Neni 22. Procedimi i kërkesës
1. Fillimi i procedurës para Gjykatës Kushtetuese bëhet përmes paraqitjes së kërkesës në gjykatë. Kërkesat dorëzohen me shkrim në Sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese. Sekretaria regjistron menjëherë të gjitha kërkesat në regjistrin e Gjykatës Kushtetuese sipas radhës në të cilën janë parashtruar. Kërkesat duhet të jenë të arsyetuara dhe atyre duhet të ju bashkëngjiten provat e nevojshme.
2. Sekretaria ia dërgon nga një kopje të kërkesës palës kundërshtare dhe palës (palëve) apo pjesëmarrësve të tjerë në procedurë. Pala kundërshtare ka dyzet e pesë (45) ditë nga pranimi i kërkesës për të dorëzuar në Sekretari përgjigjen e saj në kërkesë së bashku me arsyetimin dhe provat e nevojshme.
3. Sekretari ia dërgon kërkesën dhe përgjigjen në kërkesë gjyqtarit raportues i cili përgatit raportin paraprak lidhur me faktet, lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës. Gjyqtari raportues caktohet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese.
4. Nëse kërkesa ose përgjigja në kërkesë nuk është e qartë ose e kompletuar, gjyqtari raportues njofton palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe ia cakton një afat prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ditëve për të qartësuar ose plotësuar kërkesën, përkatësisht përgjigjen në kërkesë. Gjyqtari raportues ka të drejtë të kërkojë prova shtesë, nëse kjo është e nevojshme për të vlerësuar lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës.
5. Brenda tridhjetë (30) ditëve nga pranimi i kërkesës dhe përgjigjes në kërkesë gjyqtari raportues ia dërgon kolegjit shqyrtues raportin paraprak. Në rast se përgjigja në kërkesë nuk dorëzohet brenda afatit të paraparë ose sipas natyrës së procedurës së veçantë nuk kërkohet një përgjigje në kërkesë, gjyqtari raportues përgatit raportin paraprak vetëm në bazë të kërkesës.
6. Kolegji shqyrtues vlerëson lejueshmërinë e kërkesës. Kolegji shqyrtues përbëhet nga tre gjyqtarë të caktuar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren e punës.
7. Nëse kolegji shqyrtues unanimisht vjen në përfundim se kërkesa nuk i plotëson kushtet formale për procedim të mëtutjeshëm dhe për këtë shkak nuk është e lejueshme, kolegji ia dërgon të gjithë gjyqtarëve propozim-vendimin me të cilin hidhet poshtë kërkesa për shkak të mungesës së lejueshmërisë. Kolegji shqyrtues merr të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të siguroj se kopja e propozim-vendimit u është dërguar gjyqtarëve që mund të mos jenë në territorin e Republikës së Kosovës.
8. Nëse brenda afatit prej dhjetë (10) ditëve prej pranimit të propozim-vendimit gjyqtarët që nuk kanë qenë anëtarë të kolegjit shqyrtues nuk kundërshtojnë këtë propozim-vendim, atëherë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese e nënshkruan dhe e shpall vendimin me të cilin hidhet poshtë kërkesa për shkak të mungesës së lejueshmërisë.
9. Në rast se kolegji shqyrtues vjen në përfundim se kërkesa është e lejueshme apo nëse të paktën njëri prej gjyqtarëve që nuk ka qenë anëtar i kolegjit shqyrtues kundërshton propozim-vendimin me të cilin hidhet poshtë kërkesa, lënda i dërgohet trupit gjykues. Trupi gjykues gjatë shqyrtimit verbal shqyrton në tërësi lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës dhe merr vendim sipas dispozitave të këtij ligji.
Ky është teksti i publikuar fillimisht, jo i konsoliduar. Ndryshuar nga:
- LIGJI NR. 08/L-196 PËR PAGAT NË SEKTORIN PUBLIK (5 janar 2023)
- LIGJI NR. 04/L-115 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË KANË TË BËJNË ME PËRFUNDIMIN E MBIKËQYRJES NDËRKOMBËTARE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS (7 shtator 2012)
- Numri
- 03/L-121
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 15 janar 2009, 46/2009
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.