Neni 70. Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit
1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi, atëherë kur:
1.1. ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;
1.2. i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;
1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nën- paragrafin 1.1. dhe 1.2., të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që ta transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën ose ndonjë punë tjetër;
1.4. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit në periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes në:
1.4.1. rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe
1.4.2. për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
1.5. punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij/saj menjëherë pas rastit që shpie në largim, ose sapo punëdhënësi të jetë vënë në dijeni të atij rasti;
1.6. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit pa periudhën e kërkuar të paralajmërimit të ndërprerjes, atëherë kur:
1.6.1. i punësuari është fajtor për përsëritjen e një keq sjelljeje më pak serioze ose të shkeljes së detyrimeve;
1.6.2. performanca e të punësuarit mbetet e pakënaqshme përkundër paralajmërimit me shkrim.
2. Punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në bazë të nën-paragrafit 1.6. të paragrafit 1. të këtij neni vetëm atëherë kur i punësuari ka marrë përshkrimin në formë të shkruar të performancës së pakënaqshme, një afat të përcaktuar kohor brenda të cilit i punësuari duhet ta përmirësojë performancën e vet, si dhe një deklaratë se dështimi për përmirësimin e performancës do të rezultojë me largim nga puna pa asnjë paralajmërim të mëtejmë me shkrim.
3. Punëdhënësi duhet që të mbajë takim me të punësuarin për t’ia shpjeguar atij/asaj ndërprerjen e kontratës së punës ose me qëllim që t’ia dorëzojë paralajmërimin, i punësuari ka të drejtë që të shoqërohet nga një përfaqësues sipas dëshirës së vet.
4. Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t’i specifikojnë llojet e keq sjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t’i nënshtrohet ndërprerjes të kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të përsëritura.
Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:
- LIGJI NR. 08/L-283 PËR HARMONIZIMIN E LIGJEVE TË VEÇANTA ME LIGJIN NR. 05/L-087 PËR KUNDËRVAJTJE (26 dhjetor 2024)
- LIGJI NR. 08/L-142 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË PËRCAKTOJNË SHUMËN E BENEFICIONIT NË LARTËSI TË PAGËS MINIMALE, PROCEDURAT E CAKTIMIT TË PAGËS MINIMALE DHE SHKALLËT TATIMORE NË TË ARDHURAT PERSONALE VJETORE (23 gusht 2024)
- Numri
- 03/L-212
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 1 dhjetor 2010, 90/2010
- Hyrja në fuqi
- 16 dhjetor 2010
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.