Dosja
Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, 06/L-082

Neni 29. Regjistrat e aktiviteteve të përpunimit

1. Çdo kontrollues, përpunues dhe aty ku është e aplikueshme përfaqësuesit e tyre, mbajnë regjistër të aktiviteteve të përpunimit nën përgjegjësinë e tyre. Ky regjistër përmban të gjitha informatat e mëposhtme:

1.1. emrin dhe informatat e kontaktit të kontrolluesit dhe, aty ku është e aplikueshme, të kontrolluesit të përbashkët, përfaqësuesit të kontrolluesit dhe të zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave;

1.2. qëllimet e përpunimit;

1.3. një përshkrim të kategorive të subjekteve të të dhënave dhe kategorive të të dhënave personale;

1.4. kategoritë e pranuesve të cilëve u janë zbuluar ose do të zbulohen të dhënat personale duke përfshirë pranuesit në vende të treta ose organizatat ndërkombëtare;

1.5. aty ku është e aplikueshme, transferimi i të dhënave personale në një vend të tretë ose një organizatë ndërkombëtare, duke përfshirë identifikimin e atij vendi të tretë ose organizatës ndërkombëtare, autorizimin sipas nenit 49, paragrafi 2. të këtij ligji dhe, në rastin e transfereve të përmendura në nenin 49 nën-paragrafi 1.9. të këtij ligji, dokumentimin e masave mbrojtëse të përshtatshme;

1.6. aty ku është e mundur, afatet kohore të parashikuara për fshirjen e kategorive të ndryshme të të dhënave;

1.7. aty ku është e mundur, një përshkrim të përgjithshëm të masave teknike dhe organizative të sigurisë të përmendura në nenin 31, paragrafi 1. të këtij ligji.

2. Regjistrat e referuara në paragrafin 1.të këtij neni duhet të jenë me shkrim, duke përfshirë edhe në formë elektronike.

3. Kontrolluesi ose përpunuesi dhe, ku është e aplikueshme, përfaqësuesi i kontrolluesit ose i përpunuesit, duhet ta vë regjistrin në dispozicion të autoritetit mbikëqyrës sipas kërkesës.

4. Obligimet e referuara në paragrafin 1.të këtij neni nuk zbatohen për ndërmarrjen ose organizatën që punëson më pak se dyqind e pesëdhjetë (250) persona, përveç nëse përpunimi që ato kryejnë ka gjasa të rezultojë në një rrezik për të drejtat dhe liritë e subjekteve të të dhënave, përpunimi nuk është i rastit, ose përpunimi përfshin kategori të veçanta të të dhënave të përmendura në nenin 8 paragrafin 1. të këtij ligji ose të dhënat personale që kanë të bëjnë me dënimet penale dhe veprat penale të përmendura në nenin 9 të këtij ligji.

Numri
06/L-082
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
25 shkurt 2019, 6/2019
Hyrja në fuqi
12 mars 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.