Dosja
Ligji për qasje në dokumente publike, 06/L-081

Neni 2. Fushëveprimi

1. Ky ligj zbatohet për të gjitha dokumentet publike që prodhohen, pranohen, mbahen, apo kontrollohen nga institucionet publike, përveç në rastet kur kufizohet ndryshe me legjislacionin në fuqi.

2. Paragrafi 1. nuk përbën obligim për institucionet publike që të krijojnë apo përshtatin dokumente publike apo të ofrojnë përmbledhje të informatave kur një gjë e tillë do të përfshinte përpjekje joproporcionale, që shkon përtej një operimi të thjeshtë. Mbi këtë bazë, institucionet publike nuk mund të obligohen që të vazhdojnë prodhimin dhe ruajtjen e një lloji të caktuar të dokumentit publik me qëllim të ripërdorimit të tij nga një person apo institucionet publike.

3. Ky ligj nuk cenon të drejtën për qasje në dokumente publike që mbahen nga institucionet publike, e të cilat mund të rrjedhin nga instrumentet ligjore ndërkombëtare apo aktet e institucioneve të cilat i zbatojnë ato.

4. Kërkesa dhe qasja në dokumente të klasifikuara, bëhet në përputhje me ligjin përkatës për klasifikimin e informacionit.

5. Dispozitat e këtij ligji nuk aplikohen:

5.1. për informatat e klasifikuara të prodhuara dhe mbajtura nga organizatat ndërkombëtare apo përfaqësitë e shteteve të tjera; dhe

5.2. informatat e klasifikuara nga institucionet publike, që kanë prejardhje apo janë shkëmbyer në bazë të një kornize të bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare apo shtete të tjera.

Numri
06/L-081
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
4 korrik 2019, 13/2019
Hyrja në fuqi
19 korrik 2019
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.