimin e një kontrate midis subjektit të të dhënave dhe kontrolluesit të të dhënave, apo për zbatimin e masave parakontraktuale të ndërmarra në kundërpërgjigje ndaj kërkesave të subjektit të të dhënave;
1.4. transferimi është i domosdoshëm për përmbylljen apo jetësimin e një kontrate të lidhur në interes të subjektit të të dhënave midis kontrolluesit të të dhënave dhe palës së tretë;
1.5. transferimi është i domosdoshëm dhe i kërkuar ligjërisht në bazë të interesit të rëndësishëm publik;
1.6. transferimi është i domosdoshëm për të mbrojtur jetën dhe trupin e subjektit të të dhënave;
1.7. transferimi është i domosdoshëm për ngritjen, ushtrimin apo mbrojtjen e kërkesave ligjore;
1.8. transferimi bëhet nga një regjistër i cili sipas ligjeve apo rregulloreve ka për synim të sigurojë informacione për publikun dhe që është i hapur për konsultime nga publiku në përgjithësi apo nga ndonjë person i cili mund të demonstrojë interesa legjitime, deri në atë masë që të përmbushen kushtet e parashtruara për konsultime në këtë rast të veçantë. Në këtë rast, transferimi nuk përfshinë tërësinë e të dhënave personale apo të gjitha kategoritë e të dhënave personale që përmban regjistri. Kur regjistri ka për qëllim konsultimin nga personat që kanë interes legjitim, transferimi bëhet vetëm me kërkesë të atyre personave apo nëse ata pritet të jenë pranues;
1.9. kontrolluesi i të dhënave aplikon masa adekuate të sigurisë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtat e liritë themelore të individëve për sa i përket ushtrimit të të drejtave të parashtruara. Masat e tilla të sigurisë mund të rezultojnë nga dispozitat e kontratës apo kushteve të përgjithshme të aktiviteteve biznesore që rregullojnë transferimin e të dhënave personale.
2. Kontrolluesi i të dhënave mund të transferojë të dhëna personale vetëm me pranimin e autorizimit sipas paragrafit 1. të këtij neni. Në kërkesën e tij/saj për autorizim, kontrolluesi i të dhënave i ofron Agjencisë të gjitha informatat e domosdoshme për sa i përket transferimit të kërkuar të të dhënave personale. Kjo përfshinë, në veçanti, kategoritë e të dhënave, qëllimin e transferimit dhe masat e aplikuara të sigurisë për mbrojtjen e të dhënave personale në shtetin tjetër apo organizatën ndërkombëtare.
3. Agjencia vendosë për aplikimin nga paragrafi 2. i këtij neni pa vonesë dhe përcakton me akt nënligjor hollësitë dhe procedurat e brendshme për plotësimin e kërkesave të tilla. Vendimi i lartpërmendur është përfundimtar në procedurë administrative, por pranohet kontestimi administrativ pranë gjykatës kompetente.
- Numri
- 06/L-082
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 25 shkurt 2019, 6/2019
- Hyrja në fuqi
- 12 mars 2019
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.