Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 47. Vendimet për nivelin e duhur të mbrojtjes së të dhënave nga vendet e tjera dhe

organizatat ndërkombëtare

1. Agjencia, në vendimmarrjen e saj mbi nivelin adekuat të mbrojtjes së të dhënave personale të një shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare, përcakton të gjitha rrethanat që lidhen me transferimin e të dhënave personale. Në veçanti, duke marrë parasysh elementet në vijim:

1.1. sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore, legjislacionin relevant, atij të përgjithshëm dhe sektorial, përfshirë atë që ka të bëjë me sigurinë publike, mbrojtjen, sigurinë shtetërore dhe të drejtën penale, si dhe qasjen e autoriteteve publike në të dhënat personale, si dhe zbatimin e legjislacionit të tillë, rregullat e mbrojtjes së të dhënave, rregullat profesionale dhe masat e sigurisë, përfshirë rregullat për transferimin e mëtejmë të të dhënave personale në një vend tjetër të tretë apo organizatë ndërkombëtare të cilat zbatohen në atë vend apo organizatë ndërkombëtare, precedenca, si dhe të drejtat efektive dhe të zbatueshme të subjekteve të të dhënave dhe rivendosja efektive administrative dhe gjyqësore për subjektet e të dhënave, të dhënat personale të të cilave transferohen;

1.2. ekzistimi i funksionimit efektiv të një apo më shumë autoriteteve të pavarura mbikëqyrëse në vendin e tretë apo të cilës i nënshtrohet një organizatë ndërkombëtare, me përgjegjësinë për të siguruar dhe zbatuar pajtueshmërinë me rregullat mbi mbrojtjen e të dhënave, përfshirë autorizimet adekuate të zbatimit, për të ndihmuar dhe këshilluar subjektet e të dhënave në ushtrimin e të drejtave të tyre dhe për bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse;

1.3. përkushtimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër vendi i tretë apo organizata ndërkombëtare, apo obligimet e tjera që dalin nga konventat apo instrumentet ligjërisht të detyrueshme, si dhe nga pjesëmarrja e tyre në sistemet shumëpalëshe apo regjionale, në veçanti në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale;

1.4. lloji i të dhënave personale që duhet përpunuar;

1.5. qëllimi dhe kohëzgjatja e përpunimit të propozuar;

1.6. rregullimi ligjor në vendin e origjinës dhe shteti pranues, përfshirë rregullimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të huaj;

1.7. masat për të siguruar të dhënat personale të shfrytëzuara në vendet e tilla dhe organizatat ndërkombëtare.

2. Agjencia, në vendimmarrjen e saj nga paragrafi 1. i këtij neni, veçanërisht merr parasysh:

2.1. nëse të dhënat personale të transferuara që duhen transferuar do të jenë apo janë shfrytëzuar vetëm për qëllimin për të cilin janë transferuar apo nëse qëllimi mund të ndryshojë vetëm mbi bazën e lejes së kontrolluesit të të dhënave që i jep të dhënat, apo mbi bazën e pëlqimit personal të subjektit të të dhënave;

2.2. nëse subjekti i të dhënave ka mundësinë e përcaktimit të qëllimit për të cilin të dhënat e tij/saj do të përdoren, kujt po i jepen dhe mundësinë e përmirësimit apo fshirjes së të dhënave personale joadekuate apo të vjetruara, përveç nëse kjo parandalohet për shkak të fshehtësisë së procedurës nga traktatet e detyrueshme ndërkombëtare;

2.3. nëse kontrolluesi apo përpunuesi i huaj i të dhënave kryen procedura dhe masa adekuate organizative dhe teknike për të mbrojtur të dhënat;

2.4. nëse është caktuar një person kontaktues i autorizuar për të ofruar informata për subjektin e të dhënave apo për Agjencinë mbi përpunimin e të dhënave personale të transferuara;

2.5. nëse pranuesi i jashtëm (i huaj) i të dhënave mund të transferojë më tutje të dhënat personale vetëm me kushtin që një pranues tjetër i jashtëm i të dhënave, të cilit do t’ i shpalosen të dhënat personale, ofron mbrojtje adekuate të të dhënave personale edhe për qytetarët e huaj;

2.6. nëse është ofruar mbrojtje efektive ligjore për subjektet e të dhënave, të dhënat personale të të cilëve ishin apo po transferohen.

3. Agjencia rishikon në baza periodike këtë listë, të paktën çdo katër (4) vjet, e cila merr parasysh të gjitha zhvillimet relevante në vendin e tretë apo organizatën ndërkombëtare që do të ndikonte në përhershmërinë e listës.

4. Në rastet kur ekziston informacion që zbulon se vendi i tretë, një apo më shumë sektorë të specifikuar brenda vendit të tretë apo një organizatë ndërkombëtare, nuk ofron më nivel adekuat të mbrojtjes brenda kuptimit të paragrafit 1. dhe 2. të këtij neni, Agjencia, në masën e nevojshme, përmirëson apo pezullon vendimin e përfshirjes në listë përmes zbatimit të akteve pa efekt retroaktiv.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.